Lutja e Qendërzuar te Perëndia

Nga Derek Thomas

Është e lehtë të jesh qortues për lutjen, veçanërisht kur është fjala për lutjet e të tjerëve. Fjalët e Robert Murray McCheyne citohen shpesh sepse në një mënyrë të dhimbshme ato janë të vërteta: “A do që të përulësh një njeri? Pyete për jetën e tij të lutjes.”

Lutjet tona tregojnë shumë për ne. Lutjet me pak ose aspak adhurim dhe që fokusohen te nevojat tona (zakonisht te shëndeti) zbulojnë një prirje të shtrëmbëruar adamike. Ajo që këto lutje zbulojnë është qendërzimi te vetja, atë që Martin Luteri e etiketoi si homo in se incurvatus, “njeriu i lakuar në vetvete.” Dëgjo lutjet në takimin e lutjes së kishës (nëse një i tillë ekziston ende). Ti do të zbulosh që shumica e lutjeve janë një “recitim i organeve” — lutje për mëlçinë, lutje për veshkën, ose lutje për zemrën e dikujt. Nuk po them që nuk duhet të lutemi për problemet shëndetësore, por një merak me shëndetin është në vetvete, një reflektim se sa pak që kuptojmë se përse po e kërkojmë një shëndet të mirë. Ne e dëshirojmë këtë në mënyrë që personi për të cilin po lutemi të jetojë për Jezu Krishtin.

Lutja është “të flasësh me Perëndinë” (Graeme, Lutja dhe Njohuria e Perëndisë, f. 15). Disa herë, ndoshta shumë shpesh, “e folura” është e gjitha rreth nesh. Besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të kemi pasur biseda të mërzitshme që kanë qënë tërësisht të njëanëshme, duke shfaqur shumë pak ose aspak interes në ne. Gjithçka është rreth tyre — interesave, dëshirave, nevojave, dhe ankesave të tyre. Lutja mund të bëhet e tillë: ne derdhim hallet tona, bëhemi totalisht të zhytyr në veten tonë, dhe nuk tregojmë fare interes në dialog që përfshin “të dëgjuarit” e asaj që Perëndia ka për të thënë. Perëndia është i durueshëm dhe, në hirin e Tij, Ai përgjigjet mirëpo nuk duhet të jetë kështu. Kur Jezusi na mësoi të lutemi, Ai na tregoi që lutja fillon (dhe vazhdon) me Perëndinë: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.” (Mateu 6:9). Hidhi një sy strukturës së Lutjes së Zotit, dhe do të të tregojë që të paktën gjysma e të luturit tonë duhet të ketë lavdërim dhe adhurim të Perëndisë.

PERSON

Shumë faktorë e ndikuan Tertulianin të jepte termin personae (d.m.th persona) për të paraqitur trinitetin e Perëndisë, por ai e përdori këtë fjalë kryesisht për shkak se Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë “flasin” me njëri-tjetrin. Ata lidhen personalisht — me njëri-tjetrin dhe ndaj nesh. Në fjalë të tjera, Perëndia komunikon me Veten e Tij dhe njerëzit e Tij. Është e arsyeshme, pra, që lutja duhet të konsistojë në komunikim personal — të flasësh me Perëndinë me kërkueshmëri për natyrën dhe dëshirat e Tij, dhe zell për të mësuar për gjërat që e kënaqin Atë dhe nuk e kënaqin Atë.

Kërkesa e parë e Lutjes së Zotit, midis gjërave të tjera, na kujton që duhet të ketë një fokus të qartë nga ana jonë se kush është Perëndia dhe se si është Perëndia. Teologët kanë reflektuar se si ne e njohim Perëndinë dhe çfarë ne dimë për Të. Përgjigjja shpesh ka ardhur në këtë formë: ne dimë shumë pak për pyetjen “Çfarë është Perëndia?” Ajo që ne dimë (sepse Perëndia na e ka zbuluar) është për pyetjen “Si është Perëndia?” Perëndia na e tregon se si është Ai duke na zbuluar emrin e Tij.

Mendjet tona, me vetëdije apo pavetëdije, janë (për të përdorur frazën e Zhan Kalvin) “fabrika idhujsh,” që në mënyrë të vazhdueshme jepen pas formulave “Më pëlqen të mendoj për Perëndinë si…”, të gjitha këto janë gabim, të ngjizura nga një paragjykim i vazhdueshëm anti-Perëndi në sistemet tona mendore morale dhe shpirtërore. Për të shmangur idhujtarinë në lutje, ne duhet të fillojmë të rikujtojmë vetveten për Emrin e Tij — qoftë kjo emri i besëlidhjes së Perëndisë “UNË JAM AI QË JAM” ose Jahveh (që do të thotë, vetë-ekzistues, i vetë-qendrueshëm, vetë-vendosës, kudo i pranishëm, dhe gjithmonë në kontroll); ose, siç Lutja e Zotit e përmbledh në mënyrë të mrekullueshme, “At” (shprehje e të resë së besëlidhjes së re dhe qasjes dhe statusit që vepra e Shpengimtarit tonë na ka bërë pjesë); ose, “At, Bir, dhe Frymë e Shenjtë” (ashtu siç vetë Jezusi e shpalosi në Porosinë e Madhe te Mateu 28:19). Kur Jezusi dërgoi dishepujt e Tij për të pagëzuar në “emrin” (njëjës) të “Atit, Birit, dhe Frymës së Shenjtë,” Ai zbuloi të vërtetën e papërshkrueshme që ka më shumë sesa një në një Perëndi.

Lutja me në qëndër Perëndinë reflekton mbi natyrën e Perëndisë, si është Ai — Atributet e Tij. Ky është fokusi i një ngjarjeje ku Perëndia i tregon Moisiut emrin e Tij. Konteksi (Eksodi 34) është ngjarja e rëndë e viçit të artë (fabrika e idhujve të njeriut duke punuar përsëri). Pasi pastroi këtë rrëmujë, Moisiu u ngjit përsëri në malin Sinai vetëm që t’i tregohej edhe një herë emri i Perëndisë (Jahveh, Eksodi 34:5), por tani të zgjeruar me një shpjegim të natyrës së Tij: “Atëhere Zoti zbriti në renë dhe u ndal aty pranë tij, dhe shpalli emrin e Zotit. Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: ‘Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt.’” Hir, mëshirë, dhe shenjtëri janë atribute që Perëndia i përcakton Vetes — shenjtëria duke qënë përsosmëria e Tij morale në shpagim i përgjigjet padrejtësisë dhe mosmirënjohjes. Lutja me në qëndër Perëndinë kërkon një njohuri të duhur të Perëndisë në lavdinë e Tij Trinitariane.

LAVDËRIM

“Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.” (Psalmi 147:1)

Perëndia është i denjë për t’u lavdëruar. Ta pranojmë këtë në qënien tonë si njerëz nuk është aq e lehtë sa mund të mendojmë. Të luturit me në qendër veten (gjë që është një formë idhujtarie) nuk arrin të vlerësojë që qëllimi jonë këtu në tokë është të lavdërojmë Krijuesin dhe Shpengimtarin tonë. Dëgjoni psalmistin ndërsa ai lartëson lavdueshmërinë e Perëndisë përsëri dhe përsëri. Psalmet kanë qënë dieta kryesore për të krishterët. Të krishterët këndonin psalme rreth tryezës së dhomës së ngrënies dhe në shërbesën e së dielës në kishë. Kështu, në mënyrë të natyrshme, lavdërimi me në qëndër Perëndinë i librit të Psalmeve u bë gjuha e tyre e lutjes. Por meqënëse këndimi i psalmeve është venitur sot, lavdërimi i pasur dhe lartësues i Zotit që Psalmet paraqesin është venitur gjithashtu.

J.I. Packer na rikujton për nevojën për të bërë dallimin midis lavdërimit dhe falenderimit, dhe për t’u siguruar që t’i bëjmë të dyja:

Lutjet falenderuese fokusohen deri në një farë mase te ne. Ne e falenderojmë Perëndinë për dhurata të veçanta që na janë dhënë neve dhe të tjerëve personalisht, dhe për dhuratat e përgjithshme të derdhura mbi të gjithë. Nga ana tjetër, lavdërimi, fokusohet drejtpërdrejt te Perëndia. Ne e lavdërojmë atë për atë që Ai është dhe çfarë Ai është. Është diferenca midis një bashkëshorti që i thotë tjetrit, “Ti je personi më i kuptueshëm që njoh; kjo është arsyeja që të dua kaq shumë” dhe “Faleminderit për sanduiçin; Kisha nevojë për të.” (Të luturit: Të gjejmë rrugën tonë nga detyra në kënaqësi, f. 31)

PRANIA

Lavdërimi i Perëndisë nuk na vjen në mënyrë të natyrshme. Ne duhet të jemi të vendosur për të. Ja pse Jezusi paralajmëroi dishepujt e Tij në hyrjen e Lutjes së Zotit për një performancë religjoze të shqetësuar më shumë për kremtim dhe pamje të jashtme sesa vërtetësisë së brendshme dhe adhurimit të vërtetë. “Hipokrit” është fjala që Jezusi përdor (Mateu 6:5), një fjalë që është po aq ofenduese sot saç ishte edhe atëhere. Të luash, të pretendosh të lutesh, të lutesh pa realitetin e njohjes që jemi në praninë e Perëndisë, është një gjykim i ashpër por i vërtetë. Kur ne bëjmë gjëra të tilla, ne po lutemi që të lartësojmë vetveten, jo Perëndinë. Është qendërzimi te vetja që na mundon, që duhet të nxirret dhe të shkatërrohet. Lutja e vërtetë, lutja e qendërzuar te Perëndia, kupton që premtimi i lutjes është vetë Perëndia. Të jesh në praninë e Perëndisë është shpërblimi më i madh i lutjes. Njerëzit e perëndishëm gjithmonë kanë shijuar këtë:

“O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë tënde dhe vendin ku qëndron lavdia jote.” (Psalmi 26:8)

“Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.” (Psalmi 65:4)

A di nonjë gjë nga kjo? Nëse jo, kërkoje Atë deri sa ta gjesh Atë.

“Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.” (Isaia 55:6)

PRAKTIKA

Si mund të sigurohemi që lutjet tona janë të qendërzuara te Perëndia? Konsideroni këtë strategji me pesë hapa:

1. Kujto veten që ka vetëm një Perëndi në univers, dhe ti nuk je ai.

2. Adhurimi vjen i pari, përpara rrëfimit, falenderimit, ose përgjërimit. Adhuro Perëndinë në lutjen tënde.

3. Lexo një psalm përpara se të lutesh, dhe përpiqu të imitosh atë që gjen: një preukopim me Perëndinë në të gjithë natyrën e Tij të shumëanëshme. Gjej psalme gëzimi ose hidhërimi, lavdërimi ose vajtimi, dhe vër re se si psalmisti e kalon kohën me Perëndinë, duke e bërë Atë qëndrën e mendimeve dhe dëshirave të tij.

4. Mëso të duash emrat e Perëndisë në mënyrë që thënia dhe përsëritja e tyre të të mbushë me një gëzim të pashprehshëm, një kujtesë të asaj që Ai është dhe besnikërisë së besëlidhjes së Tij ndaj teje në ungjillin e hirit të Tij.

5. Mëso “të presësh” ne Zotin. Shih se si psalmisti, “i dobët” ndërsa mendon për problemet e tij, gjen ngushëllim ku me qëllim fokusohet në gjërat e mëdhaja që Perëndia ka bërë: “Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.” (Psalmi 77:11–12).


Derek Thomas është predikues në kishën e parë presbiteriane në Kolumbia S.C., SHBA. Ai gjithashtu është profesor i teologjisë sistematike dhe pastorale në Seminarin Teologjik të Reformuar.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *