notepad, coffee, pen-1276779.jpg

Një përgjigje e sinqertë nga një i krishterë që afirmon teologjinë kalviniste

Pak kohë më parë në një faqe në Internet lexova një artikull të titulluar “Konvertimi im nga Kalvinizmi”, ku një besimtar tregonte sesi braktisi teologjine kalviniste.
Fillimisht, do të ishte ndihmuese për besimtarët që nuk janë shumë të familjarizuar me këtë temë që të bëhej një shpjegim i shkurtër i Kalvinizmit dhe Arminianizmit.
Arminianizmi mëson se njerëzit nuk janë kaq mëkatarë të mëdhenj, ata kanë vullnet të lirë për të zgjedhur ose jo Perëndinë. Zgjedhja e Perendise bazohet ne atë që Perëndia parasheh ne te ardhmen se kush do te besojë në Të, dhe ky eshte shkaku që Ai i zgjedh ata. Krishti vdiq për të gjithë njerëzit. Njerëzit mund ti rezistojnë Perëndisë, dhe besimtarët mund ta humbasin shpëtimin.
Nga ana tjeter, Kalvinizmi tregon që njerëzit janë plotësisht mëkatarë, të vdekur në mëkate dhe paudhësi. Skllevër të mëkatit. Në armiqësi me Perëndinë dhe urrejtës të Tij. Mëkati ka prekur cdo aspekt të njeriut (Zemrën, mendjen, vullnetin, veprimet, etj). Për të gjërat shpirtërore janë budallallëk dhe ai nuk do që të vijë te Perëndia. (Për më tëpër mund të lexoni këtë artikull Lista e Vargjeve për Mëkatshmërinë e Plotë të Njeriut). Zgjedhja e Perëndisë bazohet vetëm në arsyet e Tij sovrane dhe jo në atë se cfarë do të bëjë njeriu. (Për më tepër mund të lexoni Lista e Vargjeve për Zgjedhjen e Pakushtëzuar dhe Doktrina e Zgjedhjes – J.C. Ryle) Krishti erdhi dhe vdiq për kishën, delet, të zgjedhurit. (Për më tepër mund të lexoni Lista e Vargjeve për Shlyerjen Specifike). Kur Perëndia do dicka, askush dhe asnjë gjë nuk mund ta ndalojë Atë. Kështu që kur Perëndia do që ta shpëtojë një person, ai person do të shpëtohet. Kjo nuk do të të thotë që në fillim njeriu nuk mund ti rezistojë, por që përfundimisht njeriut pasi i është dhënë një zemër e re dhe i janë hapur sytë ai do të vijë te Krishti. (Për më shumë lexoni Lista e Vargjeve për Hirin e Parezistueshëm (Ose Hirin Efektiv) dhe Hiri i Parezistueshëm (Hiri Efektiv) – Nga John Piper). Shpëtimi nuk mund të humbasë sepse atë që Perëndia e fillon, Ai e përfundon (Për më shumë lexoni Lista e Vargjeve për Qëndrueshmërinë dhe Këmbënguljen e Shenjtorëve)
Pesë pikat e Kalvinizimit erdhën si përgjigjja biblike ndaj pesë pikave të Arminiaizmit të shpallura nga Armini. Arminianizmi ndryshe quhen gjysmë-pelegianizëm dhe është një formë më e butë e herezisë pelegiane të mësuara nga Pelagji në shekullin e katërt që mohonte tërësisht hirin e Zotit.

 

Atëhere kjo është përgjigja ime për këtë vëlla të dashur.

 

I dashur vëlla, ti pohon në fillim të artikullit tënd që ishe një kalvinist tepër i zellshëm dhe gjithëkënd ti e drejtoje te kalvinizmi. Përgjatë gjithë artikullit tënd unë shohë që ti je fokusuar kryesisht te Zgjedhja. Vëllai im, Zgjedhja është vetëm njëra nga pikat e kalvinizmit, dhe zgjedhja nuk është gjithcka për të cilën flet Kalvinizmi. Sigurisht, që ti mund të kesh njohuri për të pesta pikat, nuk e vë në dyshim këtë, por cdo lloj ekzaminimi dhe testimi për kalvinizmin duhet të fillojë me pikën e parë (Pra, mëkatshmërinë e plotë të njeriut) dhe pastaj mund të vazhdohet në pikat e tjera, njëra pas tjetrës, sepse ato janë si hallkat e një zinxhiri, është hallka e parë, pastaj vjen hallka e dytë e kështu me radhë. Pa kuptuar mirë hallkën e parë, nuk do të kuptosh mirë hallkën e dytë. Këtë e them për cdo të krishterë që do që të investigojë pikat e kalvinizmit nëse janë e vërteta e Shkrimit apo jo. Ai duhet ta fillojë nga pika e parë dhe pastaj ti studiojë një e nga një.
Një gjë tjetër që më tremb jashtë masë përgjatë gjithë artikullit tënd është se një nga testet e së vërtetës për ty, testi për të dalluar dhe kuptuar nëse këto doktrina janë biblike apo jo, është eksperienca, përvoja dhe ndjenjat e tua. Ti ke ndjerë gjërat e mëposhtme dhe ke menduar se kalvinizmi nuk është i vërtetë. Citoj:
 “…Por nuk besoj se besnikëria ime ndaj kalvinizmit ishte e bazuar vetëm mbi gabime intelektuale… Rrenjët e vërteta ishin shume të thella. Themelet reale gjendeshin në të metat e mia morale. Isha i ftohte dhe krenar dhe intelektual. E njihja pak dashurinë dhe butësinë dhe ëmbëlsinë. Prandaj një Perëndi, i cili nuk kishte dashuri për nëntëdhjetë e nëntë përqind të racës njerëzore, një Perëndi që krijoi nëntëdhjetë e nëntë nga njëqind qënie njerëzore për ti mallkuar në flakët e përjetshme, nuk përbënte ndonjë shqetësim për mua.”
I dashur vëlla, të gjtha këto janë simptomat e një hiperkalvinisti. Hiperkalvinstët nuk e vënë shumë ujin në zjarr sepse ata besojnë se nuk duhet të ungjillizojnë. Hiperkalvinistët nuk janë kalvinistë. Unë personalisht nuk kam takuar asnjë të tillë deri tani. Por do i rikthehem pak më vonë kësaj cështje.
E pranoj që ti përmend edhe Shkrimin si një nga dy veprimet e dallueshme te konvertimit tënd, por theksi yt qëndron te ndjenat e tua në lidhje me dashurinë e Perëndisë dhe Zgjedhjen.
Ne si të krishterë nuk duhet të bazohemi te eksperienca, përvoja apo ndjenjat tona dhe këtë e mbështes me dy fakte:
1. Të njëjtin gabim bëjnë edhe kishat pentakostale apo karizmatike. Shumë gjëra, shumë praktika dhe bindje të tjera që ata kanë bazohen te përvoja dhe te ndjenjat, dhe jo aq te Bibla.

 

2. Shumë prej nesh mund të kenë bindjen dhe mund të ndiejnë se ishim ne ata që e kërkuam Zotin në fillim, por Shkrimi thotë që asnjë nuk e kërkon Perëndinë. (Romakët 3:11). Kë duhet të besojmë ne, ndjenjat tona apo Shkrimin? Kush nga këto është e drejtë dhe e vërtetë dhe kush mund (dhe shpesh ndodh) të na gënjëjë?
I dashur vëlla, tetsti i vërtetë dhe i pagabueshëm për cdo doktrinë është Shkrimi. Jo ndjenat dhe përvojat tona. Këtu në ndihmë na vjen Puritani Xhon Flejvël (John Flavel). Ai na jep këtë standart ose test për të testuar cdo doktrinë nëse është biblike apo jo:
“Cilado fe ose doktrinë që justifikon ose lejon mëkatin nuk është nga Krishti. Doktrina e Krishtit kudo mëson vetë-mohim dhe mortifikim (vrasje) të mëkatit. E gjithë rryma e Ungjillit vërshon kundër këtyre gjërave. Shkrimi thekson “të shenjtin” dhe “qiellorin” (jo mëkatarin dhe të qënit si bota). Ungjilli i vërtetë nuk ka as edhe tendencën më të vogël që të lëvdojë natyrën e korruptuar, ose të ushqejë krenarinë e saj duke lartësuar lirinë dhe fuqinë e saj. Dhe refuzon cdo gjë që minon ose errëson meritën e Krishtit, ose që përpiqet në cdo mënyrë ti japë ndonjë meritë njeriut. Dhe sigurisht që kurrë nuk e bën vdekjen e Krishtit një mantel për të mbuluar mëkatin, por gjithmonë flet për të si një instrument që e shkatërron mëkatin!”
Nëse do të aplikojmë këtë standart për cdo doktrinë, shpejt do ta zbulojmë se cila doktrinë është e vërtetë dhe biblike dhe cila jo.
Më pas ti pohon, citoj: “U bëra gjithnjë e më i parehatshëm me një sistem që e portretizon Perëndinë sikur nuk ka aspak dashuri për pjesën më të madhe të racës njerëzore ose që ka vetëm një dashuri hipokrite, që nxjerr lot krokodili për ta dhe u thotë atyre: “Ngrohuni dhe ngopuni” – “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës” – por, faktikisht, nuk u jep atyre ato gjëra që janë të nevojshme për shpirtin.”
Miku im, para së gjithash, për shkak të natyrës dhe krenarisë sonë njerëzore ne mund të bëhëmi shumë kollaj të parehatshëm me gjërat dhe doktrinat e Shkrimit. Ndonjëherë neve nuk na pëlqën e vërteta dhe nuk duam ta pranojmë atë. Përsëri, nuk duhet të jenë ndjenjat tona testi për të vërtetën. Por ti rikthehemi citimit, a është i drejtë konstatimi yt? Unë besoj që jo! Perëndia iu bën ftesë të gjithë njerëzve që të vijnë tek Ai, ashtu sic ungjilltari iu bën thirrje të gjithë njerëzve pa përjashtim, që të pendohen dhe të kthehen te Perëndia. Kjo është quajtur thirrja e përgjithshme (ose e jashtme). Por ka edhe një thirrje tjetër, që është thirrja e brendshme, Xhon Pajper (John Piper) na jep një shembull konkret:
“1 Korintasit 1:23-24 thotë, “Por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë.” Vini re dy llojet e “thirrjeve” të nënkuptuara këtu.
Së pari, predikimi i Palit shkon te të gjithë, për Judenjtë dhe Grekët. Kjo është thirrja e përgjithshme e Ungjillit. Ia ofron shpëtimin të gjithë atyre që do të besojnë në Krishtin e kryqëzuar.. Por shpeshherë kjo bie në vesh të shurdhët dhe quhet marrëzi.
Por pastaj, së dyti, Pali i referohet një tjetër lloj thirrje. Ai thotë se midis atyre që dëgjojnë janë disa që janë “thirrur” në një mënyrë të tillë që ata nuk e konsiderojnë më kryqin si marrëzi por si fuqia dhe urtësia e Perëndisë. Çfarë tjetër mund të jetë kjo thirrje përveçëse thirrjes së parezistueshme të Perëndisë prej errësirës në dritën e Perëndisë?”
Perëndia jep gjithcka që është e nevojshme për shpëtimin e shpirtit. Krishti i bëri thirrje Llazarit të dilte jashtë, por ishte përsëri Krishti, fuqia e Perëndisë që e ringjalli Llazarin. Perëndia urdhëroi dhe Perëndia dha atë që Ai urdhëroi.
Më vjen mirë që ke një biblotekë të madhe dhe që lexon shumë. Edhe mua në fakt më pëlqen shumë të lexoj, dhe do doja të lexoja sa më shumë të ishte e mundur. Unë do të të sygjeroja nëse je mirë me anglishten, që të lexosh ndonjë nga librat e puritanëve. Madje edhe nga Spërxhëni, ata ishin kalvinsitë, dhe ishin mjeshtra të ekspozimit biblik! Në fakt, unë sot habitem se sa të thellë ishin ata dhe sesa sipërfaqësore jemi ne sot. Librat e tyre, ekspozimet e Shkrimit që ata kanë bërë për cdo temë, me siguri që do të ngrohin zemrën dhe do të të inkurajojnë shumë. Kështu ndodh me mua të paktën.
Tani, konstatimi yt “Isha i ftohtë dhe i ashpër dhe e nënvleftësoja ungjillëzimin (natyrisht, kalvinizmi im më çoi në atë drejtim)” është tepër tepër i gabuar.
Tani ti rikthehmi pak hiperkalvinizmit. Konstatimi yt është tepër tepër i gabuar dhe këtë e mbështes me dy arsye:
E para, është një rast konkret, ungjilltari kalvinist Xhorxh Uajtfilld (George Whitefield) ishte ungjilltari më i madh amerikan me një zjarr dhe pasion të jashtëzakonshëm për të ungjillizuar. Unë në fakt habitem nga pasioni dhe zelli i madh që ai kishte për Zotin dhe ungjillizimin.
E dyta, sic e thashë edhe më lartë, hiperkalvinistët janë ata që nuk ungjillizojnë. Këta nuk janë kalvinistë. Prandaj dyshoj shumë që ti nuk i ke kuptuar sic duhet doktrinat e hirit dhe mund të kesh patur tendenca dhe bindje hiperkalviniste.
Kjo video ndihmon për të qartësuar se cfarë besojnë me të vërtetë të krishterët që afirmojnë kalvinizmin në lidhje me këtë cështje.
Duke u bazuar te ndjenat e tua, ke përshtypjen e gabuar se kalvinistët janë të ftohtë, pa dashuri dhe nuk flasin apo mësojnë për dashurinë e Perëndisë. Kjo me të vërtetë më bën të dyshoj se sa me të vërtetë e ke kuptuar Kalvinizimin dhe dyshimi im mbështetet në dy arsye:
E para, të kuptosh më shumë doktrinat e hirit dhe të vërtetat e Kalvinizmit, si psh: Sa mëkatar i madh që je, kur nuk meritoje asgjë tjetër përvecëse zemërimin e Perëndisë (Gjoni 3:36), që përpara themelimit të botës Ai të zgjodhi ty (Efesinaët 1:4), Krishti vdiq për ty (Romakët 5:8), të dha një zemër të re (Ezekieli 36:26) dhe do të të mbajë deri në fund (Filipianët 1:6), oh, kjo e bën zemrën time të shkrihet dhe më con në një lavdërim të madh të Perëndisë për hirin e tij të madh dhe të mrekullueshëm.
E dyta, predikuesit e vjetër, të cilët ishin ekspozues të shkëlqyer të Shkrimit, që besonin në të vërtetat e përmbledhura të Shkrimit të quajtur Kalvinizëm, kanë shkruajtur jashtëzakonisht shumë për dashurinë e Perëndisë, për kryqin dhe hirin e Tij. Psh Xhon Njuton (John Newton) i cili ishte kalvinist, shkroi himnin “ Sa hir Madhështor (Amazing Grace)”. Puritani Xhon Ouen (John Owen) ka shkruajtur një vepër shumë të njohur për hirin dhe vdekjen e Krishtit të quajtur “Vdekja e vdekjeve në vdekjen e Krishtit”. Ka edhe plot predikime të tjera dhe himne prej tyre për këtë.
Më duket tepër i gabuar konstatimi yt për Xhonathan Eduards (Jonathan Edwards), ai është teologu më i madh që amerika ka pasur ndonjëherë. Në predikimin që ti ke përmendur Ai ka përshkruar vuajtjet e ferrit me shumë detaje. E pra, pse qënka kaq jo biblike të përshkruash me detaje vuajtjet e ferrit, dhe t’ju bësh thirrje njerëzve që të ikin nga Zemërimi i Perëndisë, të ikin për te Krishti?! Njeriu pa kuptuar gjendjen e tmerrshme në të cilën ndodhet nuk do të shikojë kryqin dhe hirin e Zotit.
Në artikullin tënd lexoj shumë për dashurinë e Perëndisë (dhe vërtet, është mirë që flasim për të) por nuk lexoj aspak për drejtësinë e Perëndisë dhe shenjtërinë e Perëndisë. Ne si të krishterë duhet të japim të githë këshillën e plotë të Perëndisë dhe jo vetëm një pjesë të saj, psh, vetëm dashurinë e Tij. “Nuk u tërhoqa për të mos ju treeguar gjithë këshillën e Perëndisë.” – Apostulli Pal (Veprat 20:27). Ne jemi ambasadorët e Tij dhe si të tillë ne jemi përgjegjës për të përcuar me besnikëri gjithcka që Ai ka thënë, edhe nëse ndokush e pëlqen apo jo. Në fakt më habit fakti që “të krishterët dhe kishat sot theksojnë vetëm ato atribute të Perëndisë, të cilat edhe bota do edhe i kërkon! Bota do vetëm një Zot të dashur por nuk do që të dëgjojë për një Zot të drejtë dhe të Shenjtë!” – Paul Washer.
Në asnjë vend në Shkrim nuk thuhet tre herë që “Perëndia është dashuri, dashuri, dashuri” Por në Shkrim lexojmë këtë “Zoti është i shenjtë, i shenjtë, i shenjtë” (Isaia 6:3). Mendoj se nuk është shkruajtur kot tre herë në një varg që Zoti është i shenjtë. Nëse ti vërtet do të kishe kuptuar shenjtërinë e Perëndisë atëhere do të kishe kuptuar që i vetmi shpëtim për ty nën qiell do ishte vetëm zgjedhja prej Tij. Ne nuk jemi besnikë kur japim vetëm njërën anë të monedhës!
Pastaj ti vazhdon, citoj “Unë pyes: “Tani a është kjo një paraqitje e vërtetë dhe besnike dhe e drejtë e zemrës së Atij që e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur?” Nuk është.”
Miku im, te Hebrenjtë lexojmë “E tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjtë 10:31) dhe “Perëndia ynë është një zjarr gllabërues (Hebrenjtë 12:29). Këtë asgjë nuk e ndryshon, sado që mund të mos na pëlqejë. Shikoj gjithashtu që ti i referohesh Gjonit 3:16. Miku im, fjala greke për botën aty është fjala “kosmos” e cila ka të paktën shtatë kuptime të ndryshme në Dhiatën e Re. Ja disa shembuj:
“Kosmos” përdoret për Universin si i gjithë. (Veprat 17:24). “Kosmos” përdoret për tokën. (Gjoni 13:1, Efesianët 1:4), etj. “Por përpara festës Pashkës, Jezusi, duke ditur se kishte ardhur ora e tij kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur vetët ishn botë, i deshi deri fund”. “Kosmos” përdoret për sistemin e botës. Gjoni 12:31, etj. “Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote!” “Kosmos” përdoret për njerëzimin minus besimtarët. Gjoni 15:18, Romakët 3:6. “Nëse bota ju urren ta dini se ka urryer mua para jush.” Besimtarët nuk e “urrejnë” Krishtin, kështu që “bota” këtu janë jobesimtarët në kontrast nga besimtarët të cilët e duan Krishtin. “Kosmos” përdoret vetëm për besimtarët. (Gjoni 1:29; 3:16,17; 6:33; 12:47; 1 Korintasit 4:9; 2 Korintasit 5:19). Gjithashtu Fjalori i greqishtes Strong e përfshin Gjonin 3:16 te tema “vetëm besimtarët”. Shumë gjëra të tjera mund të thuhen në lidhje me këtë…
Duke vazhduar më tej ti pohon, citoj: “Një kalvinizëm joshkrimor (me kalvinizëm nuk nënkuptoj besimin në sovranitetin e Perëndisë – unë sigurisht që e besoj këtë”
Qofsha i gabuar por unë nuk jam shumë i sigurt për këtë. Unë tani citoj R. C Sproul: “Nëse i pyet njerëzit a besojnë në sovranitetin e Perëndise, ata përgjigjen “sigurisht që besoj në sovranitetin e tij” por po ta gërvishtësh pak këtë pohim, kupton që sovraniteti i yre i cmuar iku.” Ti beson se Perëndia është sovran mbi krijimin, por nuk beson që Ai është sovran në shpëtimin e njeriut. Në fakt, në arminianizëm (pra, e kundërta e kalvinizmit) njeriu është sovran dhe jo Perëndia.
Për mendjen dhe krenarinë njerëzore është shumë e vështirë të kuptojë dhe pranojë Zgjedhjen e Perëndisë. Por sado e vështirë të jetë një doktrinë, nëse është në Bibël, ne duhet ta besojmë atë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Trinitetin, madje fjala Trinitet nuk ndodhet fare në Shkrime sepse është vetëm një term teologjik. Ne nuk e kuptojmë dot plotësisht Trinitetin, është një mister për ne, por ndodhet në Bibël, dhe ne e besojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Zgjedhjen. Ne nuk e kuptojmë plotësisht por Bibla flet për të. Por refuzimi i kësaj doktrine ndodh sepse thellë thellë brenda nesh ne besojmë se ne e meritojmë të shpëtohemi!
Vëllai im, ne besojmë që Perëndia është dashuri dhe dashuria e tij për ne është e pafundme. Paul Washer, i cili është kalvinist, ka thënë: “Vepra më e madhe e besimit tim është të besoj që Perëndia më do mua ashtu sic Ai më thotë se më do”. Asnjë nuk e mohon dashurinë e Perëndisë. Por do ishte mirë të sqaronim se ajo që e ndryshon besimin tonë nga ‘vullneti i lirë’ dhe arminianizmi nuk është që një Perëndi i do njerëzit dhe koncepti tjetër i Perëndisë nuk i do. Jo! Ndryshimi qëndron midis itensitetit dhe shtrirjes së dashurisë, midis intesitetit të dashurisë ku Perëndia shpreh dashurinë e tij duke lënë jetën e tij për të shpenguar të dashurit e tij, dhe shtrirjes së dashurisë ku Ai i do të gjithë në një sens të përgjithshëm por që nuk shpëton asnjë në veçanti. Konsidero analogjinë e njeriut që po mbytet nën dritën e këtyre dy perspektivave:
1. Fëmija yt po mbytet afër varkës tënde. Ti je një notar i shkëlqyer por dallgët janë të mëdha dhe të rrezikshme. Ti i thërret fëmijës tënd për të përdorur fuqinë e vullnetit të tij për të notuar drejt varkës për të shpëtuar veten, por ai është tepër i pafuqishëm. Ti i zgjat dorën tënde por varet nëse fëmija yt është një notar mjaftueshëm i mirë që të arrijë te ty dhe të ketë fuqinë në veten e tij të të zgjasë krahun. Ti nuk bën asgjë më tepër përveçëse thirrjes që të vijë te ty dhe maksimumi që ti bën është aq sa mund të zgjatet krahu yt për shkak se ti nuk do doje që të shkelje vullnetin e tij të lirë për ta lënë të vendosë nëse do të notojë dhe do të kapë ndihmën tënde.
2. Fëmija yt po mbytet afër varkës tënde. Ti je një notar i shkëlqyer por dallgët janë të mëdha dhe të rrezikshme. Por gjithësesi, dashuria jote për fëmijën tënd tejkalon të gjitha kundërshtimet dhe pa hezitim ti hidhesh në ujë duke rrezikuar vetë jetën tënde, dhe e shpëton fëmijën tënd nga mbytja. Ti vetë mbytesh por fëmija yt shpëton. Me fjalë të tjera, ti nuk pret të shikosh nëse ai është i gatshëm apo nëse ka fuqi. Ai nuk ka asnjë nga këto. Kështu që ti futesh dhe shpëton fëmijën tënd pavarësisht kostos për jetën tënde.
Cili nga të dy baballarët është më i dashur?
I pari, është “babai” Arminian. Ai e shikon fëmijën e tij në telashe dhe do ta shpëtojë atë vetëm me kushtin që ai të ketë kapacitetin për të notuar përmes dallgëve dhe të arrijë të kapë dorën e babait. Babai, gjithësesi, nuk do që të rrezikojë jetën e tij për TU SIGURUAR që djali të mos mbytet. Dashura e tij nuk vepron, kështu që kjo dashuri është jo efektive. Gjithçka varet se si do të përgjigjet djali. Eshtë një dashuri e cila është me kushte. Ungjilli Arminian është pikërisht kështu sepse nëse Perëndia shkel vullnetin njerëzor në çfarëdo mënyre, e bën Atë të keq në mendjet e tyre.
Analogjia e dytë është e babait Agustinian ose kalvinist. Dashuria e tij është efektive, ai i do fëmijët e tij dhe do të bëjë atë që dashuria e tij dikton duke e shpëtuar fëmijën e tij, edhe nëse humbet jetën e tij. Perëndia është dashuri, dhe dashuria e Perëndisë është si Fjala e tij … Ai thotë për të, “Nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj, dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.”
Përsëri, cili baba në historitë më lart është më i dashur?
Por më lejo ta shpreh edhe në një mënyrë tjetër. Nëse fëmija yt dy vjecar do të vraponte drejt autostradës, cfarë do bëje ti? Vetëm do i thërrisje dhe do prisje që fëmija yt të kthehej prej vullnetit të tij të lirë apo do shkoje me vrap për ta hequr nga autostrada? Cila prej këtyre dyve është dashuri e vërtetë? Besoj se je dakord me mua se është e dyta.
Ti po bazohesh te ndjenjat kur flet në lidhje me dashurinë e Perëndisë dhe pikëpamja jote për dashurinë e tij është pagane dhe humaniste. Ti nuk mund të pranosh dot që një Perëndi i dashur nuk i zgjedh të gjithë njerëzit! Por cfarë ka më rendësi? Ajo që ndiejmë ne apo ajo që thotë Shkrimi? Shkrimi thotë që Perëndia është dashuri por gjithashtu thotë se mbi cdo person jashtë Krishtit nuk është dashuria e Perëndisë ajo që qëndron mbi ta por zemërimi i Tij. “Ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të”. (Gjoni 3:36)
Vazhdojmë më tej,
Ti thua, citoj: “Si shumica e kalvinistëve, unë i tallja dhe i përçmoja njerëzit që kishin pikëpamje të tjera, veçanërisht ata njerëz të cilët i etiketoja si arminianë.”
Vëlla, unë personalisht por edhe shumë kalvinistë që njoh nuk i përcmojmë dhe nuk i tallim njerëzit duke përfshirë edhe ata që besojnë në pikat e arminianizmit. Sigurisht që ne mund të mërzitemi, për shkak të debatit që ndonjëherë bëhet emocional dhe që shohim një keqinterpretim kaq masiv të Shkrimit. Unë këtu përsëri dyshoj se sa shumë i ke kuptuar ti doktrinat e hirit. Kur Perëndia tregoi kaq hir të madh ndaj nesh, a nuk duhet të tregojmë edhe ne hir ndaj të tjerëve?
Vullneti i lirë i njeriut – Ka kaq shumë keqkuptime se cfarë besojmë ne me të vërtetë në lidhje me këtë. Unë besoj që ne kemi vullnet të lirë në sensin që ne mund të zgjedhim për të bërë dicka apo për të shkuar në një vend, etj, por kur vjen puna te gjërat shpirtërore për një jobesimtar ato janë marrëzi (1 Korintasit 1:18), ai është në armiqësi me Perëndinë (Romakët 1:30) dhe i vdekur në mëkate (Efesianët 2:1). Ai do të bëjë një zgjedhje, pa hirin veprues të Perëndisë, ai do të zgjedhë ta refuzojë Perëndinë,. Ja pse hiri i Perëndisë është i domosdoshëm, për të na hapur sytë dhe për të na dhënë një zemër të re, me pak fjalë ai të na rilindë dhe ne të shohim dhe të besojmë tek Ai.
Ti shkruan, citoj: “Një prej këtyre ishte “të zgjedhur sipas paranjohjes” – një fjalë që, e marrë fjalë për fjalë, me siguri që e bën zgjedhjen të varur mbi diçka në njeriun.”
Pyetja këtu që duhet të bëjmë është “Çfarë kuptimi ka që Perëndia e ka paranjohur dikë?” Referencat te 1 Pjetri 1:1-2 apo Romakët 8:29 e portretizojnë Perëndinë duke njohur persona dhe jo veprime. “Adami njohu Evën” a i referohet thjesht marrjes së informacionit apo marrëdhënies intime? Pra, flet për marrëdhënie dhe intimitet, jo se cfarë do të besoj ai njeri në të ardhmen. Ky artikull është ndihmues 
Ti shkruan, citoj: “Por ishte edhe një tjetër tekst nga Bibla, edhe më i fuqishëm. Ai ishte: “Unë doja, por ju nuk deshët” – ku vullneti njerëzor mbizotëronte mbi vullnetin hyjnor. Kjo është më e qartë se kristali në gjuhën greke, ku lexojmë: “Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë”.
Vëllai im, njerëzit, pa ndërhyrjen e hirit të Perëndisë gjithmonë do ta refuzojnë Krishtin. Gjërt shpirtërore për ta janë budallallëk. Por nëse Perëndia do që të shpëtojë një person askush nuk mund ta ndalojë. “Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?” (Danieli 4:35). Ky artikull është ndihmues Hiri i Parezistueshëm (Hiri Efektiv) – Nga John Piper
Ka gjera që janë të vështira dhe ne nuk i kuptojmë dot plotësisht. Por kam frikë se ajo që ndodh me ty është se ti do që ti kuptosh plotësisht, dhe kur kjo nuk ndodh atëhere ka dicka gabim me doktrinën. Vëlla, nuk na takon ne të gjejmë dhe zbulojmë misteret e Perëndisë, ne duhet të besojmë atë që Bibla tashmë tregon. Rëndësi ka cfarë Bibla thotë.
Si përfundim, artikulli ka si fjalë kyce “duke ndierë”, ti vëlla nuk mund të pranosh të dyja të vërtetat biblike: Dashurinë e Perëndisë dhe Zgjedhjen Sovrane, ti ndien se këto janë të papajtueshme për ty dhe njëra prej ketyre nuk duhet të jetë vërtetë. Por ne nuk duhet të bazohemi tek ato. A jemi ne të urdhëruar të kuptojmë plotësisht cdo mister të Perëndisë? Jo. Rëndësi ka vëlla dhe ju të tjerë që po e lexoni këtë, cfarë thotë Shkrimi për këto?
Duke aplikuar edhe standartin e Xhon Flejvël (John Flavel) konkludoj se mësimet e arminianizmit që janë kaq shumë të përhapura, janë të fokusuara te njeriu dhe i japin lavdi njeriut. Doktrinat e hirit që shprehin në mënyrë të formulur doktrinat biblike na përplasin të pashpresë në dhe, janë të fokusuara te Perëndia, ia atriubojnë shpëtimin plotësisht Perëndisë dhe i japin lavdi Perëndisë. Si përfundim, kalvinizmi është biblik.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *