Paranjohja – Romakët 8:29

Nga Pastor Xhon Samson (John Samson)

Pyetje: Te Romakët 8:29, thuhet “Sepse, ata që i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të Tij…” Për shkak se në këtë varg njohja vjen përpara paracaktimit, a nuk po thuhet që paracaktimi është thjesht i bazuar mbi paranjohjen e Perëndisë: Sepse Perëndia njeh që më përpara ose shikon në të ardhmen (me dijeni të plotë) çfarë do të bëjë një person, dhe kush është ai që do të përgjigjet duke besuar Ungjillin, Ai thjesht paracakton ata të cilët Ai e di se do të besojnë?

Përgjigje: Kështu e kuptoja unë këtë varg për shumë vite dhe është mënyra se si shumë persona e shpjegojnë çështjen e paracaktimit në ditët e sotme. Më përpara, unë kam përmëndur edhe 1 Pjetrin 1:1-2 i cili flet për ata që janë “të zgjedhur sipas paranjohjes së Perëndisë…” dhe kam supozuar që ky varg do ti shtonte peshë idesë se zgjedhja dhe paracaktimi është i bazuar mbi atë që Perëndia di përpara kohe se çfarë do të bëjmë ne – Perëndia thjesht zgjedh ata që Ai shikon përpara kohe se do ta zgjedhin Atë.

Me shikim të parë, duket se ky është një interpretim i mirë, por fakti që njohja vjen përpara paracaktimit nuk duhet të na surprizojë. Kjo sepse Perëndia ka nevojë ta njohë një person përpara se Ai ta paracaktojë në diçka. Perëndia nuk paracakton persona të panjohur, por individë specifikë të cilët Ai i njeh. Kështu që ky nuk është një argument për asnjë palë në këtë debat. Në të dyja sistemet, në atë Arminian dhe atë të Reformuar, njohja duhet të vijë përpara paracaktimit. Pyetja e vërtetë është “Çfarë kuptimi ka që Perëndia e ka njohur dikë?”

Në fakt, ka një numër problemesh me interpretimin më lart, dhe një ndër to është se Shkrimi e zbulon shumë qartë, se i lënë në veten e tij, njeriu gjithmonë do të zgjedhi të jetë kundër Krishtit, për shkak të prirjes së tij armiqësore ndaj Perëndisë. Njeriu është i vdekur shpirtërisht, dhe ka nevojë që zemra e tij prej guri të hiqet dhe një zemër prej mishi të vendoset përpara se ai mund të kërkojë Perëndinë e Biblës (Rom. 3:11; Rom. 8:7, 8; 1 Kor. 2:14). Pa ripërtëritjen, njeriu nga natyra është armiku i Perëndisë.

Ky Interpretim bie poshtë sepse fjala “njohur” nuk nënkupton thjesht të dish veprimet e ardhshme që më parë. Ka një kuptim shumë më preçiz. Fjala “njohur” (Greqisht: proginosko) te Romakët 8:29 është një folje dhe jo një emër. Eshtë një fjalë veprimi, dhe sic na informon edhe vargu, është diçka që bëhet nga Perëndia. Atëhere çfarë bën saktësisht Perëndia? Vargu thotë “ata që i ka njohur që më parë…”

Për të pasur një përkufizim të saktë biblik të fjalës “njohur”, dhe jo të supozojmë kuptimin e saj (gjë e cila bëhet nga shumë persona), ne kemi nevojë të bëjmë disa detyra shtëpie dhe studim. Në këtë rast do të thotë se ne kemi nevojë të shkojmë te pasazhet e Shkrimit që e kanë Perëndinë si subjekt të formës foljore, siç është edhe në këtë pasazh. Kjo sepse pasazhet që kanë si subjekt njerëzit do ndryshojnë në mënyrë substanciale në kuptimin e tyre nga ato në të cilat subjekti është Perëndia, sepse (jam i sigurt që të gjithë do të biem dakord) ne si krijesa i “njohim” gjërat ndryshe nga mënyra se si i njeh Perëndia.

Kur bëjmë këtë ne kuptojmë se folja “proginosko” është përdorur tre herë me subjekt Perëndinë në Dhiatën e Re – këtu te Romakët 8:29, dhe gjithashtu te Romakët 11:2, dhe te 1 Pjetri 1:20. Kjo është shumë domethënëse kur ne bëjmë pyetjen “çfarë ose kush është njohur që më parë nga Perëndia?”

Te Romakët 8:29, objekti direkt i foljes është një përemër që i referohet të thirrurve në vargun e mëparshëm (v. 28). Te Romakët 11:2 objekti i foljes është duke iu referuar “popullit të Tij” dhe te 1 Pjetri 1:20, objekti është vetë Jezu Krishti

Këto referenca e portretizojnë Perëndinë duke njohur persona dhe jo veprime. 1 Pjetri 1:20 thotë, “Të paranjohur përpara krijimit të botës, por të shfaqur kohët e fundit për ju.” Kur Perëndia paranjohu Krishtin, a do të thoshte kjo që Perëndia thjesht e dinte që Jezusi do të merrte vendimet e duhura ose do të kishte besim në Atin e Tij? Vështirë të jetë kështu! Aty po flet për intimitetin dhe dashurinë personale të Atit për Birin e Tij të dashur.

Për këtë Dr. James White thotë, “të thuash që Perëndia njeh veprimet, besimin, sjelljen, zgjedhjet, etj, është të supozosh diçka rreth termit, një supozim që nuk dëshmohet në vargun biblik. Perëndia këtu njeh personat, jo gjërat.”

Po atëhere si lidhet kjo me atë që shikojmë në Dhiatën e Vjetër? Në Dhiatën e Vjetër ne kemi një kuptim të ngjashëm me kuptimin e fjalës “njohur” në Dhiatën e Re. Kjo është fjala hebraike “yada.” I referohet një numri rastesh të “njohjes” së Perëndisë për individët. Për shembull te Jeremia 1:5, Perëndia i tha Jeremias, “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve.”

Dr. White komenton, “Këtu njohja e Perëndisë për Jeremian është qartësisht personale. Është paralelizuar me termin “shenjtëruar” dhe “caktuar” duke na drejtuar drejt elementit të “zgjedhjes.” Kjo njohje e Jeremias nuk është e limituar në kohë. Në njëfarë mënyre, Perëndia e “njihte” Jeremian përpara se Jeremia të vinte në ekzistencë.”

Ne shikojmë po të njëjtin koncept në “njohjen” e Perëndisë për Moisiun. Eksodi 33:17 – “Zoti i tha Moisiut: Do ta bëj edhe këtë gjë që ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh personalisht.” Përsëri ne shohim natyrën personale të njohjes së Perëndisë për një individ. Kjo i referohet një intimiteti dhe dashurie personale që Perëndia kishte për Moisiun në atë që ai kishte gjetur hir në sytë e Zotit. Perëndia e kishte zgjedhur Moisiun të ishte marrësi i mëshirës së Tij.

Do t’ju citoj edhe një pasazh ku ne shikojmë këtë fjalë “yada” të përdorur për t’ju referuar Perëndisë që kishte një intimitet dhe dashuri personale. Amosi 3:2 duke folur për Izraelin thotë, “Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut; prandaj unë do t’ju ndëshkoj për të gjitha pasudhësitë tuaja.”

Përkthimi NASB e përkthen yada këtu si “të zgjedhur”, dhe këtu ka një bazë shumë të fortë nga ana e konteksit që kjo fjalë të përkthehet në këtë mënyrë. Literalisht po thotë, “Vetëm ju (duke folur për Izraelin) kam njohur…” Duhet të jetë e dukshme për ne se Perëndia nuk dinte thjesht rreth Izraelit, dhe nuk kishte një dijeni të tillë për kombet e tjera, jo që Perëndia thjesht dinte veprimet e ardhshme të Izraelit, dhe nuk dinte veprimet e ardhshme të kombeve të tjera. Kjo “njohje” e Izraelit është thellësisht personale dhe intime dhe flet për hirin e Perëndisë duke i zgjedhur ata që të ishin populli i Tij vetëm për qëllimet e Tij sovrane. Fjala “yada” është përdorur gjthashtu te Zanafilla 4:1 kur thotë që Adami “njohu” gruan e tij Evën. Rezultati i kësaj “njohje” ishte një fëmijë, le të mbajmë mend që – zbulon një marrëdhënie të thellë personale.

E gjitha kjo është e rëndësishme sepse duke kuptuar sesi folja është përdorur në Dhiatën e Re, bashkë me këto shembuj nga Dhiata e Vjetër, siguron një bazë shumë të fortë për të kuptuar se çfarë do të thotë “ ka njohur”.

Dr. White deklaron, “Kur Pali thotë, “ata që i ka njohur që më parë” Pali po flet për një veprim nga ana e Perëndisë që është po aq i fokusuar te Perëndia dhe po aq personale sa çdo veprim tjetër në të njëjtin varg: Perëndia njeh (zgjedh të hyjë në një marrëdhënie); Perëndia paracakton; Perëndia thërret; Perëndia drejtëson; Perëndia përlëvdon. Nga e para te e fundit është Perëndia ai që është aktiv, është Perëndia ai që i kryen të gjitha këto gjëra.”

Prandaj “ka njohur” nuk sygjeron thjesht “një mbledhje pasive të dijenisë së pagabueshme për veprimet e ardhshme të krijesave të lira” por zbulon se nga fillimi deri në fund shpëtimi është një realizim Hyjnor, sepse është Perëndia dhe vetëm Perëndia i cili shpëton, vetëm për lavdinë e Tij.

Dr. James Montgomery Boice në komentin e tij mbi Romakët 8:29 thotë, “vargu nuk thotë që Perëndia ka njohur çfarë do të bënin krijesat e Tij. Nuk po flet fare për veprimet njerëzore. Përkundrazi, po flet plotësisht për Perëndinë dhe se çfarë Perëndia bën. Secili prej këtyre pesë termave është kështu: Perëndia njohu, Perëndia paracaktoi, Perëndia thirri, Perëndia drejtësoi, Perëndia përlëvdoi. Përveç kësaj, objekti i parashikimit hyjnor nuk janë veprimet e njerëzve të caktuar por vetë njerëzit. Në këtë sens mund të thotë vetëm që Perëndia ka fiksuar një përkujdesje të veçantë mbi ta ose i ka dashur në mënyrë shpëtuese.”

Unë besoj se kjo është përgjigjja biblike për pyetjen, por përpara se të përfundojmë, le të shohim gjithashtu këtë nga një përspektivë logjike. Shumë besojnë në njohjen siç përshkruhet në pyetje (pikëpamja Arminiane) por ky pozicion nuk i përgjigjet sfidës se çfarë dinte Perëndia nga përjetësia.

Çfarë dua të them? Sic e ka thënë edhe John Hendryx, “nëse Perëndia e dinte që një person do të zgjidhte ferrin përpara se Ai ta krijonte, atëhere kjo do të ishte një gjë e fiksuar dhe e sigurt (madje që përpara krijimit të tyre), atëhere pse Perëndia e krijoi?… Ose nëse Perëndia e dinte që më përpara se kush prej tyre do të shpëtohej, atëhere si mund të vazhdojnë ata të arsyetojnë që Ai po përpiqet të shpëtojë çdo njeri? Sigurisht që Perëndia tashmë e di se kush do të jenë këta persona, kështu që pse duhet t’ju dërgojë Ai Frymën e Shenjtë atyre që Ai e di se do ta refuzojnë?” Përfundimisht, kur ky këndvështrim shqyrtohet hollësisht, logjikisht minon po atë pozicion që po përpiqet të mbrojë.

 

Përkthyer nga www.reformationtheology.com

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *