Arsyet e Mia të Ndershme dhe Pa Filter se Pse i Shkolloj Fëmijët në Shtëpi

Nga Xhuli (Julie)

Janë të shumta arsyet se pse bëj shkollim në shtëpi të fëmijëve të mi. Është për prestigj, dhe unë kënaqem për të gjitha komentet që marr rreth përfitimeve që kjo formë shkollimi do t’u sjellë fëmijëve të mi. Unë shkolloj në shtëpi sepse si introverte që jam asgjë nuk më bën të ndihem më mirë se sa momenti kur njerëzit rreth meje e kuptojnë se jam një nga ato nëna. I shkolloj fëmijët në shtëpi sepse është e lehtë. Është kaq shumë e lehtë…

Pastaj zgjohem nga gjumi dhe ballafaqohem me realitetin. Shkollimi në shtëpi nuk është një jetë prestigji apo të presësh opinione vlerësuese rreth tij. Sa për ato nëna… jam e sigurt se në këtë rast fjala “ato” nuk thuhet për kompliment. E pranoj që mund të jem duke e bërë këtë gjë gabim, por “e lehtë” nuk është një mbiemër që e përdor shpesh për të përshkruar shkollimin në shtëpi. Mendoj se, nëse do e shkruaja thellësisht në letër se si duket shkollimi në shtëpi, do e ndërprisja tërësisht dhe do t’i nisja fëmijët e mi me autobusin e parë të shkollës që shoh. E gjithë kjo përpjekje duhet të duket marrëzi e plotë. Jam në shtëpi gjithë ditën me 5 fëmijë nga mosha 9 vjeç e deri te një foshnje e vogël camarroke. E pra, ti e kupton që kjo është një ditë e vështirë dhe unë po e jetoj atë çdo ditë. Gjithë vitin. Çdo vit.

Kupto Pse Po Bën Shkollim në Shtëpi

Në fillimet e mia të shkollimit në shtëpi, dëgjova një këshillë që më ka ngelur që atëherë. Kupto Pse Po Bën Shkollim në Shtëpi. Do të vijnë ditë të vështira. Do të jetosh me cdo thënie “do-të-jetë-e-bukur-një-ditë” që ke parë në Facebook rreth vështirësive të prindërimit. Do të shikosh me zhgënjim shtëpinë tënde të rrëmujshme, enët e palara, listën tënde të gjërave për të bërë, llogarinë tënde bankare që po zvogëlohet, njollën në bluzen tënde dhe reflektimin e gruas së lodhur në pasqyrë. Dyshimi do të fillojë për zgjedhjet e tua dhe për veten tënde. Madje ti mund fillosh të dyshosh edhe në sigurimin nga Perëndia për shkollimin tënd në shtëpi. Do të dëgjosh një përshpëritje. Ti nuk je bërë për këtë gjë. Është shumë e vështirë. Ckuptim për të vazhduar më tutje? Dërgoji në shkollë. Është më mirë për ta atje.

E dashur, ti ke nevojë për një përgjigje për këto gënjeshtra. Po, është e vështirë, por Perëndia i ka thirrur besimtarët të edukojnë fëmijët e tyre “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.” (Fjalët e Urta 22:6). Fakti që Perëndia të ka thënë të bësh diçka nuk do të thotë se do të jetë e lehtë. Nuk do të thotë se nuk do të kërkojë sakrificë. Dhe jo, fëmijët e mi nuk janë më mirë në një shkollë që uzurpon autoritetin tim prindëror, promovon axhenda që janë krejtësisht kundër Perëndisë së Biblës, dhe i indoktrinon fëmijët në fenë e sekularizmit njerëzor.

Kupto Pse Po Bën Shkollim në Shtëpi. Do të të bëhet presion nga familja, nga miqtë, nga të huajt (Seriozisht, shiko punën tënde, apo jo?), rrethi yt shoqëror, dhe/ose nga bashkëshorti/ja. Në mënyrë të habitshme, ndonjëherë, madje edhe kisha jote do të përpiqet të të bindë për të kundërtën. Me kalimin e kohës kjo mund të të lodhë dhe të të bëjë që të kesh dyshime dhe të jesh e pakënaqur. Mos e lejo këtë gjë. Në vend të tyre, kupto pse po bën shkollim në shtëpi. Arsyet e tua mund të jenë të ndryshme nga të miat, por mbaji këto arsye. Kujto pse e nise këtë rrugë dhe mos e harro ku dëshiron të përfundosh në fund të udhëtimit.

Këto janë arsyet e mia për t’u shkollimin në shtëpi (jo në ndonjë rend të veçantë):

  1. Fëmijët

    Mund ta dëgjoj tashmë turmën e zemëruar, por më lejoni të shpjegohem. Megjithëse ka shumë fëmijë të mrekullueshëm në shkollat e të gjitha llojeve, ka gjithashtu edhe fëmijë që nuk dua t’i afrohen fëmijëve të mi. Imazhet, gjuha dhe sjellja nga të cilat i mbaj fëmijët e mi larg është shumë e gjendshme në pothuajse çdo pajisje në mjedisin shkollor. I duhet vetëm një moment që fëmijës sim 6-vjeçar t’i vidhet pafajësia nga pornografia në telefonin e shokut të klasës. A mund të ndodhë kjo gjë edhe në lagje, në kishë ose në grupin e përbashkët e të shkolluarve në shtëpi? E pranoj që po. Por a e di çfarë? Bashkëshorti im dhe unë kemi shumë më tepër kontroll se me kë shoqërohen fëmijët tanë dhe nivelin e mbikëqyrjes në këto mjedise krahasuar me atë të shkollës. Gjithashtu është edhe çështja e bullizimit dhe talljes. Përsëri, kjo është e mundur të ndodhë edhe në vende të tjera, por unë nuk dua ta lë këtë gjë në duart e shkollës.

  2. Mësuesit

E lexove drejt. E thashë. Por kjo nuk do të thotë të gjithë mësuesit. Duke qënë se kam punuar në shkolla publike, duke qenë se jam e lidhur me mësues, dhe duke qenë se jam e martuar me një mësues, mund të dëshmoj për ekzistencën e shumë mësuesve të talentuar, të sjellshëm dhe vetëmohues atje jashtë. Madje do të thoja që shumica e mësuesve janë pjesë e këtij përshkrimi. Por në të njëjtën kohë, ne po shohim në të gjithë vendin për mësues që janë ngacmues seksualë, abuzues verbalë, dhe/ose që i godasin nxënësit fizikisht. Gjithashtu, disa mësues po punojnë me axhenda të forta (LGBT) në klasat e tyre. Axhenda me të cilat nuk dua fare që fëmijët e mi të kenë të bëjnë. Pa përmendur pastaj që mësuesit janë në krizë në ditët e sotme.

Aty ku jetoja më parë, në Ilinois, aktualisht ka më shumë vende të lira për mësues se sa aplikantë. Pse? Puna është e tmerrshme! Paga është e ulët për sasinë e punës që mësuesit bëjnë gjatë gjithë vitit. Testimet dhe presionet e shumta nga administrata janë tepër mbingarkuese, dhe unë besoj se shumë mësues po u hiqet dëshira për të mësuar vërtetë sepse ata po shtyhen të përgatiten për testim. Sipas meje, ky nuk është një vend i shëndetshëm për të dërguar fëmijët e mi. Madje mund të mos jetë edhe një mjedis i shëndetshëm për shumë mësues.

  1. Kurrikula

Nuk po ndalem shumë te kurrikula standarte dhe se si ajo gabon në përshtatjen me moshën apo për faktin që jam një e krishterë konservatore dhe shkollat po shtojnë materiale në kurrikul që më duken të dyshimta. Nuk do të të mërzis me faktin se kurrikula është më shumë një biznes për mbushjen e xhepave se sa për t’u shërbyer interesave më të mira të nxënësve. Të gjitha këto janë thënë një milion herë më parë, por ende më bëjnë që të zmbrapsem nga shkolla publike.

  1. Shteti

Unë jam një nga ata të cuditshmit që dëshiron ta mbyllë Departamentin Federal të Edukimit (shën.i përkthyesit: Kjo është Agjensia Federale që administron dhe vendos rregulla arsimi për secilin shtet amerikan). Arsimi është një çështje shteti (shën. i përkthyesit: Secili shtet amerikan ka ligjet dhe rregullat e veta por agjensitë federale kanë autoritet mbi cdo shtet amerikan. Sipas Kushtetutës amerikane arsimi është përgjegjësi e shtetit përkatës apo njerëzve të atij shteti), prandaj unë pyes veten: “Pse ekziston kjo gjë?”. Unë mendoj se përgjigjja e kësaj janë llogaritë bankare të disa njerëzve. Pastaj, përfshirja e qeverisë federale në shkollimin e fëmijëve të mi duket pak si një shtet dadoje. Është si një vjehrrë arrogante që nuk të lejon të rrisësh fëmijët dhe nuk ikën në shtëpi. (Shënim: Vjehrra ime nuk është aspak e tillë. Ajo është shumë e mirë.)

  1. Unë jam Prindi

Shkolla fillon t’ju uzurpojë të drejtat e tua prindërore që në fillim. Për shembull, ti mendon që pushimet në Tetor do të ishin një gjë e mirë? Shumë keq. Shkolla thotë që nuk mund të bësh pushime. Plani yt ishte të vizitoje vendndodhje historike si një pushim edukativ? Jo! Mungesë! Ti do të dish çfarë kurrikule për edukimin seksual do të marrë fëmija jot dhe një opsion për zgjedhur? Hmm. Kjo do të varet nga rrethi ku je… Është shumë e mundur që asnjë nga këto nuk është e zbatueshme në jetën tuaj. Por një ditë, mund të ndodhë të zbulosh që fëmijës suaj i është mësuar se diçka është e vërtetë por që është krejtësisht kundër bindjeve tuaja. A mendon se djali apo vajza juaj do t’ju besojë juve apo mësuesin/mësuesen e tij/saj? Ky skenar do të zbatohet në klasë gjatë gjithë fëmijërisë derisa, në fund, ju nuk dini asgjë (sipas fëmijës suaj).

A ke pyetur ndonjëhere veten se pse shumica e fëmijëve rebelohen kundër prindërve të tyre dhe shpesh mendojnë se prindërit e tyre janë budallenj? Unë mendoj se shkolla ka shumë të bëjë me këtë. Prindërit vendosen në një pozicion të nënshtruar ndaj shkollës. Ata kanë nevojë për leje nga mësuesit për të nxjerrë fëmijët e tyre nga klasa. Ata nuk mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre me detyrat e shtëpisë sepse ato duhet të bëhen në mënyrën e duhur, jo në mënyrën që e dinë nëna dhe babai. Dhe, të them të drejtën, mësuesit kalojnë shumë më tepër kohë me nxënësit se sa prindërit me fëmijët e tyre. Roli i prindit zvogëlohet, dhe papritur, zbuloni se je duke prindëruar dhe duke e rritur fëmijën bashkë me mësuesen e fëmijës suaj të klasës së pestë. Jo. Kjo nuk është për mua. Fëmijët e mi janë të mitë, dhe i vetmi person tjetër me ndikim real në rritjen e fëmijëve është bashkëshorti im.

  1. Fëmijët e Mi

Fëmijët e mi, si të gjithë fëmijët, kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Ato nuk mund të trajtohen në mënyrë efektive nga asnjë mësues klase. Thjesht ka shumë nxënës. Unë nuk fajësoj njeri për këtë. Situata është ajo që është. Të jashtmit nuk i plotësojnë nevojat e tyre në mënyrë të përshtatshme. Në shtëpi, unë mund të kujdesem për ato nevoja ashtu siç ato vijnë. Unë jam e lirë të rregulloj planet tona, kurrikulën dhe orarin siç më nevojitet.

7. Krijimi i një Bërthame Familjare

Fëmijët tanë do të ishin të ndarë gjithë ditën në qoftë se do i dërgonim në shkollë. Disa vëllezër/motra ecin mirë bashkë, por shumë vëllezër/motra rriten si të huaj që tolerojnë njëri-tjetrin. Kalohet kaq shumë kohë në shkollë, në aktivitete, duke udhëtuar për në shkollë dhe në aktivitete, dhe duke bërë detyra shtëpie saqë familjet kanë vetëm një kohë shumë të vogël në ditë për të shijuar vërtetë shoqërinë e njëri-tjetrit. Bashkëshorti im dhe unë dëshirojmë të kemi një familje të ngushtë që dëshiron të kalojë kohë së bashku rregullisht. Është e mundur ta arrish këtë pa shkollim në shtëpi, por pse të rëndojmë mundësitë kundër nesh me sfida shtesë?

  1. Perëndia Thotë Kështu

OK. Perëndia nuk thotë, “Ti do të bësh shkollim në shtëpi.” Por Ai flet për rëndësinë e diturisë dhe na thotë të fokusohemi në Fjalën e Tij. Eshtë shumë e vështirë të mbash Krishtin në qëndër të edukimit tënd kur shkolla jote e ndalon Atë dhe madje mëson gjëra si fakte që bien ndesh me Fjalën e Perëndisë. Ose thjesht lë Perëndinë jashtë veprës së Tij… (Krijimi?) Sidoqoftë, ja disa vargje që më bindën mua për shkollimin në shtëpi.

Fjalët e Urta 22:6: “Mësoji fëmijës rrugën që ai duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.”

Psalmi 1:1-2: “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjine tij.”

Fjalët e Urta 1: 2-8: “Për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mencura; për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut. I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta, për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errta. Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përcmojnë diturinë dhe arsimin. Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës tënde.”

Fjalët e Urta 9:10: “Frika e Zotit është fillimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.”

Fjalët e Urta 3: 5-6: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”

Ligji i Përtërirë 6:5-7: “To do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde, Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur cohesh.”

Pse Jo në Shkollë të Krishterë

Në rregull, por ç’të themi për shkollën e krishterë? Unë ju këshilloj që nëse është e mundur ta shmangni atë. Qartazi, shteti nuk duhet të përfshihet në funksionimin e shkollës, por ajo ka akoma një ndikim nga shkollat publike. Shkollat e krishtera shpesh bëjnë reklamë se mësuesit e tyre janë të çertifikuar njësoj si mësuesit e shkollave publike. Kjo bëhet me qëllimin që të ftojë prindërit që nuk duan që fëmijët e tyre të “marrin” standardet që vendos shteti. Mendoj se kjo ka të bëjë me universitetin, por nuk mund të flas në emër të prindërve që i shohin mësuesit e çertifikuar nga shteti si një dobi në shkollën e krishterë.

Ja çfarë mund të them: Nëse dëshiron që fëmijët e tu të kenë një shkollim të krishterë dhe jeni të gatshëm të paguani goxha lekë për t’i mbajtur larg shkollës publike, atëherë pse t’i dërgoni në një shkollë që punëson mësues me të njëjtën trajnim dhe edukim si mësuesit e shkollave publike? Futja e emrit “Jezus” herë pas here dhe të kesh ndonjë kohë kishe nuk e bën atë edukim të krishterë nëse mësuesit vijnë nga i njëjti botëkuptim si mësuesit e shkollave publike.

Një shënim pasues për shkollat e krishtera: Nganjëherë këto shkolla janë thjesht shkolla të fundit për fëmijët që nga ana e sjelljes nuk e kaluan dot shkollën publike. Për më tepër, nxënësit nga familje të krishtera mund të jenë gjithashtu ndikime të këqija. Një shtëpi e krishterë nuk do të thotë patjetër fëmijë të krishterë, dhe një familje që e quan veten “e krishterë” nuk do të thotë gjithmonë vërtet e rilindur. Në disa mënyra, shkollat e krishtera mund të jenë më të rrezikshme sepse ka një ndjenjë të rremë sigurie nga ana e prindërve. Pra, e vetmja mënyrë për t’u siguruar që fëmijët e tu të marrin edukimin që ti dëshiron është të jeni vetë ju në krye të atij edukimi. Rekomandoj fort që të shikoni disa video nga Voddie Baucham në YouTube rreth shkollimit në shtëpi. Ai paraqet disa statistika interesante dhe tronditëse për prindërit e krishterë.

Mendimi i Fundit

E di që shkollimi në shtëpi duket një ide radikale për shumë veta. Ka shumë presupozime të forta në formën e supozimeve, keqkuptimeve, stereotipeve dhe disa historive fatkeqësisht të vërteta. Kërkon të jesh kundërkulturor në një mënyrë shumë reale. Sigurisht që ti mund të votosh për kandidatin konservator në mënyrë anonime në zgjedhjet lokale, por kjo është një lloj jetese ballëpërballë e Mbretërisë që do të sjellë kritika dhe do të kërkojë shpjegime. E kuptoj pse një jobesimtar nuk do të ndihej i prirur për shkollimin në shtëpi sepse feja e humanizmit sekular që mësohet në shkolla është e përshtatshme për atë person. Por ti o i krishterë, pse po i dërgon fëmijët e tu në një zonë që është betejë shpirtërore? Pse do të lejosh që një shkollë të mbajë fëmijën tënd për shumicën e ditës për shumicën e vitit? A do të rikonsiderosh se cili duhet të jetë roli yt në shkollimin e fëmijës tënde sipas Perëndisë? Unë lutem që do ta rikonsiderosh.

Perkthyer nga: https://thesetapartwalk.com/why-do-i-homeschool/

Predikime nga Voddie Baucham Për Shkollimin në Shtëpi:

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *