5 Mësimet Biblike të Papëlqyera dhe të Kundështuara

Ka disa mësime të caktuara të Biblës në lidhje me shpëtimin e njeriut, që janë injoruar dhe harruar nga kisha e sotme moderne, madje ato shpesh refuzohen dhe kundërshtohen. Këto 5 mësime biblike na tregojnë që shpëtimi ynë vjen vetëm nga Perëndia, vetëm nëpërmjet hirit, vetëm përmes Krishtit dhe vetëm për lavdinë e Perëndisë.

Këto mësime të papëlqyera në Ungjillorizmin modern janë të vështira për tu pranuar, por a duhet të krishterët të mbështeten tek vetja dhe ndjenjat e tyre në lidhje me to apo duhet të hulumtojnë Shkrimin që është i pagabueshëm? Nëse Shkrimi i mëson, a nuk duhet t’i pranojmë dhe t’i besojmë, edhe nëse ato nuk na pëlqejnë? Dhe nëse ato janë në Bibël, a nuk do të thotë kjo që Perëndia do që ne t’i mësojmë, t’i studiojmë dhe t’i besojmë? Dikush, mund të thotë: “Por edhe nëse janë në Bibël, nuk kemi pse te fokusohemi ose të flasim për to.” E vërteta është se këto mësime Biblike kanë rëndësi jetësore. Eshtë shumë e rëndësishme se cfarë beson në lidhje me shpëtimin e njeriut dhe me shpëtimin tënd, sepse kjo ka ndikim në cdo aspket tjetër të jetës dhe të kishës tënde. Ashtu si beson, ashtu edhe do të veprosh edhe në praktikë.

Këto 5 mësime quhen Pesë Pikat e Kalvinizmit ose ndryshe Doktrinat e Hirit dhe ishin 5 të vërteta biblike, 5 përgjigje e Reformatorëve nga Kisha të ndryshme protestante të Europës në Sinodin e Dortit, në Hollandë, ndaj 5 gabimeve dhe mësimeve jo biblike të Arminianizmit të prezantuar nga ndjekësit e Arminit, Remonstratët. Këto 5 përgjigje nuk ishin dicka e re, por ishin pesë të vërteta nga Bibla ndaj këtyre 5 gabimeve. Fatkeqësisht, realiteti sot është që shumica dërrmuese e kishave ungjillore moderne sot kanë përqafuar këto 5 gabime të Arminianizmit dhe shumë të krishterë nuk janë të vetë-dijshëm që po besojnë këto mësime jobiblike. Ka mundësi që edhe ti që po e lexon këtë, nuk i ke dëgjuar ndonjëherë këto terma më parë dhe ndoshta nuk e di që po beson mësimet e Arminianizmit dhe jo mësimet e Biblës por duke i lexuar ato më poshtë jam i sigurt që i ke dëgjuar. Pesë mësimet jobiblike të Arminit që shumica e kishave sot besojnë janë këto:

1. Megjithëse Rënia e Adamit e ka prekur njeriun, njeriu nuk është aq i keq dhe ai ka vullnet të lirë për të ardhur te Perëndia.

– Pra, ajo që besohet dhe mësohet këtu është që njeriu ka fuqinë dhe aftësine në veten e tij të vijë te Perëndia kur të dojë. Sipas këtij mësimi, arsyeja që ata vijnë te Perëndia është sepse, ndryshe nga të gjithë të tjerët, ata përdorën aftësinë, fuqinë dhe vullnetin e tyre të lirë për bërë zgjedhjen e duhur. Kjo do të thotë që ardhja e tyre te Zoti ishte rezultat i dickaje që ata bënë nga vetja e tyre.

2. Zgjedhja e Perëndisë është e bazuar te njeriu.

– Pra, ajo që besohet sot është se Perendia thjesht shikon në të ardhmen kush janë ata që do ta zgjedhin Atë dhe prandaj Ai i zgjedh ata. Ky mësim tregon që është njeriu ai që e zgjedh Perëndinë i pari dhe këtu iniciativa dhe merita është e vetë njeriut. Perëndia thjesht reagon nga ajo që njeriu bën në të ardhmen.

3. Krishti vdiq për të gjithë njerëzit në botë.

– Pra, ajo që ky mësim po mëson është se Krishti derdhi gjakun e tij për të gjithë njerëzit (perfshirë myslimanët, ateistet, etj), pagoi 100 % për cdo mëkat te tyre (duke përfshirë edhe mëkatin e mosbesimit) dhe prapeseprapë ata shkojnë në ferr dhe ndëshkohen përsëri për të njëjtat mëkate që Krishti pagoi dhe u ndëshkua. Ai vdiq për ta, pagoi plotësisht për ta dhe prapësëprapë nuk i shpëtoi dot, përkundrazi, Ai i dërgon në ferr dhe i dënon për të njëjtat mëkate.

4. Njeriu mund t’i rezistojë dorës dhe fuqisë së Perëndisë sa herë të dojë.

– Ky mësim po mëson që njeriu është më i fuqishëm dhe sovran sesa Perëndia. Njeriu i plotëfuqishëm dhe Perëndia i pafuqishëm të bëjë ndonjë gjë.

5. Për shkak se shpëtimi varet nga njeriu (sic e treguan pikat më para) dhe është në dorën e tij, nëse njeriu do, mund të largohet në cdo kohë dhe rrjedhimisht ta humbasë edhe shpëtimin.


Sic mund të vihet re, në këtë sistem sovran është njeriu, jo Perëndia. Eshtë njeriu që e merr iniciativen, jo Perëndia. Eshtë njeriu që zgjedh i pari, jo Perëndia. Eshtë njeriu që është i plotëfuqishëm, jo Perëndia. Eshtë njeriu që vjen i pari te Perëndia nëpërmjet fuqisë së tij, jo Perëndia. Dhe rrjedhimisht, është njeriu që merr lavdinë, jo Perëndia. Ky nuk është shpëtim vetëm prej hirit.  Gjithcka këtu fillon me njeriun, është e fokusuar rreth njeriut dhe për njeriun. Por lavdi Zotit që në të vërtetë nuk është kështu dhe është tërësisht vetëm prej Zotit dhe hirit të tij që jemi shpëtuar pavarësisht që në lidhje me këtë gjë besohet gabim.

Ki parasysh gjithmonë që mësimi që vejn prej njeriut mund të dallohet shumë qartë sepse përpiqet të ngrejë njeriun lart, në piedestal, ia jep njeriut lavdinë dhe ul Perëndinë.

 

Por si shihet në veprim, në praktikë ky besim, kjo teologji?

Sigurisht që ka të krishterë që i besojnë këto mësime dhe që e duan Zotin dhe duan të jenë besnikë ndaj tij. Por këto janë raste të pakta. Përgjithësisht, për shkak se fokusi është te njeriu, edhe praktika do të ketë nëqëndër njeriun. A nuk shohim shpesh sot predikime që në qëndër kanë njeriun ku gjithcka është e qëndërzuar te njeriu dhe nevojat e tij dhe jo tek Perëndia, atributet e Tij dhe te Krishti. A nuk shohim rëndom sot që të mos flitet për mekatin ose flitet shumë pak që njerëzit të mos ofendohen?! A nuk shohim rëndom sot që mësimi i shëndoshë është zëvendësuar me predikime gazmore, me anektoda dhe histori për të qeshur për ti bërë njerëzit të ndihen mirë?!

A nuk po shohim që Ungjilli është i zbutur që njeriu të mos ofendohet dhe kishat përdorin lloj-lloj mënyrash mishërore dhe argëtim për të tërhequr njerëzit dhe për t’i bërë që të bëjne një lutje, që me pas, ti shpallin direkt të shpëtuar. Pse? Sepse sipas tyre, është në dorën e njeriut të shpëtohet, njeriu ka vullnet të lirë dhe varet nga ai dhe fuqia e vullnetit të tij dhe cka ka ndodhur është që Rilindja prej Perëndisë është zëvendësuar me thjesht një vendim. Mjafton që të bësh vetëm një lutje. Ungjillëzimi gjithashtu është i fokusuar te njeriu. Në ungjillëzim, duke dashur që të mos ofendohet ndonjë njeri, thuhet “Zoti të do” dhe flitet pak ose aspak për mëkatin. Nuk fillon me Perëndinë dhe atributet e Tij. Nuk ka ekspozim të Ligjit të Zotit që njeriu të shikoje se sa shume e ka thyer ligjin e Tij, sa shume e ka ofenduar të Pafundmin, që ai të vajtojë dhe të qajë për mëkatin e tij dhe të shohë nevojën për një Shpëtimtar. Nuk flitet për Zemërimin e Perëndisë sepse është ofenduese dhe flitet pak ose aspak për pendesën.

Adhurimi gjithashtu është kthyer më shumë në koncert me muzikë të fortë për të kënaqur njeriun sesa një adhurim për Perëndinë. Kishat janë të mbushura me aktivitete argëtuese dhe të kënaqshme për njerëzit, por janë pa fuqi. Në fakt, realiteti është që kishat jane kthyer në fabrikat më të mëdhaja të prodhimit të të krishterëve të rremë, të parilindur, sepse besohet që ardhja në familjen e Perëndisë varet nga njeriu dhe vullneti i tij i lirë dhe mjafton vetëm ta cosh atë në një gjendje ku të jetë i kënaqur, i argëtuar dhe më pas ta bindësh që të bëjë një lutje dhe ta shpallësh të krishterë.

Këto nuk janë mënyra e Perëndisë, nuk është vepra e Perëndisë, nuk është krahu i Perëndisë.

Gjithcka sot është kthyer për njeriun dhe gjithcka është e fokusuar te njeriu dhe te fuqia e tij për t’u shpëtuar. Largimi nga Bibla dhe përqafimi i Arminianizmit unë besoj që është arsyeja kryesore që kisha është në gjendjen ku është dhe ne kemi dëshpërimisht nevojë të rikthemi të Bibla, tek mënyrat dhe tek shtigjet e vjetra.


—————————————————————————————————-

Pesë Mësimet Biblike të Papëlqyera dhe të Kundërshtuara në Kishën Moderne janë këto:

1. Mëkatshmëria dhe Shthurja e Plotë e Njeriut

Mesimi biblik i mëkatshmërisë së plotë (ose paaftësisë së plotë) thotë që të gjithë njerëzit, si pasojë e Rënies, lindin të korruptuar moralisht, te vdekur ne mekat, mekati ka prekur cdo aspekt, mendjen, zemren, dhe veprat, vullneti i tyre nuk është i lirë por skllav i mëkatit, në armiqësi me Perëndinë, urrejtes te Perëndisë, të verbër dhe me zemër të ngurtësuar, të paaftë për ta kënaqur Atë ose edhe që të kthehen te Krishti për shpëtim. Ai nuk e do Perendinë dhe nuk e kërkon Atë. Ai kërkon të mirat, bekimet e Zotit, dhe një “zot” të krijuar sipas tij, por jo Zotin e Biblës.

Disa prej vargjeve që e dëshmojnë këtë:

“Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synime e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë… qysh në fëmijërinë e tij”  Zanafilla 6:5 dhe 8:21

“ishit TE VDEKUR ne shkelje dhe ne mekate” Efesianeve 2:1

“Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, NUK KA ASNJE QE TE KERKOJE PERENDINE. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.”  –  Romaket 3:10-12

“Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është ARMIQESI KUNDER Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.”  – Romaket 8:7

“Ç’është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë? Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij; aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!”  – Jobi 15:14-16

“Zemra e bijve të njerëzve është plot ligësi dhe marrëzia qëndron në zemrën e tyre përderisa jetojnë; pastaj shkojnë te të vdekurit.” – Predikuesi 9:3

“Të errësuar në mendje, të larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.” – Efesianët 4:18

Jezusi u përgjigj atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.” – Gjoni 8:34

 ” Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj;” – Gjoni 8:44

“Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira” (Krahaso Lluka 6:43) – Mateu 7:18

“Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” – Gjoni 3:20

“Dhe njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato hetohen frymërisht.” – 1 Korintasit 2:14

“Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin – 1 Korintasit 1:18,21-23

“Ç’ka lindur nga mishi është mish;” – Gjoni 3:6


2. Zgjedhja e Pa Kushte e Perëndisë

Bibla tregon që Perëndia ka paracaktuar dhe ka zgjedhur që para themelimit të botës nje popull për tu shpëtuar dhe se zgjedhja e Tij nuk është e bazuar tek njeriu, por 100 % te vetë vullneti i Tij i mirë, për lavdi të hirit të Tij (Efes. 1:6).

Disa vargje që e dëshmojne këtë:

Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut. Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve; por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit. – Ligji i Ripërtërirë 7:6-8

Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejtë, qiejtë e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban; por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot. – Ligji i Ripërtërirë 10:14-15

 “NA ZGJODHI në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, duke NA PARACAKTUAR që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, PER LEVDIM TE LAVDISE SE HIRIT TE TIJ, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij” – Efesianët 1:4-6

 “Sepse Perëndia nuk na ka CAKTUAR për zemërim, por PER TE MARRE SHPETIMIN me anë të Zotit tonë Jezu Krisht” – 1 Thesalonikasve 5:9

“Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin

të CAKTUAR për jetën e perjetshme besuan” – Veprat 13:48

Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. 6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër. E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan, – Romakëve 11:5-7

“Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve” – Gjoni 15:16


3. Shlyerja Specifike e Krishtit për Popullin e Tij të Zgjedhur

Bibla mëson se Krishti erdhi dhe vdiq dhe siguroi shpëtimin specifikisht për njerëzit e Tij të zgjedhur, për kishën e Tij dhe delet e Tij. Ai nuk vdiq për cdo njeri në botë por për të gjithë ata që besojnë me të vërtetë tek Ai.

Disa vargje që e dëshmojnë këtë:

  “I cili e dha veten PER NE, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete NJE POPULL të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.”  Titi 2:1

  “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë
POPULLIN E TIJ nga mëkatet e tyre”  Mateu 1:21

“Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet PER DELET…” Gjoni 10:11

“Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh të miat dhe njihem nga të miat, ashtu siç më njeh

Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe jetën time e jap PER DELET.”  Gjoni 10:14-15

“Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi KISHEN dhe DHA VETEN E TIJ PER TE” Efesianët 5:25


Duhet patur parasysh që kur Shkrimi përdor fjalën “botë” shpesh nuk nënkupton cdo njeri në planetin Tokë. Nëse në cdo rast kur Shkrimi përdor fjalën “botë” nënkuptohet “Cdo njeri, kudo, dhe cdo herë” kemi një problem të madh. Psh, marrim rastin e 1 Gjonit 5:19 – “Ne e dime qe jemi prej Perendise dhe se e GJITHE BOTA gjendet nën kontrollin e te ligut” Nëse do fusim këtu kuptimin “Cdo njeri, kudo, dhe cdo herë” kemi një problem të madh. Sepse kjo do të nënkuptonte që edhe të krishterët janë nën kontrollin e të ligut. Ose rasti i Zbuleses 13:3 – “Dhe GJITHE BOTA u mrekullua pas bishës.” Nëse fjalës “botë” do i vendosim kuptimin “Cdo njeri në planet” atëehere i bie qe edhe të krishterët u mrekulluan pas bishës.

Fjala “botë” nuk nënkupton  çdo individ në botë por shpeshherë është përdorur në sensin e “shumë,” ose “të gjithë të një grupi të caktuar”

“Dhe ndodhi që, në ato ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të regjistruar të gjithë botën.” [Çdo vend i botës përfshihet këtu? Çdo vend të botës kishte pushtuar Roma në atë kohë?]  Lluka 2:1

Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, botashkon pas tij” [Çdo njeri dhe individ në botë po shkonte pas Jezusit?] Gjoni 12:19

“Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të hidhet poshtë, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemisa të mos vlerësohet më aspak dhe që t’i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon”.  [Çdo njeri dhe çdo vend i botës e nderonte perëndeshën Artemisë?] Veprat 19:27

“Së pari, e falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju,sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.” [Në çdo vend të botës dhe çdo njeri në botë ka folur për besimin e romakëve?] Romakët 1:8


4. Hiri Efektiv dhe i Parezistueshëm i Perëndisë në tërheqjen e mëkatarëve

Megjithëse një njeri mund të rezistojë dhe të kundërshtojë në fillim, përfundimisht nëpërmjet Fuqisë së Mbintyrshme të Perëndisë në dhënien e një zemre të re, ripërteritjen, rilindjen dhe hapjen e syve ai do të kthehet dhe do të sillet në besim.

Disa vargje që e dëshmojnë këtë:

  “Zoti, Perëndia yt, DO TA RRETHPRESE zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.”  Ligji i Ripërtërirë 30:6

“Do T’JU JAPE një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe DO T’JU JAPE zemër prej mishi. DO TE VE brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia”  Ezekieli 36:26-27

…por deri sot Zoti nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.” – Ligji i Ripërtërirë 29:4

“Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë. – Mateu 11:27

“Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.” – Mateu 16:17

“Pastaj vazhdoi: “Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh zë nga goja e tij.” – Veprat 22:14

“…të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.” – Gjoni 1:12-13

“Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im” – Gjoni 6:44,65

“Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti IA HAPI ZEMREN për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali”  Veprat 16:14

“Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvduan Perëndinë, duke thënë: “Perëndia, pra, edhe kombeve U DHA PENDESEN për t’u dhënë jetën!”  Veprat 11:18

 “Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus.” – 1 Korintasit 1:30

 

5. Qëndrueshmeria e Shenjtorëve – Mbajtja në Besim nga Perëndia

Të gjithë të zgjedhurit e Perëndisë, Të shpëtuarit, të krishterët e vërtetë, mëkatet e të cileve janë shlyer nga Vepra e Krishtit në kryq, në saj të veprës së mbinatyrshme te Perëndisë, kanë një zemër të re, janë një krijesë e re me natyrë te ndryshuar dhe do ta duan Zotin deri në fund dhe nuk do ta braktisin Atë. Ata do të qëndrojnë deri në fund sepse vetë Perëndia është Ai që do ti mbaje ata. Ai që e filloi një punë të mirë, do ta përfundojë atë.

Disa vargje që e dëshmojnë këtë: 

“Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një vëpër të mirë në ju, DO TA PERFUNDOJE deri në ditën e Jezu Krishtit” – Filipianet 1:6

“Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira dhe DO TE SHTIE në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.”  Jeremia 32:40

“Edhe Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në jetë të jetëve. Amen.”  2 Timoteu 4:18

“Por ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë TE MOS HUMBAS asgjë prej të gjithave që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit.”  Gjoni 6:39-40

“Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh dhe më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe NUK DO TE HUMBASIN aspak, përjetë, dhe ASKUSH nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe ASKUSH nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.”  Gjoni 10:27-29

“Por ME ANE TE HIRIT të Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, POR HIRI i Perëndisë me mua.”  1 Korintasit 15:10

Nëse një i krishterë ose një kishë është rikthyer te Bibla dhe beson këto mësime biblike, këto të vërteta të vështira, i gjithë mësimi dhe praktika do ketë në fokus dhe në qëndër, jo njeriun, por Perëndinë.


Si shihet ne veprim, në praktikë ky besim?

Kishat e reformuara kalviniste, duke besuar këtë pesë të vërteta biblike, duke kuptuar që ne nuk kemi fuqi në veten tonë dhe gjerat apo shpëtimi nuk varet nga ne kanë një teologji që është e fokusuar te Perëndia. Qëllimi i tyre nuk është që të kënaqin njeriun por të jenë sa më besnike ndaj Shkrimit dhe të lartësojnë dhe t’i japin lavdi Perëndisë. Ato do të synojnë që predikimet e tyre të kenë në qëndër Perëndinë, të flasin për Të dhe atributet e Tij, të flasin të vërtetën për mëkatin, të ekspozojnë ligjin e Perëndisë, të flasin gjithë këshillën e plotë të Perëndisë dhe të mos fshehin asnjë gjë, të flasin si për dashurinë e Perëndisë por si edhe për zemërimin e Perëndisë, ta përballin mëkatarin me ligjin e shenjtë të Perëndisë dhe Fjalën e Tij.

Ato nuk janë të interesuara për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë, t’i argëtojnë dhe t’u mbushë mendjen që të bëjnë një lutje shpëtimi. Ato synojnë të jenë sa më besnike ndaj Shkrimit të Shenjtë. Ato duan që duke folur të vërtetën me dashuri dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës njerëzit të shohin gjendjen e tyre të mjerë dhe të vërtetë mëkatare, sic Bibla flet për njeriun e rënë natyror. Ato, pasi i kanë ballafaquar njerëzit me ligjin, u bëjnë thirrje që të pendohen dhe të besojnë vetëm te Krishti për shpëtim, sic është edhe modeli biblik. Ato nuk duan t’i manipulojnë njerëzit sepse e dinë që njerëzit janë të vdekur, të verber dhe të ngurtë dhe për këtë arsye e vënë shpresën e tyre vetëm te Perëndia sepse vetëm Ai i sjell në shpetim me krahun e Tij të fuqishëm.

Në ungjillëzim ato përpiqen të jenë biblikë dhe sic bënin apostujt. Ato flasin në thellësi dhe specifikisht per mekatin, paraqesin bukurinë e Krishtit, dhe u bejne thirrje njerëzve të pendohen dhe besojnë. Ato nuk praktikojnë lutje shpëtimi por lënë Perëndinë që t’i ripërtërijë ata, t’u hapë sytë dhe ti sjellë njerëzit në shpëtim dhe në mbretërinë e Birit të Tij.

Adhurimi i tyre është i fokusuar te Perëndia dhe lavdia e Tij për shpëtimin e mrekullueshëm të hirit të tij. Ato janë mirënjohëse Atij që kur ishin të humbur në mëkat, Ai i zgjodhi ata që përpara themelimit të botës, i deshi ata, vdiq për ta në kryq, i birësoi dhe i solli në mbretërine Birit te Tij të dashur, dhe që do t’i mbajë deri në fund. Gjitashtu, kishat e reformuara kalviniste u përmbahen 5 Solave të Reformacionit Protestant.

Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi)

Sola Gratia ( Vetëm Hiri)

Sola Fide (Vetëm Besimi)

Solus Christus (Vetëm Krishti)

Soli Deo Gloria (Vetëm për lavdinë e Perëndisë).

Ky është shpëtimi vetëm prej hirit, vetëm përmes besimit, vetëm në Krishtin, vetëm për lavdinë e Perëndisë.

“Shpëtimi i përket Zotit” (Jona 2:10). 

Amen.

Me fjalë të tjera këto pika mund të shprehen edhe në këtë mënyrë:

1. Unë isha i humbur/vdekur në mekat,
2. Perendia me zgjodhi perpara themelimit të botës,
3. Krishti erdhi dhe vdiq specifikisht për mua,
4. Perendia më riperteriu dhe më dha një zemër të re,
5. Perëndia do të më mbajë deri në fund.


Këto jane doktrinat e hirit, dhe janë prezantimi më i paster dhe më biblik i shpëtimit tonë dhe Ungjillit. Sic mund të shihet këto pika kanë renditur dhe përmbledhur gjithë vepren e Perëndisë në shpëtimin tonë dhe gjitha lavdia i perket dhe i jepet vetëm Atij. Nga fillimi deri në fund shpëtimi ynë është vetëm prej Perëndisë. Haleluja! Amen!

 

Lexo Kanunet e Sinodit të Dortit

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *