Bibla, Zbulesa dhe Dhuntitë e Shenjave të Apostujve

Cesacionizmi

Nga Robert Rothwell

“Ata adhurojnë në atë mënyrë sepse ata nuk e kanë Frymën e Shenjtë.” Unë e dëgjoja shpesh këtë deklaratë kur isha një i krishterë Pentakostal/Karizmatik vite më parë sa herë që ne pentakostalët flisnim për besimtarët jo-pentakostalë, veçanërisht për ata që ndiqnin një formë liturgjie. Ne besonim që megjithëse jo-pentakostalët ishin të shpëtuar atyre u mungonte vajosja e Frymës së Shenjtë, siç dukej qartë në stilin e tyre të adhurimit që së jashtmi ishte më pak entuziast dhe më i strukturuar se i joni. Teologjia jonë pentakostale na thoshte që dhuntia e gjuhëve dhe profecisë nuk pushuan asnjëherë, kështu që çdo grup që nuk praktikonte këto dhunti dhe entuziasmin e jashtëm tipik që i shoqëronin i’u mungonte Fryma, ose të paktën plotësia e pranisë së Tij. Në këndvështrimin tonë, të besoje që ato dhunti kishin pushuar ishte të besoje që Fryma e Shenjtë nuk po punon te njerëzit e tij. Ne ishim kundër cesacionizmit, doktrinës që dhuntitë shpirtërore që komunikojnë ose konfirmojnë zbulesën hyjnore — veçanërisht dhuntia e gjuhëve, mrekullive, dhe profecisë — pushuan me vdekjen e Apostullit të fundit.

Të them të drejtën, shumica e fajit për barazimin e pozicionit cesacionist me mosbesimin në praninë e vazhdueshme dhe veprën e Frymës qëndron tek unë dhe te miqtë e mi pentakostalë. Ne nuk e studiuam cesacionizmin me detaje ose të flisnim me përfaqësuesit më të mirë të atij pozicioni. Prapësëprapë, edhe cesacionistët nuk ishin tërësisht pa faj. Të gjithë ne e dinim që cesacionistët ishin cesacionistë thjesht nga tradita, jo nga bindja. Si është e drejtë të fajësosh të krishterët pentakostalë/karizmatikë që e keqkuptonin cesacionizmin kur të vetmit cesacionistë që ata njihnin mohonin realitetin e të ashtuquajturave dhuntitë e shenjave të gjuhëve, mrekullive, dhe profecisë më shumë për shkak se kishin frikë nga e pazakonshmja sesa nga argumenti i mirë-zhvilluar biblik?

Do duhej të shkruhej një libër i tërë për të paraqitur dhe mbrojtur cesacionizmin, por thelbi i këtij pozicioni mund të thuhet shkurtimisht. Kur Perëndia jep zbulesë të re të veçantë, Ai përdor metoda të jashtëzakonshme si profecia dhe gjuhët për të përçuar atë zbulesë dhe shenjat e jashtëzakonshme siç janë mrekullitë për të konfirmuar ata që duhet të pranojmë (profetët dhe Apostujt) si lajmëtarët e Tij të frymëzuar për atë zbulesë. Rrjedhimisht, kur Perëndia nuk është duke dhënë një zbulesë të re të veçantë, Ai nuk përdor metodat dhe shenjat e jashtëzakoshme por Ai punon në dhe përmes ekspozimit të zbulesës së Tij të veçantë (Shkrimit) nga mësues me dhunti dhe pleq kishe të caktuar si duhet.

Ia vlen që të përmëndim disa prej provave biblike për cesacionizmin. Së pari, Njerëzit e Perëndisë kanë kaluar shekuj pa një profet në kohë të ndryshme në histori. Për shembull, Perëndia nuk i foli popullit të Tij me anë të profetëve — të paktën nga profetët siç i konceptojmë zakonisht — nga Abrahami te Moisiu. Për më tepër, judenjtë e shekullit të parë kuptonin që Zoti nuk dërgoi asnjë profet gjatë katër shekujve midis Malakias dhe Gjon Pagëzorit. Prapësëprapë, Perëndia punonte edhe në këto periudha edhe kur nuk kishte profet.

Së dyti, mrekullitë nuk ishin ngjarje të përditshme gjatë kohëve biblike. Ato ndodhnin vetëm kur Perëndia u jepte zbulesë të re njerëzve të Tij që do të shkruhej. Duke e parë Shkrimin si të tërin, ne shohim tre periudha të mëdha të mrekullieve: gjatë kohës së Moisiut, Elias dhe Eliseut, dhe Jezusit dhe Apostujve të Tij. Zbulesë e re e veçantë nga Perëndia karakterizonte çdo periudhë. Moisiu mori Ligjin dhe u bë ndërmjetësi i besëlidhjes së vjetër. Elia dhe Eliseu pëerfaqësojnë themelimin e ofiqit profetik dhe të shumë orakujve që profetët do të jepnin. Jezusi dhe Apostujt themeluan besëlidhjen e re dhe dhanë udhëzim të nevojshëm për epokën e besëlidhjes së re. Duke patur parasysh se edhe mrekullitë biblike ishin kaq të kufizuara, nuk ka arsye të presësh që do të ketë njerëz në çdo brez me dhuntinë për të bërë mrekullira.

Së treti, Hebrenjtë 1:1–4 na tregon që Fjala përfundimtare e Perëndisë për ne është Biri i Tij dhe që mënyra e Tij e të folurit përmes Birit të Tij — dhe kështu përmes Apostujve që folën me autoritetin e Tij ndaj kishës — nuk është e njëjta me mënyrat e ndryshme që Ai foli përpara se të vinte Jezusi. Duke qënë se Jezusi është Profeti ynë dhe që Apostujt e shekullit të parë ushtruan një shërbesë profetike, ndryshimi midis Jezusit dhe Apostujve të Tij dhe profetëve të besëlidhjes së vjetër nuk është që Jezusi dhe Apostujt e Tij përdorën metoda të reja në mësim por që ata folën me finalitet ose mbarim vendimtar. Ata hodhën themelin e kishës (Efe. 2:18–22), kështu që ne nuk presim zbulesa të vazhdueshme, sepse themeli hidhet vetëm një herë. Nuk ka nevojë që Jezusi të japë më përmes profetëve dhe Apostujve.

E fundit, kur ne shohim udhëzimet që Jezusi dhe Apostujt japin për periudhën pas-Apostolike, ne nuk gjejmë asnjë thirrje për kishën që të shohë për profetë ose të presë njerëz të bëjnë mrekullira ose të kërkojnë për ata që flasin në gjuhë që të japin një mesazh të ri ose udhëheqje nga Perëndia. Me vend këtu janë pasazhet si lamtumira e Palit ndaj pleqve në Efes te Veprat 20 dhe letrat përfundmtare të shkruar nga Apostujt përpara se të vdisnin, duke përfshirë 1 dhe 2 Timoteu dhe Titin nga Pali dhe 1, 2, dhe 3 Gjoni nga Gjoni. Çfarë e urdhërojnë këtë pasazhe që të bëjë kisha? Të qëndrojnë te Mësimi Apostolik — që kisha tashmë e ka marrë, jo të shoh për zbulesa të reja.

Nën dritën e gjithë kësaj, dhe duke pasur parasysh doktrinën shumë të lartë të Shkrimit në teologjinë e Reformuar, nuk është çudi që cesacionizmi ka qënë pozicioni standart i Reformuar. Në fakt, të besosh që dhuntia e gjuhëve, profecisë, dhe mrekullive kanë pushuar është kaq e mbështjellë me të kuptuarin rrëfyes të Reformuar të Fjalës së shkruar të Perëndisë dhe fuqisë deklaruese të kishës pas-Apostolike saqë në të vërtetë është e pamundur që të jesh i Reformuar dhe të besosh që dhuntitë e lartpërmëndura vazhdojnë. Nëse zbulesa e veçantë hyjnore nuk ka përfuduar, nëse profecia dhe dhuntitë e lidhura vazhdojnë, ne nuk kemi asnjë zgjidhje veç ta shënojmë këtë zbulesë dhe ta ndjekim, sepse Perëndia kërkon që të mbajmë dhe të ndjekim Fjalën e Tij. Nëse zbulesa e veçantë hyjnore nuk ka përfunduar, Perëndia nuk ka folur në mënyrë përfundimtare në Birin e Tij, dhe kanoni i mbyllur i Shkrimit nuk mund të jetë rregulla jonë përfundimtare për besimin dhe praktikën. Të kombinosh Teologjinë e Reformuar me pozicionin kontinuist që dhuntitë e profecisë, mrekullieve, dhe gjuhëve vazhdojnë është të prodhosh një përzierje të paqëndrueshme dhe të pa pajtueshme të elementeve kontradiktore.

Por kjo nuk do të thotë që cesacionistët mohojnë praninë e vazhdueshme dhe veprën e Frymës së Shenjtë. Ne cesacionistët nuk besojmë që Fryma është e paaftë të flasë përmes profetëve sot, por vetëm që Ai ka zgjedhur të mos e bëjë këtë. Ne cesacionistët besojmë që Fryma mund të shërojë dhe shpesh shëron njerëz në mënyra të papritura kur ne lutemi për to. Ne besojmë që Fryma e Shenjtë na flet përmes ekspozimit të shëndoshë të Fjalës së Tij. Ne besojmë që Ai hap dhe mbyll dyer për ne dhe madje që rregullon “rastësi” providenciale në jetët tona. Në fakt, Unë deklaroj që cesacionizmi i Reformuar tradicional ka një këndvështrim më të lartë për fuqinë dhe lirinë e Frymës sesa kontinuizmi tradicional. Kjo për shkak se ne rrëfejmë që Fryma duhet të sjellë shpirtra të vdekur në jetë në mënyrë që të besojmë; që Ai e bën këtë pa marrë leje, sepse në gjendjen tonë të vdekur shpirtërore jashtë Krishtit ne nuk do të kërkojmë për jetë të re; dhe që Ai vepron kështu vetëm për ata që Ai lirisht zgjedh dhe në momentin e zgjedhjes së Tij.

 

 

Pse e lashë Pentakostalizmin

Lon Hetrick

Ishte viti 1906

Njerëzit në Topeka dhe Los Angeles ishin duke kërkuar për… diçka.

Çfarë ata gjetën te “Apostolic Faith Gospel Mission” në rrugën Azusa në Los Angeles – të folurit në gjuhë, përvoja ekstazie, profeci dhe shërime hyjnore të pretenduara – i dha jetë lëvizjes moderne pentakostale.

 

Ishte viti 1979

Unë ishta 16 vjeç, dhe isha duke kërkuar për… diçka.

Në dy vitet e mëparshme unë isha bërë më shumë e më shumë i vetëdijshëm të asaj që disa njerëz e quajnë “vrimë në formën e Perëndisë” në shpirtin tim. Unë gjithashtu kisha mësuar së fundmi cili ishte “kunji” i Perëndisë: ungjilli.

Babai im dhe pastori i kishës pentakostale në të cilin bënim pjesë më tregoi për lajmin e mirë që Perëndia kishte dërguar Birin e Tij të vetëm, Jezusin, për të më shpëtuar nga ndëshkimi që meritoja për mëkatet e mia, në mënyrë që të merrja falje dhe jetën e përjetshme përmes besimit në Të. Nuk ishte fiks kështu, por ishte mjaftueshëm e qartë që ta kuptoja. Unë e refuzova dhe rezistova në fillim, duke luajtur një lojë macja me miun me Perëndinë. Por përfundimisht, sic edhe C. S. Lewis e shkroi te “I habitur nga gëzimi”, zbulova që unë isha miu, dhe i’u dorëzova maces hynore.

 

Ishte viti 1999

Unë isha 36 vjeç, dhe isha duke u lutur për njerëzit që po kërkonin për… diçka.

Unë isha një pastor pentakostal, që bashkë me një pastor tjetër dhe një ungjilltar që po na vizitonte, po vinim duart te njerëzit dhe po luteshim për ta që kishin mbushur skenën, pas një predikimi dhe ftese që foli për çdo nevojë të mundshme shpirtërore që kishin njerëzit.

Këta njerëz ishin të sinqertë. Shumica, në mos të gjithë, ishin të krishterë. Disa donin shërim. Disa donin një përgjigje për një lutje specifike. Disa donin një ndjesi më të madhe të pranisë së Perëndisë në jetët e tyre. Disa donin liri nga zakonet mëkatare.

Të gjithë ishin të kapur nga emocionet e turmës, muzika, dhe lutja e zjarrtë zhurmëmadhe.

Dhe unë, ndërsa isha duke i vendosur duart dikujt— Kam harruar fytyrën dhe nevojën e tij — mendova me veten,

“Ti hipokrit! Ti e di që kjo formë fetare e nxitur nga emocionet nuk është ajo çfarë këta njerëz kanë nevojë, dhe ja ku ti po e promovon atë.”

 

Tani është viti 2012

Unë jam 49 vjeç, dhe nuk jam më pastor pentakostal. Unë jam një i krishterë i thjeshtë që identifikohet me besimin historik të Reformuar. Sa më shumë që e studioja Biblën, teologjinë, dhe historinë e kishës, aq më shumë nuk isha i gatshëm të përqafoja lëvizjen moderne Pentakostale të Krishtërimit, megjithëse ishte lëvizja që me prezantoi me Jezusin në vitin 1979.

Do doja të të thoja, me thënë të drejtën, dua të inkurajoj cdo të krishterë pentakostal të rikonsiderojë nëse rryma moderne Pentakostale rrjedh aq afër lumit të hershëm biblik sic edhe duhet.

Për t’i rënë shkurt, thjesht do të të them se ku qëndroj sot. Thjesht do të t’i them gjërat sinqerisht, dhe unë shpresoj, me përulësi, si diçka për të menduar.

Unë jam bindur që…

1. Pentakostalizmi është në anën e gabuar të Biblës në debatin Arminian dhe Kalvinist, një çështje e madhe që ka ndikim në të kuptuarin tonë për Perëndinë, lirinë, mëkatin, hirin dhe shpëtimin.

2. Pentakostalizmi sakrifikon interpretimin dhe aplikimin e shëndoshë të doktrinës biblike në favor të përvojave shpirtërore. Zyrtarisht shumë pentakostalë do ta mohojnë këtë por në praktikë përvoja e një personi gjithmonë duket që është më lart sesa doktrina, në mënyrë që të shmanget “trishtimi i Frymës.”

3. Pentakostalizmi ka qënë historikisht, dhe vazhdon të jetë, një lëvizje anti-intelektuale që zhvlerëson zhvillimin e të menduarit biblik, dhe duke e parë me dyshim studimin e teologjisë si një element thelbësor të shërbesës besnike të krishterë. Shumica do ta mohonin edhe këtë, por ky është realiteti në radhët e kishës.

4. Pentakostalizmi gabimisht promovon ngjarje të nxitura emocionalisht për të ushqyer rritje shpirtërore (psh. “Takime rizgjimi” dhe “Dalje përpara” sic e përshkrova më herët) në vend të mjeteve të zakonshme të hirit të Perëndisë: lutja e rregullt, studimi dhe dëgjimi i rregull i Shkrimeve, dhe marrjen e rregullt të sakramenteve.

5. Pavarësisht pretendimit për të predikuar “të gjithë ungjillin,” Pentakostalizmi në fund e shtrëmbëron ungjillin. I mungon dallimi biblik sepse e shmang studimin teologjik. Si rezultat, përherë bie viktimë e doktrinave dhe mësimeve të rreme të personalitetve karizmatike: mësimi i prosperitetit, fjala e besimit, mendimi poztitiv, anti-triniteti, etj. Të lëkundur nga çdo erë doktrine, Pentakostali i zakonshëm do të besojë gjithçka që sillet me stil dhe cëcëritje sepse trajnimi/katekizmi biblik dhe teologjik asnjëherë nuk ishin pjesë e planit për rritjen e tyre shpirtërore.

6. E kuptuara pentakostale për Pagëzimin e Frymës së Shenjtë dhe të folurit në gjuhë të tjera është i gabuar. Fraza e njohur nga predikimi i Pjetrit në ditën e Pentakostit, “Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel …,” (Veprat 2:16) duke i’u referuar ngjarjeve të mrekullueshme të asaj dite është huazuar nga Pentakostalët modernë për të provuar të folurit në gjuhë sot. Por, unë besoj që “kjoja” e sotme nuk është “ajoja” e atëhershme.

7. Pentakostalizmi keqkupton marrëdhënien e Dhiatës së Re me Dhiatën e Vjetër. Si rezultat, ata janë të prekshëm ndaj gabimeve moderne teologjike siç janë besimi në rrëmbimin e kishës para Mundimit, një e lexuar futuriste për librin e Zbulesës, dhe një pikëpamje dispensacionaliste për rolin e Izraelit në planin e përjetshëm të Perëndisë.

Dhe kjo është ana teologjike e largimit tim nga Pentakostalizmi. Siç edhe Martin Luteri e tha “Këtu qëndroj. Zoti më ndihmoftë.”

A e shikon edhe ti në të njëjtën mënyrë versionin Pentakostal të Krishtërimit?

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *