Kuptimi i vërtetë biblik i Gjonit 3:16 që ndoshta nuk ta ka thënë askush

Sa herë që diskutohet për shpëtimin apo zgjedhjen e Perendisë njerëzit shkojnë menjëherë të gjejnë strehë të Gjoni 3:16 dhe thonë: “Shiko këtu! Këtu thuhet ‘botën’, pra, vargu po flet për cdo njeri që ka jetuar në tokë dhe Perëndia i do të gjithë. Gjithashtu, në të njëjtin varg thuhet: ‘kushdo’ që beson do të shpëtohet! Pra, cdo kush që do mund ta pranojë Jezusin dhe të shpëtohet!”

Pergjigjja për këtë cështje ka në përbërje këto pjesë:

Konteksti i vargut
Shpjegimi i fjalës “botë”
Shpjegimi i fjalës “kushdo”
Shtojcë: Mësimi i vërtetë biblik

Konteksti i vargut

Gjonin 3:16 thotë:

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme.”

Gjëja e parë që duhet të jetë e dukshme është që ky varg fillon me fjalën “Sepse.” Kjo do të thotë se është konkluzioni i një argumenti. Eshtë një deklaratë përmbledhëse. Kështu që, ne kemi nevojë ta shohim këtë varg në kontekstin më të madh.

Dhe ashtu si Moisiu e ngriti gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që të gjithë që besojnë në të, të mos humbasin, por të kenë jetën e përjetshme. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtohet me anë të tij. Ai që beson në të, nuk gjykohet, por ai që nuk beson, tashmë është gjykuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.” (Gjoni 3:14-18)

Jezusi, duke folur me Nikodemin shkoi prapa në historinë e Izraelit dhe e rikujtoi për një ngjarje të vecantë. Pas fitores së tyre të madhe në Hormah, fëmijët e Izraelit pasi u drejtuan nga Deti i Kuq, duke i ardhur përqark vendit të Edomit, filluan të murmurisnin dhe të ankoheshin për mungesën e ujit. Ata kishin filluar ta urrenin manën e përditshme dhe ankoheshin për mungesën e ushqimeve të tjera, madje duke pasur dëshirë edhe për kohën e tyre në Egjipt. Kështu Perëndia dërgoi gjarpërinj helmues në kamp dhe shumë njerëz vdiqën.

Izraeli kuptoi mëkatin e tij dhe ata i kërkuan Moisiut të ndërmjetësonte për ta. Moisiu u lut për popullin dhe Perëndia e udhëzoi të krijonte një gjarpër prej bronzi dhe ta ngrinte mbi një shtyllë mbi njerëzit. Perëndia premtoi që të gjithë ata që ishin pickuar dhe shikonin te gjarpëri prej bronzi do të jetonin. (Numrat 21)

“Dhe ashtu si Moisiu e ngriti gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që të gjithë që besojnë në të, të mos humbasin, por të kenë jetën e përjetshme.” (Gjoni 3:14-15)

Jezusi bën një paralelizim midis vetes së Tij dhe gjarpërit prej bronzi. Ashtu sic Moisiu ngriti gjarpërin në shkretëtirë, po në të njëjtën mënyrë edhe Jezusi do të ngrihej lart. Dhe, ashtu si ata që panë te gjarpëri – duke ditur udhëzimin dhe duke besuar premtimin e Perëndisë – u shëruan nga plaga e tyre vdekjeprurëse dhe jetuan, po kështu të gjithë ata që besojnë në veprën shlyese të Krishtit do të marrin shërimin e plagës së tyre mëkatare dhe jetën e përjetshme. Gjarpëri mbi shtyllë tipifikonte Jezusin në kryq.

Jezusi u ngrit lart në kryq dhe të gjithë ata që kanë besim në veprën e tij shlyese kanë jetën e përjetshme. Ky është një grup i vecantë i dallueshëm. Ata që nuk panë te gjarpëri në shkretëtirë nuk u shëruan. Po njësoj, ata që nuk pushojnë në shlyerjen e përfunduar të Krishtit për shpëtimin e tyre nuk do të marrin jetën e përjetshme.
 

Shpjegimi i fjalës “botë”
   
Tani, kalojmë te Gjoni 3:16

“Sepse Perëndia e deshi aq botën”

E kuptuara e zakonshme e vargut, pa e studiuar atë, është që shprehja “të gjithë botën” – nënkupton “cdo njeri që ka jetuar në tokë.” Por kjo nuk është ajo që Gjoni po thoshte këtu. Më lejoni ta shpjegoj. Fjala “botë” e përdorur këtu është fjala greke “kosmos.” Kjo fjalë në shumicën e rasteve të përdorur në Bibël nuk ka kuptimin “cdo njeri në botë”. Ajo ka kuptime të ndryshme. 

Ja disa shembuj të përdorimit të kësaj fjale nga vetë Shkrimi dhe kuptimeve të ndryshme që ajo ka.

  1. “Ai (Fjala) ishte në botë dhe bota u bë me anë të tij; dhe bota nuk e njohu.” (Gjoni 1:10)

Jezusi ishte në botë – një referencë për planetin dhe banorët e tij. Dhe, ai e bëri botën – struktura fizike e krijuar dhe e mbajtur prej Tij. Dhe, bota nuk e njohu – njerëzit nuk e njohën Atë.Në këtë varg të shkurtër ne marrim tre nuanca të ndryshme të së njëjtës fjalë “kosmos.”

  1. “Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: «Ja, Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29)

Gjoni po thoshte një nga dy gjëra, këtu në këtë varg. Ose ai po thoshte:

1) Vështroni qengjin e sakrificës që do të heqë cdo mëkat të cdo personi që ka jetuar. Ose,
2) Vështroni qengjin e sakrificës që do të heqë jo vetëm mëkatin e Izraelitëve por të njerëzve nga cdo fis, gjuhë dhe komb.

Nëse deklarata e parë është e vërtetë, atëhere cdo mëkat të cdo personi që ka jetuar ndonjëherë u pagua në Kalvar dhe Perëndia nuk mund të gjykojë asnjë njeri mbi bazën e veprimeve, mendimeve, veprave të tyre, rebelimit ose edhe mosbesimit, duke qënë se të gjitha këto mëkate janë të gjitha të paguara. Nëse kuptimi është që Krishti pagoi cdo mëkat të cdo njeriu që ka lindur, atëhere asnjë njeri nuk duhet të shkojë në ferr dhe Perëndia nuk duhet të dënojë asnjë njeri sepse cdo gjë u pagua në kryq.

Nëse deklarata e dytë është e vërtetë, atëhere fjala “kosmos” mund të përdoret në një kuptim më të ngushtë që përfshin njerëz nga të gjitha kombet, por jo cdo person të të gjitha kombeve. 

3.“Sepse askush nuk bën gjë në fshehtësi kur kërkon të njihet botërisht; po të bësh të tilla, shfaqju botës!».” (Gjoni 7:4)

Në këtë varg, vëllezërit e Jezusit po e inkurajonin atë të ngjitej në festën e Jeruzalemit, të bënte disa mrekulli dhe të përhapte famën e tij. Por sic edhe duket, e gjithë bota nuk ishte në Jeruzalem. Jo cdo njeri në botë ishte në Jeruzalem. 

4.“Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: «A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij».” (Gjoni 12:19)

Po njësoj, farisenjtë nuk po thonin që njerëz nga kontinente të largëta dhe cdo njeri në botë po e ndiqte Jezusin në atë moment. Por, një turmë e madhe në Jeruzalem e ndiqte. Pra, përsëri ne shohim një shembull të qëllimit të ngushtë të fjalës “kosmos.” Nuk ka fare kuptim nëse fjalës ‘botë’ këtu do ti vendosim kuptimin ‘cdo njeri në tokë’.

5.Bota nuk mund t’ju urrejë juve, por mua më urren sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.” (Gjoni 7:7)

Këtu, Jezusi foli për “kosmos”-in që e urren Atë. Por, jo cdokush që ka jetuar në këtë tokë e ka urryer Atë. Jezusi këtu po fliste për shumicën e popullsisë që qëndroi kundër tij. Ai nuk donte të thoshte që “cdo njeri që ka lindur ndonjëherë” iu kundërvu Atij.

6.“Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.” (Gjoni 13:1)

Në këtë varg, Gjoni bëri një dallim midis “kosmos”-it dhe atyre që Jezusi do. Me fjalë të tjera, ata që i përkisnin atij ishin në botë dhe Ai i deshi deri në fund. Por, Ai i vuri në kontrast me “botën.” Ky është një dallim thelbësor. Kaq thelbësor, në fakt, saqë Jezusi shkoi të lutej vetëm për ata që Ati i kishte dhënë, por jo për botën.

  1. “Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m’i ke dhënë; dhe ata e kanë ruajtur fjalën tënde. Tani ata kanë njohur se gjithçka që ti më ke dhënë vjen prej teje, sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe besuan se ti më dërgove.” (Gjoni 17:6-9)

Nëse fjala “kosmos” nënkupton “cdo njeri që ka jetuar,” dhe Perëndia “kaq shumë i deshi” pse Jezusi do të bënte këtë ndarje midis botës dhe “njerëzve që m’i ke dhënë nga bota”? Jezusi u lut specifikisht për ata njerëz që Perëndia i dha Atij (“ishin të tutë ”) dhe Ai specifikisht nuk u lut për “botën.”

Përsëri, fjala “kosmos” jo gjithmonë nënkupton “cdo njeri që ka jetuar.” Shpesh ka kuptimin “njerëz nga cdo kombësi në dallim nga ekskluziviteti i izraelitëve.”

Fakti i cështjes është: Nëse Perëndia deshi cdo njeri që ka jetuar saqë dha Birin e Tij të vetëmlindur për të vdekur për këdo që ka jetuar, atëhere Jezusi ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Atin e tij kur – pak përpara se të kryqëzohej – nuk u lut për këdo që ka jetuar.

Por, realiteti është …

As Jezusi dhe as Gjoni nuk mësuan kurrë që Perëndia deshi dhe pagoi ndëshkimin e mëkatit për këdo që ka jetuar.

Më lejo të jap dy vargjet e fundit që do të provojnë që Jezusi bëri një dallim midis atyre që ishin të tijët dhe “kosmos”-it.

8.“Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.” (Gjoni 14:16-17)

Vetëm ata që marrin Frymën e Shenjtë (vetë subjekti i diskutimit të Jezusit me Nikodemin te Gjoni 3) do të marrin jetën e përjetshme.

Përsëri, Jezusi tha që bota “nuk mund ta marrë” Frymën e së Vërtetës. Në fakt, bota as nuk e sheh dhe as nuk e njeh atë. Në anën tjetër, apostujt e njihnin atë sepse Ai do të ishte me ta dhe në ta.

Pra, nëse Perëndia deshi cdo njeri që ka jetuar saqë dha Birin e tij për mëkatet e tyre, atëhere pse po këta njerëz – bota – nuk mund ta marrin Frymën e Shenjtë që është e domosdoshme për shpëtim?

9.“Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju zgjodha nga bota, prandaj bota ju urren.” (Gjoni 15:19)

Tani përpiqu ta lexosh vargun më lart që sapo lexove dhe fjalën “botë” zëvendësoje me “cdo njeri që ka jetuar”. Papritur, vargu nuk ka fare kuptim. Unë po e bëj këtë për ty:

“Nëse ti do ishte pjesë e cdo njeriu që ka jetuar, atëhere cdo njeri që ka jetuar do ti donte të vetët; por sepse ti nuk je pjesë e cdo njeriu që ka jetuar, por unë të kam zgjedhur nga cdo njeri që ka jetuar, prandaj cdo njeri që ka jetuar të urren.”

Gjithashtu edhe jashtë ungjillit të Gjonit shohim po të njëjtën gjë.

10. “Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të hidhet poshtë, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemisa të mos vlerësohet më aspak dhe që t’i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon”. (Veprat 19:27)

 Çdo njeri që ka jetuar në tokë e nderonte perëndeshën Artemisë?

  1. “Së pari, e falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.” Romakët 1:8

Cdo njeri që ka jetuar në botë ka folur për besimin e romakëve?

  1. “Ne e dimë që jemi prej Perëndisë dhe se e gjithë bota ndodhet nën kontrollin e të ligut.” (1 Gjoni 5:19)

Tani, përpiqu që fjalës ‘botë’ ti futësh kuptimin ‘cdo njeri qe ka jetuar’. A mund ta bëjmë dot këtë? Cdo njeri është nën kontrollin e të ligut? Edhe të krishterët?

  1. “E gjithë bota u mrekullua pas bishës…” (Zbulesa 13:3)

A mund ti fusim fjalës botë këtu kuptimin e cdo njeri ne tokë? Nëse do ta bënim këtë atëhere kjo do të thoshte që edhe të krishterët u mrekulluan pas bishës.

Shpesh kur Gjoni përdor fjalën “botë” në ungjillin e tij apo në letrat e tij ai dëshiron të tregojë që shpëtimi nuk ishte vetëm për izraelitët por edhe per kombet e tjera johebraike.

Pra, Kur Jezusi i thotë këto fjalë atij te Gjoni 3:16 po ia bën të qartë se shpëtimi për të cilin ai po vdiste në kryq ishte edhe për johebrenjtë nga mbarë bota.

Brenda vargut ka një limitim, një kufizim, të gjithë ata që besojnë do të marrin jetën e përjetshme. Nëse vargu po thoshte që Perëndia do dhe ka vdekur për cdo njeri që ka jetuar në këtë tokë atëhere pse Ai duhej ta vendoste këtë limitim, këtë kufizim?

Vetëm 20 vargje pas Gjonit 3:16 është një varg i anashkaluar dhe i papëlqyeshëm. Gjoni 3:36, i cili thotë:

“Ai që beson në Birin ka jetë të përjetshme, por ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të».”

Ai që beson te Krishti ka jetë të përjetshme dhe nuk është nën zemërimin e Perëndisë, ndërsa ai që nuk i bindet Birit… cfarë qëndron mbi të?

Kur ne mendojmë për zemërim, për zemërimin e Perëndisë, mendojmë se është një zemërim mëkatar, si ai i njeriut. Por jo, Kur Bibla flet për të, flet për reagimin e drejtë dhe të shenjtë të një Perëndie të drejtë dhe të shenjtë kundër mëkatit dhe mëkatarit që bën mëkatin. Ka edhe shumë vargje të tjera në Bibël që flasin për të si Psalmi 5:5, Psalmi 7:11, etj, por është një mësim i papëlqyeshëm dhe shumë persona në vend që me nderim dhe me përulje ta pranojnë, mbështeten te ndjenjat dhe emocionet e tyre dhe e refuzojnë atë. A je edhe ti një ndër ta?

 

Shpjegimi i “Kushdo që beson”

Fjala “kushdo” shfaqet dy herë në këtë pasazh. Në të dyja rastet, është përdorur në lidhje me besimin – “kushdo që beson.” Interpretimi dhe e kuptuara e zakonshme e kësaj fraze në shqip është që “cdo njeri që dëshiron mund të ushtrojë vullnetin e tij dhe lirinë e zgjedhjes për të besuar te Krishti ose jo”. Me fjalë të tjera, “cdokush që dëshiron mund të ushtrojë të drejtën e tij ose të saj dhe zotësinë për të patur (ose mos patur) besim. Pasojat e besimit të tyre (ose mungesës së tij) janë rezultati i zgjedhjes së tij të lirë.”

Por, ka një problem. Dhe, është një problem i madh. Dhiata e Re nuk u shkruajt në shqip. Ajo u shkrua në greqisht. Dhe, në greqisht nuk ka fjalë greke për fjalën në shqip “kushdo.”

Kjo është e rëndësishme. Kaq shumë saqë është e nevojshme të përsëritet.

Në greqisht nuk ka fjalë për fjalën shqip “kushdo.”

Apostulli Gjon nuk shkruajti, “Kushdo që beson.” Kjo lidhje e fjalëve nuk ishte kurrë pjesë e letrës origjinale të tij. Ajo që ai shkoi ishte, “pas ho pisteuoon.”

Fjala greke “pas ho” përkthehet “të gjithë.” Ndërsa, “Pisteuoon” është një formë e fjalës “pisteuo,” forma foljore e “pistis,” që në shqip përkthehet “besim.”. Pra, në gjuhën origjinale greke fraza është:”Të gjithë ata që besojnë”

Në përkthimin e Biblës, në versionin e Mbretit Xhejms, për të përkthyer frazën dy-fjalëshe greke “pas ho”, përkthyesit zgjodhën fjalën “kushdo”. Në anglishten e atëhershme, “kushdo” nuk kishte konotacionin e rastësisë ose zgjedhjes së lirë që ka marrë në anglishten dhe shqipen bashkëkohore. Fillimisht fjala “kushdo” përcaktonte një grup të vecantë – si në rastin “kushdo që zotëron këto cilësi të caktuara.” Në këtë rast, grupi përfshinte vetëm ata që besonin, në dallim nga ata që nuk besuan.

Por, “pas ho” nuk do të thotë “cdo njeri që zgjedh të ushtrojë zgjedhjen e tij.” Kjo frazë do të thotë “të gjithë ata” dhe shërben për të përcaktuar një grup të vecantë njerëzish të cilët ndajnë një karakteristikë përcaktuese – “besimin” ose “të besuarin.”

Kështu që, kur ne lexojmë, “kushdo që beson,” ne duhet të kuptojmë që ajo që Gjoni shkroi ishte “të gjithë ata që besojnë.” Me fjalë të tjera, përfitimet e dashurisë së Perëndisë nuk janë të disponueshmë pa dallim për këdo që zgjedh ti zotërojë ato. Vetëm grupit të vecantë – “të gjithë ata që besojnë.” – u jepet jeta e përjetshme.

Vargu nuk po flet fare për fuqinë dhe aftësinë njerëzore, por thjesht po tregon një premtim të Perëndisë. Te gjithe ata që besojnë te Krishti nuk do të marrin A (humbje) por do të marrin B (jetën e përjetshme). Ky është një premtim i madh prej Perëndisë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit që dikush të ketë besuar me të vërtetë tek Ai dhe Zoti të mos i ketë dhënë jetën e përjetshme. Sic edhe vargu e thotë në greqisht, të gjithë ata që besojnë nuk do të humbasin, por do të kenë jetën e përjetshme.

 

Shtojcë: Mësimi i vërtetë biblik

Shkrimet mësojnë dicka krejt tjetër  nga ajo që besohet masivisht sot. Ajo që ne lexojmë është që Perëndia ka një dashuri të vecantë, shpëtuese dhe zgjedhëse për ata që Ai ka paracaktuar për shpëtim në Krishtin Jezus. 

Mateu 25:34 – “Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: “Ejani, të bekuar të Atit tim; trashëgoni mbretërinë që u bë gati për ju që nga themelimi i botës.”

Gjoni 17:24 – Jezusi: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë,”

Romakët 11:5, 6 – “Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. Dhe, nëse është prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir…”

Efesianët 1:4-6 – “Sikurse na zgjodhi në të përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar për birësim për veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi në të dashurin, Birin e tij,

 2Thesalonikasit 2:13, 14 – “…Perëndia ju zgjodhi që në fillim për shpëtim, në shenjtërimin e Frymës dhe të besimit në të vërtetën; tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tone, Jezu Krisht.”

1Pjetri 2:9 – “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore,  komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia, që të shpallni lavdinë e atij, që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;”

Vdekja e Zotit Jezus ishte nje vdekje zëvendësuese që siguron shpëtimin e atyre për të cilët ishte synuar. 

Mateu 1:21 – “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”

Mateu 20:28 – “Ashtu si Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbehet, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shumë veta.

Gjoni 10:11 – “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.”

 Gjoni 10:25-29 – “Jezusi u përgjigj atyre: “Jua kam thënë, por nuk besoni; veprat që bëj unë në emër të Atit tim, ato dëshmojnë për mua. Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.  Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.”

Veprat 20:28 – “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikqyrës që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e vet.”

 Efesianët 5:25 – “Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe e dha veten e tij për të”

 Romakët 8:32-34 – “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i drejtëson. Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai edhe u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.”

Hebrenjtë 9:15 – “Për prandaj ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpengimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së përjetshme.”

Tërheqja prej Frymës së Shenjtë u jepet atyre që janë të thirrur në besim. Në kohën e kësaj tërheqje, shpirti ripërtërihet (Rigjenerimi), besimi jepet dhe personi thirret që këtë besim ta ketë vetëm në Krishtin. 

Psalmi 110:3 – “Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.”

Mateu 11:25-27 – “Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: “Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu qe e pranueshme para teje. Çdo gjë më dha në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë.

Mateu 13:10, 11, 16 – “Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?”. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Sepse juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë… Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.

Mateu 16:15-17 – “Ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam unë?”. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”. Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjakupor Ati im që është në qiej.

 Marku 4:10-12 – “Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. Dhe ai u tha atyre: “Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: “Duke parë, të shohin, por të mos vënë re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos marrin vesh, se mos kthehen dhe mëkatet u falen”.

 Gjoni 6:37, 44, 45, 64, 65 – “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë… Askush nuk mund të vijë tek unëpo qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Në profetët është shkruar: “Dhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia”. Kushdo, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë… Por janë disa midis jush që nuk besojnë”; sepse Jezusi e dinte që nga fillimi cilët ishin ata që nuk besonin, dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte; dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im”.

Veprat 11:18 – “Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: “Perëndia, pra, edhe kombeve u dha pendesën për t’u dhënë jetën!”

Veprat 13:48 – “Edhe kombet, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të caktuar për jetën e përjetshme besuan.”

Veprat 16:14 – “Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.”

Veprat 18:27 – “Dhe, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Si arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata, që kishin besuar me anë të hirit.

 Romakët 8:29, 30 – “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri, ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi.

 Efesianët 2:5,8,9 – “ndonëse ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve, na dha jetë bashkë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit)… Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit, dhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë… jo prej veprave, që askush të mos mburret.”

Filipanët 1:29 – “Sepse juve ju është dhënë hiri për Krishtin, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të,”

 2Timoteu 2:25, 26 – “duke i mësuar me zemërbutësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, jashtë nga laku i djallit, që i ka zënë robër për vullnetin e tij.”

A është kjo dicka e re? A është kjo vetëm një ide që besohet vetëm nga pak individë të cuditshëm? Përgjigjja është jo! Përkundrazi, ky mësim ka qënë teologjia e kishës nëpër epoka, duke filluar me Apostujt sic edhe vargjet më lart nga Shkrimi e tregojnë. Gjithësesi, sot, kjo shumë rrallë dëgjohet nga podiumet ose mësohet në shkollat biblike. Eshtë bërë një gjë jo popullore sepse e merr shpëtimin nga duart e njeriut dhe e vendos  në vendin ku i përket; në duart e Perëndisë. Shpëtimi i përket Zotit! (Jona 2:10).

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *