adult, casual, caucasian-1851571.jpg

MANIFESTIME TË KRENARISË 

Ashtu siç kemi thënë, krenaria është verbuese. Ky fakt është arsyeja pse shpesh është vështirë ta shohim krenarinë në veten tonë dhe, megjithatë, është e lehtë ta shohim atë tek të tjerët. Më poshtë kemi një listë jo të plotë të manifestimeve të krenarisë që mund të davaritin tymin e çdo lloj vetëdrejtësie.

1. Të ankohesh kundër Perëndisë apo ta gjykosh Atë. Një person krenar në një situatë të vështirë mendon, “Shiko çfarë më ka bërë mua Perëndia pas gjithë atyre gjërave që unë kam bërë për Të. (Numrat 14:1-4, 9:11, Romakëve 9:20).

2. Një mungesë mirënjohje në përgjithësi. Njerëzit krenarë zakonisht mendojnë se e meritojnë atë që është e mirë. Rezultati është që ata nuk shikojnë asnjë arsye për të qenë mirënjohës për atë që marrin. Në fakt ata madje mund të ankohen, sepse mendojnë se meritojnë diçka më të mirë. Ata priren të jenë kritikë, ankues dhe të pakënaqur. Personi krenar nuk e ka praktikë të qenit mirënjohës ndaj Perëndisë apo të tjerëve (2 Kronikave 32:25).

3. Zemërimi. Një person krenar është shpesh një person i zemëruar. Zemërimi i dikujt mund të përfshijë shpërthime zemërimi, mbyllje ne vetvete, varje buzësh ose acarim. Një vështrim i zemëruar është quajtur “vrasje e heshtur.” Një person shumicën e rasteve inatoset për shkak se nuk po plotësohen “të drejtat” apo pritshmëritë e tij apo të saj (Mateu 20:1-16). Një tjetër fjalë për zemërimin është me hënë ose me orë, si i themi.

4. Ta shohësh veten si më të mirë se sa të tjerët. Një person krenar është zakonisht në majë dhe i shikon të tjerët nga lart, poshtë. Ai ndjen neveri lehtë dhe ka pak tolerancë për ndryshimet nga njerëzit e tjerë (Luka 7:36-50).

5. Pasja e një pikëpamje të lartësuar për rëndësinë, dhuntitë dhe aftësitë e tua. Shumë njerëz krenarë kanë një perceptim shumë të gabuar për veten e tyre. Atyre kushedi se çfarë u duket vetja, por ajo gjë për të cilën kanë nevojë është një dozë realiteti me dashuri. Ata kanë nevojë të dëgjojnë, “Çfarë ke që nuk ta ka dhënë Perëndia?” (1 Korintasve 4:7).

6. Fokusimi në mungesën e dhuntive apo aftësive të tua. Disa njerëz krenarë mund të mos duken si krenarë fare, sepse ata gjithmonë e shajnë veten e tyre. Kjo përsëri është provë e krenarisë, sepse ky person është i fokusuar te vetja dhe do që vetja e vet të lartësohet. Pasja e një qëndrimi ‘i shkreti unë’ është keqardhje për veten e cila është krenari (1 Korintasve 12:14-25).

7. Perfeksionizmi. Njerëzit që përpiqen të jenë të përsosur në çdo gjë, shpesh herë e bëjnë këtë sepse duan të dallohen. Ata mund ta bëjnë këtë që të ndjehen mirë me veten e tyre. Cilado që të jetë arsyeja, kjo sjellje është shumë egoiste dhe krenare. Problemi themelor është bërja e gjërave që janë më pak të rëndësishme, më shumë të rëndësishme (Mateu 23:24-28).

8. Të folurit e tepërt. Njerëzit krenarë që flasin tepër, shpesh herë e bëjnë këtë sepse mendojnë se ajo që kanë për të thënë është më e rëndësishme sesa ajo që çdo njeri tjetër ka për të thënë. Atje ku ka shumë fjalë, mëkati është zakonisht i pashmangshëm (Fjalët e Urta 10:19).

9. Të flasësh shumë për veten tënde. Njerëzit krenarë mund të përqendrohen në veten e tyre në bisedë. Ndarja e arritjeve personale dhe e cilësive të mira personale me të tjerët mund të jetë mburrje ose shitmendje (Fjalët e Urta 27:2, Galatasve 6:3).

10. Kërkimi i pavarësisë ose i kontrollit. Disa njerëz krenarë e kanë shumë të vështirë të punojnë nën dikë tjetër ose t’i nënshtrohen autoritetit. Ata duhet të jenë vetë shefi. Ata mund të thonë: “Nuk kam nevojë për njeri, ” ose “S’kam nevojë t’i jap llogari njeriu për besimin dhe doktrinën time.” Ata janë shpesh të ngurtë, kokëfortë dhe frikësues. Ata mund të thonë edhe “O do bëhet kështu si dua unë, o s’do bëhet fare” (1 Korintasve 1:10-13, Efesianëve 5:21).

11. Të jesh i prokupuar se çfarë mendojë të tjerët. Disa njerëz krenarë janë tepër të shqetësuar në lidhje me opinionin e të tjerëve. Shumë nga mendimet e tyre bazohen në atë që të tjerët mund të mendojnë. Disa janë vazhdimisht duke kërkuar të fitojnë miratimin dhe lavdërimin e të tjerëve. Fokusimi në atë që të tjerët mendojnë për ty, ose përpjekja për t’iu bërë përshtypje të tjerëve tregon se je njeri që do t’iu pëlqesh njerëzve dhe jo Perëndisë (Galatasve 1:10).

12. Ti shkatërrohesh ose zemërohesh nga kritika. Njerëzit krenarë zakonisht e kanë shumë të vështirë kritikën. Njerëz të tillë nuk e durojnë dot faktin që s’janë të përsosur ose që kanë dobësi, sepse nuk mund ta pranojnë atë që janë me të vërtetë (Fjalët e Urta 13:1).

13. Janë të pamësueshëm. Shumë individë krenarë dinë gjithçka. Ata janë superiorë. S’mund të mësojnë asgjë nga të tjerët. Ata nuk respektojnë njeri. (Fjalët e Urta 19:20, Gjoni 9:13-34).

14. Janë sarkastikë, lëndues ose degradues (i ulin të tjerët). Njerëzit krenarë mund të jenë shumë të pasjellshëm. Ata që i tallin njerëzit e tjerë zakonisht duan të ngrejnë veten mbi të tjerët. Shumë shpesh kjo mund të bëhet me zgjuarsi përmes shakasë. Ata mund të justifikojnë veten duke thënë:“ Unë kështu jam. Ky është personaliteti im” (Fjalët e Urta 12:18, 23).

15. Mungesa e shërbimit. Njerëzit krenarë mund të mos shërbejnë sepse ata nuk mendojnë për të tjerët, ose sepse duan që t’iu luten që të shërbejnë dhe nuk duan të vazhdojnë nëse nuk ka lavdërim. Nevoja për lavdërim është një shenjë e sigurt e motiveve të gabuara për shërbim (Galatasve 5:13, Efesianëve 2:10).

16. Mungesë dhembshurie. Njerëzit krenarë janë rrallë të shqetësuar për të tjerët dhe për hallet e të tjerëve. Ata nuk shikojnë përtej dëshirave të tyre. (Mateu 5:7, 18:23-35).

17. Ata hidhen në mbrojtje, ose ia hedhin fajin dikujt tjetër. Shpesh do të dëgjosh një person krenar që do të thotë: “A mos po thua që është faji im?” ose “Po ti, vetë?” Ata përpiqen ta justifikojnë mëkatin e tyre (Zanafilla 3:12-13, Fjalët e Urta 12:1).

18. Ata nuk e pranojnë kur e kanë gabim. Një person krenar do të nxjerrë shumë justifikime si, për shembull, “Isha i lodhur, ” ose “Kisha një ditë të keqe” ( Fjalët e Urta 10:17).

19. Ata nuk kërkojnë falje. Njerëzit krenarë rrallë e pranojnë mëkatin e tyre, ose kërkojnë faljen e të tjerëve. Ata, ose nuk e shikojnë mëkatin se janë të verbuar nga krenaria, ose nuk e përulin dot veten përpara dikujt tjetër dhe të kërkojnë falje (Mateu 5:23-24).

20. Mungesa e një lutje biblike. Shumica e njerëzve krenarë luten shumë pak ose hiç fare. Njerëzit krenarë që luten zakonisht e përqëndrojnë lutjen te vetja dhe te dëshirat e tyre në vend që ta përqendrojnë te Perëndia dhe tek të tjerët (Luka 18:10-14).

21. Ata i rezistojnë autoritetit, ose nuk tregojnë respekt. Një preson krenar nuk ka fare dëshirë t’i thuash se çfarë të bëjë. Mund të themi që ai ka një problem me nënshtrimin, por ajo që vërtet ka është një problem me krenarinë. Krenaria po e shfaq veten në mungesën e nënshtrimit (1 Pjetrit 2:13-17).

22. Thënia me zë e preferencave ose e mendimeve kur nuk e pyesin. Një person krenar mund të mos jetë në gjendje t’i mbajë preferencat apo opinionet për vete. Ai shpesh i ofron ato kur nuk ia kërkojnë. Këto preferenca zakonisht shprehen pa i konsideruar të tjerët (Filipianët 2:1-4).

23. Minimizimi i mëkatit të vet dhe i dobësive të veta. Njerëzit krenarë në mënyrë tipike besojnë që mëkati i tyre nuk është ndonjë problem i madh. Ata mendojnë që kanë pak mëkat dhe të tjerët kanë shumë mëkat (Mateu 7:3-5).

24. Zmadhimi i mëkateve dhe i dobësive të të tjerëve. Për personin krenar problemi janë njerëzit e tjerë. Ata mund ta zmadhojnë apo të tërheqin vëmendjen te mëkati i të tjerëve duke bërë thashetheme për të (Mateu 7:3-5, Luka 18:9-14).

25. Padurimi ose irritimi me të tjerët. Njerëzit krenarë mund të inatosen me të tjerët sepse ata janë të shqetësuar se po prishet plani apo orari i tyre. Ata shpesh nuk janë fleksibël në çështjet e preferencës (Efesianëve 4 :31-32).

26. Janë xhelozë ose ziliqarë. Shpesh kur ata nuk kanë të njëjtat përfitime, krenarët e kanë të vështirë të gëzohen me sukseset apo bekimet e të të tjerëve (1 Korintasve 13:4).

27. Përdorimi i të tjerëve. Njerëzit krenarë zakonisht i shikojnë të tjerët me syrin se çfarë mund të bëjnë këta njerëz për ta apo për interesat e tyre. Fokusi i tyre nuk është që t’iu shërbejnë të tjerëve. Gjithçka është për ata dhe në lidhje me ta (Mateu 7:12, Filipianëve 2:3-4).

28. Ata janë mashtrues duke mbuluar mëkatet, të metat dhe gabimet e tyre. Disa njerëz krenarë mund të bëjnë gjithçka me qëllim që të tjerët të mos i zbulojnë gjërat negative për ta (Fjalët e Urta 11:3, 28:13).

29. Ata përdorin taktika për të tërhequr vëmendjen. Njerëzit krenarë mund të përpiqen të tërheqin vëmendjen tek vetja përmes veshjes, sjelljes së çuditshme, rebelimit apo duke folur gjithmonë për problemet e tyre, etj. (1 Pjetrit 3:3-4).

30. Mungesa e marrëdhënieve të ngushta. Njerëzit krenarë shpesh nuk kanë marrëdhënie të ngushta dhe nuk kanë dëshirë të kenë marrëdhënie të ngushta duke menduar që ka më shumë mundim, sesa përfitim. Ata mund ta shikojnë veten si kaq të vetëmjaftueshëm saqë s’kanë nevojë për të tjerët (Fjalët e Urta 18:1-2, Hebrenjve10:24-25).

– Stuart Scott
Marre nga libri ne shqip “Nga krenaria ne perulesi”

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *