Një Pikëpamje e Lartë për Perëndinë

Është krejt thelbësore që kisha ta shohë vetveten si institucion i themeluar për lavdinë e Perëndisë. Kam frikë se kisha në Amerikë është larguar nga ky qëllim i lartë dhe, në vend tij, është përqendruar te humanizmi. Në ditët e sotme kisha duket se mendon që qëllimi i saj është të ndihmojë njerëzit të ndihen më mirë me vetveten. Ajo nuk u ofron njerëzve asgjë më shumë sesa ankerplastë shpirtërorë: e vë theksin te psikologjia, te vlerësimi i vetes, te zbavitja dhe shpërqendrime të tjera, me qëllimin e vetëm që të plotësojë nevojat që ndiejnë njerëzit.

Kisha është kthyer nga një organizëm që thekson njohjen dhe përlëvdimin e Perëndisë, në një organizatë që përqendrohet te nevojat e njeriut. Megjithatë, nëse e njeh dhe e përlëvdon Perëndinë, nevojat e jetës sate gjejnë përgjigje. “Frika e Zotit është fillimi i diturisë” (Fjalët e Urta 9:10). Kur ke një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë, çdo gjë tjetër do të jetë në vendin e duhur. Nuk po them që duhet të shpërfillen nevojat e njerëzve. Ne duhet të shqetësohemi për njerëzit siç shqetësohet Perëndia. Por duhet të gjendet baraspesha dhe kjo gjë nis me një pikëpamje të lartë për Perëndinë. Duhet ta marrim Perëndinë seriozisht!

Ndiej një zemëratë të drejtë ndaj predikuesve dhe të tjerëve, që duan ta heqin Perëndinë nga froni i Tij dhe ta kthejnë Atë në një shërbëtor, i cili duhet të bëjë çfarëdo që ne i kërkojmë. Njerëzit janë pa respekt; nuk dinë se si ta adhurojnë Perëndinë. Disa njerëz mendojnë se adhurimi është çfarëdolloj gjëje që ndez një ndjenjë të ngrohtë. Ata dinë shumë pak për Perëndinë. Ka shumë Marta në kishë, por jo aq shumë Mari (Luka 10:38-42). Ne jemi aq të zënë duke shërbyer, sa nuk gjejmë kohë për t’u ulur te këmbët e Jezusit. Ne nuk dridhemi nga Fjala e Perëndisë. Nuk e lejojmë veten të vihemi ballë për ballë me shenjtërinë e Perëndisë dhe me natyrën tonë, në mënyrë të tillë që Ai të na përdorë për lavdinë e Tij.

Kur një person vdes, jemi të prirur të themi: “Si mund ta lejojë Perëndia një gjë të tillë?”. Ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë një pyetje të tillë. Ne, në fakt, duhet të bëjmë këtë pyetje: “Pse jemi ende gjallë?”. Perëndia, duke qenë i shenjtë, mund ta kishte shkatërruar njeriun kur ai ra për herë të parë në mëkat. Fakti që Perëndia tregohet i hirshëm me ne nuk duhet të na bëjë të jemi indiferentë. Duhet ta marrim Perëndinë seriozisht!

Shikoni raftin e librave tuaj të krishterë. Pjesa më e madhe e librave të shkruar në ditët e sotme shtjellojnë vetëm probleme të parëndësishme. Gjatë kohërave kur kisha ishte më e shenjtë, të krishterët kishin shumë pak libra për të lexuar, por librat që ata kishin u tregonin se si të kishin bashkësi me Perëndinë. Pjesa më e madhe e librave të sotëm nuk e bën një gjë të tillë.

Një pyetësor që u bë gjatë një konference mbarëkombëtare pastorësh, zbuloi që pjesa më e madhe e pastorëve ndiheshin se kishin më shumë nevojë për ndihmë në çështjet mbi familjen. Pavarësisht nga të gjithë librat që janë në qarkullim mbi çështjet që kanë të bëjnë me familjen, kjo mbetet ende një fushë në të cilën drejtuesit e krishterë kanë nevojë për ndihmë. Kështu që çështja nuk është që të shkruhen më shumë libra mbi familjen. Problemi qëndron se njerëzit nuk po e marrin Perëndinë seriozisht, që të ecin sipas ligjeve të Tij. Nëse familjeve u mësohet një pikëpamje e lartë mbi Perëndinë, nuk do të kishte aq shumë probleme familjare në kishë.

Jakobi 4:8 thotë: “Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve”. A ke dëshirë ta jetosh jetën tënde me Perëndinë afër? Nëse i afrohesh Perëndisë, Ai do të të afrohet ty. Por ju thoni: “Kur i afrohem Perëndisë, nervozohem”.

– Xhon Mekarthur (John Macarthur)
Marrë nga libri shqip “Plani i Zotit për Kishën”

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *