Nga Puritani James Meikle, “Udhëtari” 14 Qershor 1758.
Ka një ndryshim të thellë si në parim ashtu dhe në praktikë, midis të perëndishmit dhe të paperëndishmit.
Dashuritë e të perëndishmit janë të rafinuara shpirtërisht — dhe dëshirat e tyre janë lartësuar.
Prirjet e të paperëndishmit janë të korruptuara dhe të prishura — dhe dëshirat e tyre janë tokësore.
Mëkati ka veçëse një vend të lëkundur, dhe një vendbanim të përkohshëm — në të perëndishmin.
Por mëkati e ka vendosur fronin e tij, dhe ka bërë vendbanimin e tij të përhershëm — në të paperëndishmin.
Në të perëndishmin, hiri dhe mëkati luftojnë për sovranitet.
Në të paperëndishmin, mëkati sundon si tiran dhe nuk ka luftë.
I perëndishmi është thellësisht i shqetësuar për botën që do të vijë.
I paperëndishmi nuk ka asnjë shqetësim për realtietet e përjetshme.
E folura e të perëndishmit është e kripur me hir.
E folura e të paperëndishmit është pa shije dhe e kotë.
I perëndishmi e ka shpresën të vendosur mbi Perëndinë.
I paperëndishmi nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tij.
I perëndishmi e përdor botën pa abuzuar me të.
I paperëndishmi, duke përdorur botën, abuzon si me veten ashtu edhe me të.
I perëndishmi sheh Perëndinë në jetën e tij të përditshme, dhe gëzohet në Të me gjithë zemrën e tij.
I paperëndishmi thotë në praktikë: “Nuk ka Perëndi!” dhe në zemrën e vet dëshiron që të mos kishte Perëndi.
I perëndishmi adhuron Krijuesin mbi gjithçka tjetër.
I paperëndishmi dhuron krijesën më shumë sesa Krijuesin.
I perëndishmi e përdor emrin e Perëndisë me nderimin më të thellë, dhe largohet nga paudhësia.
I paperëndishmi e blasfemon emrin e Perëndisë me paturpësi, dhe shton paudhësi te mëkati.
I perëndishmi e shpengon kohën e tij.
I paperëndishmi e shpërdoron kohën e tij.
I perëndishmi e studion detyrën e tij për t’ju bindur të gjitha urdhërimeve të Perëndisë.
I paperëndishmi e shkund veten nga urdhërimet e Perëndisë.
I perëndishmi i fal armiqtë e tij.
I paperëndishmi ngre kurthe për armiqtë e tij.
I perëndishmi ia lë në dorë Perëndisë të hakmerret për të këqijat që i janë bërë.
I paperëndishmi, në mënyrë përvëluese dhe të trazuar — kërkon hakmarrje.
I perëndishmi e do pastërtinë në të gjitha gjërat.
I paperëndishmi zhgërryhet në papastërti.
I perëndishmi është i kënaqur me gjendjen e tij.
I paperëndishmi lakmon gjithë ditën.
I perëndishmi është i pastër në zemër.
Zemra e të paperëndishmsit është si një kafaz plot me bisha të papastra.
I perëndishmi ecën me liri në rrugët e Perëndisë.
I paperëndishmi është shërbëtor dhe skllav i mëkatit.
Fryma e Shenjtë sundon në zemrën e të perëndishmit.
Satani sundon në zemrën e të paperëndishmit.
I perëndishmi e ka qytetarinë e tij në Qiell.
I paperëndishmi e ka qytetarinë e tij në Ferr.
Ashtu siç ka një ndryshim kaq të madh në parimet dhe praktikat e tyre — po kështu është edhe në destinacionet e tyre të përjetshme.
Perëndia është besnik — Ai ka premtuar lumturi për besimtarin, dhe ka kërcënuar hakmarrje për të ligun.
“I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.” Fjalët e Urta 14:32
Të perëndishmit janë nën bekimin e dashurisë së Perëndisë.
Të paperëndishmit janë nën mallkimin e drejtësisë së Perëndisë.
Të perëndishmit me gëzim, marrin ujë nga puset e shpëtimit.
Të paperëndishmit do të pijnë nga zemërimi i të Gjithëfuqishmit.
Të perëndishmëve, u takojnë të gjitha premtimet e mëdha e të vyera.
Të paperëndishmëve, u takojnë të gjitha kërcënimet e Perëndisë.
Qielli do të jetë pallati i të perëndishmëve!
Ferri do të jetë burgu i të paperëndishmëve!
Ndërkohë që të perëndishmit do të banojnë nëpër përjetësi me Perëndinë,
të paperëndishmit do të hidhen në errësirën e përjetshme!
Kështu, të drejtët dhe të ligjtë ndahen në jetën e tyre, dhe ndahen në vdekjen e tyre.
Ata ndahen . . .
në parimet e tyre,
në praktikat e tyre,
në zgjedhjet e tyre,
në gëzimet e tyre,
në mendimet e tyre,
në shoqërinë e tyre,
në të folurën e tyre,
në frikërat e tyre,
në pritjet e tyre,
në vdekjen e tyre, dhe
përgjatë vetë përjetësisë së tyre!