Metodat dhe Teknikat Njerëzore vs. Fuqisë dhe Fjalës së Perëndisë

Argëtimet, koncertet, këngëtaret, konkurset, dhuratat (Smart TV, Smartphone, Tableta, etj), nuk mund dhe nuk do të bëjnë kurrë atë që vetëm Fuqia e Perëndisë dhe Fryma e Shenjtë mund të bëjnë, që është të bindë për mëkat, të sjellë pendesë të vërtetë dhe të hapë sytë e verbuar ndaj Shpëtimtarit të lavdishëm.

Asnjë nga gjërat e sipërpërmëndura nuk mund të bindë për mëkat dhe nuk shpëton. Ato janë në fakt mjete dhe metoda të mishit që përdorin edhe kultet. Në evente të tilla nuk mund të ndodhë që nga njëra anë ti i tërheq njerëzit me mjete mishërore (gjëra që njerëzve u pëlqejnë, argëtim, koncert, dhurata, etj) dhe nga ana tjetër të jesh besnik me Ungjillin dhe të flasësh thellësisht për mëkatin, për ferrin dhe për Zemërimin e Perëndisë nën të cilin mëkatarët e pashpëtuar ndodhen. Jo, do të japësh një ungjill të zbutur me gjëra “pozitive” dhe që emërtohet “mesazh shprese”, për t’i bërë ata që të ndihen mirë.

Njerëzit, që janë duke shkuar në Ferr, nuk kanë nevojë t’i ledhatoni, t’i lajkatoni dhe t’i argëtoni. Ata kanë nevojë që me dashuri t’u tregoni të vërtetën për mëkatet dhe mjerimin ku ndodhen dhe se së shpejti do të përballen me Gjykatësin, zemërimi i të Cilit po grumbullohet çdo ditë e më shumë ndaj tyre për shkak të paudhësive të tyre. Njerëzit nuk kanë nevojë për të ashtuquajturat “mesazhe shprese” që japin veçëse një ungjill të zbutur që nuk ka fuqi të shpëtojë dhe që jep shpresë të rreme, por për mesazhe për mëkatin, ferrin dhe Shpëtimtarin.

Të lutem, më dëgjo. Të lutem, mendo! Do jetë një gjykim tepër i ashpër dhe tepër tepër i madh për ata që, nën emrin e Perëndisë, zbusin dhe “përmirësojnë” Ungjillin e Perëndisë. A thua ne jemi më të urtë se Perëndia dhe e dimë më mirë se Ai? Jo vetëm që po ndryshohet Ungjilli i një Perëndie të plotëfuqishëm që do të kërkojë llogari për të por po u bëhet dëm, si në këtë botë, po ashtu edhe në përjetësi, edhe njerëzve të cilëve marrin këtë lloj ungjilli.

Profetët, Krishti dhe Apostujt nuk vepruan asnjëherë në këtë mënyrë. Ata predikonin të vërtetën, pa lajkatuar, dhe u përndoqën dhe u vranë.

Të lutem, mendo dhe shqyrto! Shpëtimi i përket Perëndisë dhe është Ai që i shpëton njerëzit. Nuk varet nga njerëzit dhe sa të kënaqur janë ata me atë që u ofrojmë ne. Detyra dhe përgjegjësia jonë është të përçojmë besnikërisht, mesazhin e Tij, ashtu siç Ai na e ka dhënë.

Pendohu dhe kthehu tek Fjala e Perëndisë. Kthehu tek mënyrat e vjetra dhe tek shtigjet e vjetra dhe, më pas, ne do shohim Fuqinë e vërtetë të Perëndisë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *