Reformacioni Protestant dhe Ungjillorizmi Modern

Në 31 Tetor ishte Dita e Reformacionit Protestant ku u përkujtua gozhdimi i 95 tezave të Martin Luterit në derën e kishës së Vitenbergut dhe qëndresa e tij kundër gabimit, kundër mësimeve njerëzore, kundër kishës katolike dhe qëndrimi i tij i patundur për të vërtetën biblike.

Shumë ungjillorë sot e përkujtojnë këtë ditë dhe atë cfarë Martin Luteri bëri në atë kohë, por dicka për të cilën duhet të flasim është që shumë prej të vërtetave që u rikuperuan nga Reformacioni dhe Reformatorët sot ose injorohen ose kundërshtohen.

Përpara se të jap arsyet dhe të tregoj sa larg ungjillorizmi ynë i sotëm është larguar nga Protestantizimi i Luterit dhe Reformatorëve të tjerë dhe nga Bibla, së pari, më lejoni të flas për një nga burrat e asaj kohe, Jan Hysi.

Jan Husi jetonte në Pragë dhe pasi kishte lexuar shkrimet e Xhon Uiklifit (John Wycliffe) binte dakord që kleri ishte i korruptuar dhe kishte nevojë për reformim. Ai filloi të predikonte idetë e Reformimit në kishën e tij në Pragë dhe kjo bëri që të akuzohej për krime të mëdha kundër Kishës Katolike. Ai tha: “Nuk do ta braktis të vërtetën as për një kishë të mbushur me flori”.

Për shkak të qëndrimit të tij për të vërtetën biblike e dënuan me vdekje në turrën e druve. Kur erdhi dita e ekzekutimit e tallën dhe e mallkuan. Një kurorë të gjatë ia vendosën në kokë ku ishin pikturuar tre diaj që po luftonin për të zotëruar shpirtin dhe ku ishte shkruar “kreu i heretikëve”. Peshkopët i’a dorëzuan shpirtin e tij djallit, por Husi u përgjigj: “Kurse unë i’a kushtoj më të mëshirshmit Zotit Jezu Krisht.”

Një “mik” i Hasit, Mbreti Venceslas, që ishte gjithashtu vëllai i perandorit, nuk bëri asgjë për të ndaluar ekzekutimin.

Kur arriti te vendi që do të ekzekutohej i kërkuan për herë të fundit që të hiqte dorë nga idetë e tij. Husi tha: “Perëndia është dëshmitari im që provat kundër meje janë të rreme. Kurrë nuk kam menduar apo predikuar përvecëse me qëllimin e vetëm që nëse është e mundur t’i fitoj njerëzit nga mëkatet e tyre. Në të vërtetën e ungjillit kam shkruar, mësuar dhe predikuar; për këtë të vërtetë do të vdes me guxim.”

Atij i’a hoqën rrobat, i’a lidhën duart pas shpine dhe pastaj e lidhën nga qafa me një zinxhir të ndryshkur te turra e druve. Me një buzëqeshje ai tha se Shpëtimtari i tij u lidh me një zinxhir edhe më të rëndë. Kur u ndez zjarri, Husi filloi të këndonte, “Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, ki mëshirë për ne”, pastaj: “Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, ki mëshirë për mua”. Një prift që po shihte ekzekutimin raportoi se para se Husi të vdiste tha: “Ju mund të piqni këtë patë (Hasin – mbiemri i tij do të thoshte “patë” në gjuhën ceke) por pas një shekulli do të cohet një mjellmë e cila do të triumfojë.” Saktësisht 102 vite më vonë, Martin Luteri do të gozhdonte 95 tezat e tij në derën e kishës së Vitenbergut dhe kështu do të fillonte transformimi i gjithë Europës e më tej.

Sot, mund të shihet fare qartë që në doktrinë dhe teologji shumë prej ungjillorëve janë më afër dhe më të ngjashëm me kishën katolike sesa me Reformatorët Protestantë!

Nëse sot do të qëndrosh të predikosh të vërtetën biblike, do të predikosh doktrinën e shëndoshë dhe kundër gabimit ashtu sic edhe Martin Luteri bëri, do të shihesh si përcarës dhe ekstremist. Në fakt, dhe Papa dhe kisha katolike e pa Martin Luterin si përcares. Papa tha për të që ai është një “derr i egër në vreshtin e Zotit”.

Në këtë epokë moderne të “tolerancës” ku jetojmë dhe për hir të “unitetit” fjalë si “Doktrinë” shkaktojnë një reagim negativ. Sot pranohet cdo gjë për sa kohë që ajo mban etiketen “e krishterë”. Predikuesi i njohur J. C. Ryle tha “Uniteti është bekim i madh, por është i pavlerë nëse është blerë me koston e së vërtetës”. Gjthashtu Spurgeon tha: “Sakrifikimi i të vërtetës për hir të një uniteti të rremë është tradhëti ndaj Zotit Jezu Krisht.”.

Për shumë veta fjala “doktrinë” shkakton një alergji të madhe kur ajo nuk është asgjë tjetër vecëse ‘mësim’. Doktrina biblike është mësimi biblik dhe të mohosh doktrinën është të mohosh mësimin biblik! Për shkak se për hir “të unitetit” sot nuk i kushtohet rëndësi doktrinës së shëndoshë dhe nuk është cudi që mësues dhe mësime të rreme njerëzore ta kanë mësyer ungjillorizmin.

Një nga Solat e Reformacionit ishte Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi. Shkrimi është standarti dhe baza për jetën dhe praktikën. Por sot ka një braktisje të Shkrimeve dhe secili bën atë që duket e mirë dhe e drejtë në sytë e tij. “Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarët 17:6, 21:25). Në teori, shumë shprehen se bazohen te Bibla, por në të vërtetë filozofitë humaniste, psikologjia, pragmatizmi, ndjenjat dhe emocionet janë udhëheqësit kryesorë.

Argëtimi ka zëvendësuar predikimin. Anektodat dhe historitë gallatë kanë zëvendësuar Ekspozimin e Shkrimit. Predikimet motivuese, lajkatuese dhe të zbutura kanë zëvendësuar predikimet për mëkatin, pendesën, dhe shenjtërinë.

Në atë kohë kisha katolike besonte se shpëtimi nuk ishte vetëm prej hirit, por një bashkëpunim midis Zotit dhe njeriut. Dhe kështu nje Sola tjetër e Reformatorëve ishte Sola Gratia – Vetëm Hiri. Reformatorët kundërshtuan me forcë shpëtimin e kishes katolike romake që ishte hir + ca gjëra që bëjme ne. Ata mësuan që rilindja nga lart vjen përpara besimit dhe se shpëtimi ynë është vetëm prej hirit. Por kjo e vërtetë ka humbur sot. Ndonëse sot mund të thuhet që shpëtimi është vetëm prej hirit në të vërtetë ky pohim i mirë mohoet kur më pas thuhet që ai është një bashkëpunim midis Zotit dhe njeriut.  Pra, me fjalë të tjera, për shpëtimin tonë, ca % i bën Perëndia dhe ca % i bëjmë ne. A është ky një shpëtim VETEM prej Hirit?

Ky mësim njerëzor që thotë se shpëtimi është një bashkëpunim u hodh poshtë nga e gjithë kisha e krishterë dhe nga Reformatorët në Sinodin e Dortit, në Hollandë, por ky mësim është shumë prevalues sot. Ky mësim bën autorin e shpëtimit jo Perëndinë, por njeriun. Injorohen plotësisht vargjet që flasin që njeriu është i vdekur shpirtërisht, i verbër dhe i pa aftë të vijë vetë te Perëndia (Mateu 16:17, Gjoni 1:13, 3:19,20, 8:44, Romakët 3:12, 8:7, 1 Korintasit 1:18, 2:14, 2 Korintast 4:3,4, ) është Perëndia ai që na tërheq te Biri (Gjoni 6:44), është Perëndia ai që ndryshon zemrën tonë (Veprat 16:14) dhe na ripërtërin përpara se të besojmë (Gjoni 1:13 3:3), dhe se është Perëndia ai që na jep pendesën dhe besimin (Veprat 11:18, 18:27, Efesianët 2:8,9, Filipianët 1:29, 2 Timoteu 2:25) që Ai vetë kërkon. Të gjithë këto gjëra që Perëndia bën i atribuohet njeriut, fuqisë dhe aftësisë së njeriut dhe vullnetit të tij “të lirë”. Kështu, lartësohet njeriu dhe ulet Perëndia.

Cdo mësim jo biblik apo i rremë, në fakt, gjithmonë do të lartësojë njeriun dhe veprat e tij dhe do të ulë Perëndinë.

Kisha katolike besonte dhe ende beson në fuqinë dhe aftësinë e njeriut për t’i sjellë shpëtimin vetes. Ajo mësonte se njeriu është thjesht i plagosur nga mëkati dhe i lirë. Të gjithë Reformatorët e kundërshtuan këtë dhe thanë atë që Bibla thotë, njeriu është i vdekur në mëkat (Efesianët 2:1) dhe vullneti është skllav i mëkatit (Gjoni 8:34, 2 Timoteu 2:26, Titi 3:3) dhe se ai nuk mund ta shpëtojë dot vetveten ( Jona 2:10, Jobi 14:4, Jeremia 13:23, Romakët 8:7, Gjoni 3:20). Perëndia duhet të ndërhyjë.

Kisha katolike e mohonte zgjedhjen apo paracaktimin e Perëndisë për shpëtimin tonë, ndërsa Reformatorët i besonin dhe i mësonin ato, sepse, Bibla i mëson ato. Nëse sot pyet kishat ungjillore do të zbulosh që është i njëjti mësim me kishën katolike dhe i mohojnë këto të vërteta të mëdha biblike që tregojnë për hirin dhe shpëtimin e madh të Perëndisë, ose përpiqen që t’u jepet një kuptim tjetër.

Teologjia e Reformuar kishte në qëndër Perëndinë dhe ja jepte të gjithë lavdinë Perëndisë dhe rrjedhimisht predikimet dhe ungjilli kishte në fokus Perëndinë. Sot, në ungjillorizëm në fokus është njeriu. Për shkak se njeriu shihet si i lirë, i aftë, i fuqishëm, si autori dhe shpëtimitari vetes së tij, 1. Gjithcka është kthyer rreth njeriut, lajkatimit të njeriut, suksesit të njeriut, prosperitetit të njeriut, motivimit të njeriut, lavdërimit të njeriut, ngritjes së njeriut dhe lartësimit të njeriut. 2. Ungjilli është zbutur, sepse nëse shpëtimi është në dorën e tij, atëhere pse të mos e bëjmë atë më të pëlqyeshëm dhe më të pranueshëm.

Në të njëjtën kohë që përkujtohet Reformacioni dhe ungjillorët janë pasardhës të Reformacionit Protestant shumë kanë alergji nga Reformatorë të caktuar dhe nga mësimet e Reformacionit, sidomos nga fjala ‘kalvinizëm’. Një kalvinist nuk është një ndjekës i Kalvint, por një person që përqafon mësimet e Biblës që u rikuperuan në Reformacion. Ai nuk është asgjë tjetër vecëse një pseudonim për krishtërimin biblik. Eshtë një Rikthim te Bibla.

Disa ungjillorë shprehen se ata nuk janë as arminianë dhe as kalvinistë. Kjo nuk është e vërtetë. Personi mashtron vetveten. Kjo thjesht tregon padituri ose/dhe mossinqeritet. Ti ose beson që shpëtimi është një bashkëpunim ose beson që është vetëm prej Perëndisë. Ti ose beson ne vullnetin e lirë që njeriu vjen vetë tek Perëndia ose beson që ai është skllav i mëkatit dhe për pasojë kur zgjedh do zgjedhe gjithmonë mëkatin në vend të Krishtit sepse mëkatin do, kjo derisa Perëndia të ndërhyjë në mënyrë të mbinatyrshme për ta bërë të shohë dhe ti ndryshojë zemrën për të dëshiruar Perëndinë. Ti ose beson që ti ke zgjedhur Perëndinë ose beson që Perëndia të ka zgjedhur ty përpara se të krijohej bota (Efesianët 1). Nuk ka rrugë të mesme. Ashtu si në rastin tim për shumë vite, ndonëse nuk e njihja fare termin “arminian” dhe as nuk e dija cfarë ai mësonte, me vetëdije apo jo, atë besoja.

Në këtë epokë moderne ku jetojmë sot kemi më shumë nevojë se kurrë për burra si Jan Husi dhe si Martin Luteri dhe reformatorët e tjerë që dhanë jetën e tyre. Ata dhanë jetën e tyre për të vërtetat biblike dhe për reformimin e kishës. Eshtë llogaritur që 50 milionë burra, gra e fëmijë u vranë dhe u dogjën në turrën e druve nga katoliket për shkak se besonin dhe qëndronin për të vërtetat biblike qe u rikuperuan gjate Reformacionit. Por sot, trishtueshëm, kisha është larguar nga Shkrimet dhe të vërtetat për të cilat vdiqën miliona protestantë.

Sot vëmëndja është te njeriu, te përvoja, te vegimet, te emocionet, te argëtimi, te aktivitetet, si të ndihemi më mirë, te vetë-vlerësimi, te vetë-përmbushja, te pasuria, te pushteti, te prosperiteti, te psikologjia, te ngritja e njeriut, te promovimi i njeriut, te fuqia e njeriut, te vullneti i lirë i njeriut, te ulja e Perëndisë që nuk mund të bëjë asgjë pa lejen tonë, ku Perëndia shihet si shërbëtor i njeriut, si Perëndi i pafuqishëm, si Perëndi që është më shumë reagues sesa veprues, me një ungjill të zbutur që nuk ka fuqi, te lajkatimi, te strategjitë mishërore, me taktika marketingu, te gjysmë të vërtetat, te vendimet njerëzore dhe që kanë zëvendësuar ripërtëritjen/rilindjen prej së larti, te mos të folurit për mëkatin, për pendesën, për gjykimin, për zemërimin e Perëndisë, etj.

Sot na thuhet se nuk duhet të diskutojmë, se nuk duhet të debatojmë, se “doktrinat nuk kanë rëndësi”, se këto janë përcarëse. Sot, shumë duan që t’u gudulisen veshët. Shumë janë gati të sakrifikojnë të vërtetën në altarin e paqes dhe unitetit dhe ku shumë duan të ndërtojnë mbretërinë e tyre. Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për burra që e duan të vërtetën, e shpallin atë dhe e mbrojnë atë, dhe që janë gati të vdesin për të. Kur kisha rikthehet te rrugët e vjetra ajo është e fuqishme dhe e ndryshon komplet vendin sic edhe ndodhi gjatë Reformacionit, por kur kisha largohet nga Shkrimi, i braktis të vërtetat e vjetra, shtigjet e vjetra, ajo është pa fuqi.

Martin Luteri dhe Reformatoret e tjere do vinin duart në kokë nëse do shihnin atë që ka ndodhur në ungjillorizimin modern!

Kisha sot është në nevojë të dëshpëruar për një Reformacion edhe më të madh.

Ne sot kemi nevojë për një Reformacion te Ri.

Ne kemi nevojë të pendohemi dhe të rikthehemi përseri te Bibla ashtu si 503 vite më parë.

Hiri i Zotit qofte me ne, na ndihmoftë, na coftë në pendesë dhe na riktheftë tek Bibla.

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *