LETËR E HAPUR DREJTUAR TË GJITHË TË RINJVE TË KRISHTERË QË PO BËJNË VALIXHET PËR T’U NISUR NË MËRGIM, APO QË JANË DUKE E MENDUAR FORT NJË MUNDËSI TË TILLË

I dashur i ri apo e re e krishterë që tek po shkruaj këto rreshta po bën valixhet, sepse nesër apo në një nga ditët e ardhshme nisesh për mërgim, apo që je duke e menduar fort një mundësi të tillë, kjo letër të drejtohet ty kudo ku ndodhesh. Unë që po të shkruaj jam një vëllai yt në Krishtin, i cili ka pothuajse tre dekada që ka besuar në Zotin Jezu Krisht dhe që gjatë kësaj kohe ka mësuar dy gjëra në lidhje me jetën e krishterë pasi është përballur me të përpjeta e tatëpjeta të shumta, përfshirë këtu edhe me luginën e hijes së vdekjes. Sa për të qenë të gjithë të qartë unë jetoj në Shqipëri dhe e kam ndërtuar jetën time në vendin tim.

Synimi im tek i shkruaj këta rreshta është i thjeshtë: dua të të nxis që ta mendosh edhe nja dy herë të tjera këtë vendim, ose nëse nuk e ke marrë ende ta shtysh për njëfarë kohe apo të heqësh dorë fare prej tij. Mirëpo, jam i vetëdijshëm që kjo letër mund të bjerë në dorë të dikujt që tashmë e ka lënë vendin. Synimi im në rastin tënd o i ri apo e re që e ke bërë këtë është të të bind që të rrish andej edhe për ca kohë derisa të bësh mjaftueshëm para për t’u kthyer në vendin tënd që ta ndërtosh të ardhmen tënde këtu.

Letra është e ndërtuar në formën e pyetjeve përgjigjeve, ku unë do të shtroj një varg pyetjesh dhe më pas do të mundohem t’iu përgjigjem atyre në formën e paragrafëve disarreshtësh.

Pyetja e parë që unë shtroj për ju të gjithë është: përse ju të rinj e të reja dëshironi aq fort të shkoni në vende të tilla, si për shembull, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Holanda, vendet skandinave, SHBA, Kanada e të tjera si këto?

Pyetja e dytë është pasqyrimi identik i pyetjes së mëparshme është: pse ju të rinj e të reja dëshironi aq fort ta lini këtë vend, madje një orë e më parë? Është edhe një pyetje e lidhur me këtë: pse ju që të gjithë mendoni se Shqipëria nuk bëhet?

Pyetja e tretë është: nëse vërtet duhet të rrimë në këtë vend duke e ditur se si është, atëherë si t’ia bëjmë që të ndërtojmë një të ardhme normale në këtë vend për veten dhe fëmijët tanë?

Le t’i përgjigjemi, pra, pyetjes së parë… E vërteta është që një arsye madhore pas dëshirës suaj për t’ia mbathur prej këtej është fakti që në vendet që sapo përmenda fitohet mirë edhe bëhen para edhe duke bërë një punë që në Shqipëri nuk është edhe aq e mirëpaguar. Shumica juaj vjen nga familje të varfra që asnjëherë nuk ia kanë dalë të bëhen shtresë e mesme edhe që ta shijojnë jetën; varfëria ka qenë përherë e shtruar në sofrën tuaj edhe jeni lodhur duke i parë prindërit tuaj tek vuajnë nën peshën e saj. Mirëpo, kjo që sapo shkrova më sipër i përket më tepër përgjigjes së pyetjes së dytë, kështu që po kthehem menjëherë në temë. Ka edhe diçka tjetër përveç parave që ju shtyn drejt atyre vendeve, edhe e cila me një fjalë të vetme mund të përshkruhet si normaliteti i jetës. Ato janë vende ku mungojnë këto ekseset e Shqipërisë, ku jetohet në mënyrë të paqtë, edhe ku zor se ndeshesh me njerëz që janë kafshë. A është kështu apo jo? Ato janë vende ku puna vlerësohet edhe ku njeriu që punon mirë edhe që angazhohet në të mirë të shoqërisë vlerësohet edhe më tepër! Janë vende ku ka edukatë dhe respekt për tjetrin e shumë të mira si këto! Pra, janë vende ku njerëzit janë njerëz edhe ia kanë dalë të krijojnë një mjedis njerëzor për të shkuar një jetë normale.

Mirëpo lind pyetja që në dukje duket si e largët, por që na ndihmon për të kapur thelbin e çështjes është si ia dolën ata që ta krijonin këtë mjedis njerëzor ku mund të jetohet një jetë normale? Përgjigjen duhet ta kishit gjetur me kohë, ndonëse duket pak si e fshehur nën pluhurin e shekujve. E pra, është shumë e thjeshtë: Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Holanda dhe vendet skandinave janë vende të krishtera, të ndërtuara mbi parimet e Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Përveç kësaj, ato ishin vatra dhe selia e lëvizjes më të madhe frymërore që ka njohur njerëzimi gjer më sot: Reforma Protestante-Ungjillore e Shek. XVI (vitet 1501-1600). Reforma Protestante-Ungjillore ishte një periudhë transformimi frymëror dhe mendor, tërësor e rrënjësor të popujve të tërë, të cilët madje brenda disa dhjetëvjeçareve ndryshuan rrënjësisht mënyrën e tyre të jetesës. Për shembull, ungjilli i shndërroi zviceranët brenda disa dekadave nga një vend që shisnin mercenarë për mbretin e Francës dhe princat e Italisë në vendin e bankave, çokollatës dhe prodhimit të orëve. Një shembull tjetër edhe më i jashtëzakonshëm është ai i Holandës, i cili u bë vend falë Ungjillit. Ishte Ungjilli që i bashkoi provincat e Vendeve të Ulëta në një vend të vetëm dhe që i bëri holandezët që të ngadhënjenin mbi ushtritë e Perandorisë më të fortë të asaj kohe që ishte Perandoria Spanjolle. Ishte Ungjilli ai që e zhvilloi aq shumë Holandën sa të shndërrohej brenda 50 vjetëve nga fundi i luftës me Spanjën në Mbretëreshën e Deteve dhe nxitësen e eksplorimit të pjesëve të pazbuluara të botës! Po kemi edhe shembullin e Britanisë së Madhe që Zoti e ktheu në një perandori ku nuk perëndonte kurrë dielli, sepse e përdori si një mjet për përhapjen e Ungjillit në Afrikë, Azi dhe Oqeani. Tani me të drejtë ti i dashur lexues mund të thuash po ç’lidhje ka e gjitha kjo ligjëratë me dëshirën time për të emigruar në këto vende? Ka i dashur lexues ka, sepse ai normaliteti i jetës që ti po e lakmon edhe që e sheh në këto vende, por edhe në SHBA dhe Kanada – vende të themeluara prej banorëve të vendeve të lartpërmendura, është pikërisht për shkak të atij Ungjillit që dikur mbretëroi sovran në to edhe që i shndërroi rrënjësisht jetët e shumicës së banorëve të tyre. Kështu ka ndodhur në çdo vend ku ka hyrë Ungjilli dhe ku falë tij kanë ndryshuar jetët e pjesës dërmuese të banorëve të tij! Ti dëshiron me aq zjarr të shkosh në ato vende, sepse falë veprës së Ungjillit atje u arrit ai normalitet jete për të cilin ti e ndjen se ke nevojë dhe se është gjëja më e mirë për ty dhe për familjen tënde.

Tani erdhi çasti që t’i japim përgjigje pyetjes së dytë, përgjigje të cilën e kemi dëgjuar në forma të ndryshme prej të gjithë atyre që kanë ikur ose po ikin. Në thelb, ajo që thonë ata është se: (1) jetojmë në një vend ku nuk ka normalitet, pra është një vend kafshësh, ku njeriu për njeriun është ujk edhe ku ndodhin gjithfarë eksesesh idiote edhe absurde; (2) nuk ka meritokraci, punët e mira dhe favoret e ndryshme i përfitojnë o ata që janë të afërmit e dikujt që është i veshur me pushtet o ata që janë të lidhur me partinë në pushtet; (3) mungesa e meritokracisë ka sjellë një mediokritet që këta të aftët që duan të largohen nga vendi e ndjejnë gjithnjë e më tepër edhe që i dëshpëron e i mbyt shpirtërisht; (4) duam të fitojmë shumë më tepër para sesa këtu në vendin tonë (kuptohet për shkak se shumica prej jush siç e thashë më sipër vini nga familje të varfra ose që me shumë mundim po dalin nga varfëria) edhe gjithashtu të përparojmë në profesionin tonë, duke e pasur parasysh që të dyja këto mundësi janë mjaft të kufizuara në Shqipëri, megjithëse gjërat kanë ndryshuar në vend, ndonëse jo me shpejtësinë dhe përmasat e duhura.

Mirëpo, me të drejtë lind pyetja: si ka mundësi që jetojmë në një realitet të tillë? Pse gjërat vazhdojnë të shkojnë keq? Si ka mundësi që shpresa se na pret një e ardhme më të mirë nuk ia ka dalë të ngrihet lart në qiell edhe pas tri dekadash? Ne si të krishterë nuk duhet ta kemi të vështirë ta gjejmë përgjigjen e pyetjeve që sapo shtrova, sepse ne e dimë mirë se kush është njeriu dhe cila është natyra e tij. Flasim shpesh për rënien e Adamit dhe të Evës në mëkat, për mëkatin fillestar, si dhe për gjendjen e rënë apo mëkatshmërinë e njeriut, por nuk ia dalim ta bëjmë lidhjen e dukshme e të qartë si drita e diellit mes këtyre koncepteve dhe realitetit ku jetojmë. Vëllezër dhe motra, jetojmë në një realitet ku mbretëron mëkatshmëria e njeriut, një realitet para-ungjillor dhe para-kristian. Është i tillë sepse shqiptarët asnjëherë nuk u dorëzuan në masë para fuqisë së Ungjillit të Jezu Krishtit, mbetën përherë qafëfortë në raport me të. Si mendoni ju, si duket një realitet para-ungjillor dhe para-kristian, i përbërë prej njerëzve të mëkatshëm që kanë jetuar për breza e breza me radhë në rebelim të hapur ndaj Krijuesit të tyre? E pra ja tek e keni atë çdo ditë përpara syve tuaj: Mirëserdhët në xhunglën vdekjeprurëse e mendjeshkatërruese të quajtur Shqipëri! Si mendoni ju se dukej bota përpara ardhjes së parë të Zotit tonë Jezu Krisht? Ishte një mjedis edhe më kafshëror e çnjerëzor, i banuar prej kafshësh, madje edhe më i keq se Shqipëria e sotme! Të tilla ishin në atë kohë vendet ku ju doni të emigroni sot! Pikërisht në sajë të fuqisë së pashtershme e të pafundme transformuese e ripërtëritëse të Ungjillit të të bekuarit Zotit tonë Jezu Krisht, e cila u ushtrua për shekuj me radhë, që ato vende kafshërore e anormale u kthyen në parajsën ku ne duam të shkojmë sot!

Njeriu mëkatar i lënë në fuqinë dhe mëshirën e ligësisë së tij prodhon një ferr e xhungël të ngjashme me Shqipërinë e sotme! E tillë është kostoja e të jetuarit në mëkat dhe rebelim të hapur ndaj Perëndisë! Të gjithë ne e kemi fajin për xhunglën-ferr ku jetojmë, sepse të gjithë kemi ecur dikur në shkelje e mëkate, ndërsa tani që Zoti Jezu Krisht na solli në mbretërinë e jetës e të dritës kemi bërë shumë pak ose aspak që edhe këta bashkëkombësit tanë të silleshin në dritën e Ungjillit!

A e kuptoni, pra, që ka vetëm një mënyrë për ta bërë Shqipërinë? Edhe kjo mënyrë është që një masë kritike e popullsisë të Shqipërisë të rilindë edhe të fillojë të jetojë në përputhje me parimet dhe rregullat e Ungjillit! Nuk ka mënyrë tjetër të dashur vëllezër e motra, sepse nuk ndryshon dot sjellja e njeriut, pra, njeriu nuk përmirësohet dot edhe as bëhet më njerëzor pa pësuar ndryshimin e brendshëm të lindjes së re dhe nga lart, pra, të asaj që ne e quajmë ndryshe si rilindje. Vetëm njerëzit e transformuar rrënjësisht nga fuqia e Ungjillit mund ta bëjnë Shqipërinë, duke e ndërtuar atë edhe duke e kthyer në një realitet normal e të jetueshëm për të gjithë. Ndaj, ungjillëzimi është një detyrë patriotike kombëtare për të gjithë ne! Ndaj, të jetuarit sipas parimeve dhe normave të Ungjillit, shenjtërimi ynë që të jemi dritë dhe kripë për shoqërinë tonë është një detyrë kombëtare e patriotike për secilin prej nesh!

Besoj se me sa më sipër i dhashë përgjigje pjesërisht edhe pyetjes së tretë. Mirëpo, ekziston edhe një element tjetër që ka shumë rëndësi për një përgjigje të duhur ndaj saj. Edhe ky ka të bëjë me qëndrimin që ne mbajmë ndaj jetës në përgjithësi edhe jetës së krishterë në veçanti. Dy mëkate me të cilat ne përballemi që të gjithë në një masë apo një tjetër janë krenaria dhe egoizmi, të cilat na nxisim që të jetojmë jetë që janë individualiste në kulm edhe që na bëjnë që të mos kuptojmë thelbin e jetës, qoftë të asaj në përgjithësi ashtu edhe asaj të krishterë në veçanti. Ne, të dashur vëllezër edhe motra, e shohim jetën si një sport individual, si një gjë që është vetëm e jona edhe na përket vetëm ne. Mirëpo, e vërteta është se jeta është një sport ekipor, pra, një lojë apo sport që luhet në skuadër. Shumë prej jush jeni dorëzuar përpara realitetit kafshëror të vendit tonë për shkak se keni jetuar vetëm edhe keni luftuar vetëm. Sa e sa herë jeni zhgënjyer nga shqiptarët e tjerë, qoftë brenda dhe jashtë kishës! Na ka ndodhur që na e kanë ngulur thikën nga pas, na kanë përgojuar, na kanë dashur të keqen, madje na kanë bërë dalje apo lëçitur kur vëllezërve apo motrave të tjerë i kemi bërë diçka që atyre iu duk e keqe, apo një gjë që nuk i shkonte përshtat interesave të tyre! Na kanë lënduar në një mënyrë brutale e të dhimbshme më shumë se një herë! Jam i sigurt se kjo është një nga arsyet se përse doni ta lini këtë tokë, sepse siç thotë i madhi Konica: “Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë!”

Mirëpo, këtu qëndron problemi: beteja e jetës në përgjithësi edhe e jetës në Shqipëri nuk luftohet dhe as fitohet pa zgjedhur e ndërtuar skuadrën tuaj! Nuk fitoni dot individualisht, sepse siç thotë populli: trimi i mirë me shokë shumë! Ndaj, keni nevojë për ndihmës dhe/ose udhëheqës, keni nevojë për këshilltarë e mbështetës, keni nevojë për bashkëluftëtarë e trima! Po vazhduat vetëm, vetëm disfata e zhgënjime do të keni, edhe kur të shkoni andej! Kështu që këshilla ime e dytë pas kthimit te Krishti në pendim e me dëshirën për t’i hyrë me forca të reja e të përtërira betejës së Ungjillit është:

ZGJIDHNI SKUADRËN ME TË CILËN DO TA LUFTONI LUFTËN EDHE LUANI LOJËN! ZGJIDHENI ME KUJDES DHE QËNDROJINI BESNIKË ASAJ DERI NË FUND, PAVARËSISHT SE SA I MADH DO TË JETË ÇMIMI QË DO TË PAGUANI PËR KËTË! MJAFT LUAJTËT VETËM, SE BOLL E DËRMUAT E RRASKAPITËT VETEN NË XHUNGLËN E KRENARISË EDHE EGOIZMIT!

Normalisht që skuadra e parë që të vjen në mendje në këtë pikë është kisha, edhe një herë tjetër do t’ju shkruaj më gjatë në lidhje me Nusen e Zotit Jezu Krisht, pra, në lidhje me rolin dhe rëndësinë e kishës. Mirëpo, sot dëshiroj t’ju nxis që të shfrytëzoni çdo opsion të mundshëm për ta ndërtuar skuadrën tuaj, kuptohet duke përdorur të parët vëllezërit dhe motrat tuaja në Krishtin!

Gjëja tjetër që duhet pasur parasysh përpara se t’i hyni lojës ose luftës të jetës në Shqipëri, mund ta quani si të doni, është të mos mendoni për Shqipërinë në tërësi apo për Shqipërinë si një koncept abstrakt e të përgjithshëm. Qasjuni çështjes në një mënyrë mjaft specifike:

PRA, ZGJIDHNI QOSHEN TUAJ TË SHQIPËRISË QË JU DONI TË BËNI APO NDËRTONI, QOFTË KY NJË VEND APO NJË GRUP NJERËZISH APO NJË BIZNES APO NJË ORGANIZATË E SHOQËRISË CIVILE! SHQIPËRIA ËSHTË SI NJË MOZAIK I MADH I PËRBËRË PREJ MILIONA COPASH QË JEMI SECILI PREJ NESH, SECILA PREJ FAMILJEVE DHE KISHAVE TONA! ATA QË DUAN TË BËJNË APO TË SHPËTOJNË SHQIPËRINË DO TA REALIZOJNË KËTË SYNIM DUKE RREGULLUAR SECILI FAMILJEN E TIJ OSE TË SAJ DHE DUKE NDËRTUAR E RREGULLUAR COPËN E SHQIPËRISË (ATO QË PËRMENDA MË LART) QË ZOTI I KA DHËNË SI DETYRË E MISION PËR TA BËRË E NDËRTUAR! HIQNI DORË NGA FJALËT E MËDHA E BATUTAT E PËRGJITHSHME QË I DËGJONI RËNDOM NËPËR FJALIME PARLAMENTI E POLITIKE.

Njësitë më themelore dhe më të rëndësishme politike janë familjet, kishat, bizneset, organizatat e shoqërisë civile, janë pikërisht ato që ndërtojnë e përbëjnë strukturën e gjithmbarshme të shoqërisë edhe që e bëjnë atë t’u mbijetojë shtrëngatave e katastrofave të historisë dhe të lulëzojë. Më besoni, e vërteta është se shteti dhe politika janë të fundit që mund ta ndërtojnë e bëjnë Shqipërinë! Një herë tjetër do t’ju shkruar për atë se cili është funksionimi i duhur i shtetit dhe politikës! Duhet ta ngulim fort në mendje secili prej nesh i drejtuar dhe i fuqizuar prej Shpëtimtarit të Tij, Zotit Jezu Krisht, dhe Frymës së Tij të Shenjtë, mund ta ndërtojë e bëjë copën e tij ose të saj të Shqipërisë!

E mbyll këtë letër që doja që të ishte e shkurtër, por që u zgjat tej mase duke uruar që ajo t’ju ndihmojë të reflektoni sado pak edhe të dilni qoftë edhe për një çast nga kutia e mendësisë që ju rrethon! Është një fjalë që lidhet me formimin e mendësisë apo të botëkuptimit, fjalë të cilën njerëzit që kanë punuar për ushtrinë e njohin shumë mirë! Ajo është fjala “operacion psikologjik”, në anglisht psyops – psychological operation, fjalë e cila flet për një operacion mendor e informues që e ndërmerr një shtet ndaj një shteti tjetër, kryesisht përmes shërbimeve psyops të ushtrisë apo shërbimeve të veta sekrete, për të nxitur mungesën e qëndresës së popullsisë përpara sulmit ushtarak që do të ndërmarrë ndaj tij. E pra psyops-i që bëhet vazhdimisht kundrejt jush është përpjekja përmes fjalëve e psikologjisë për t’ju bindur që ta lini vendin (“Kurrë nuk bëhet ky vend”, “Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarët”) edhe që të mos përpiqeni që të ndërtoni copën tuaj të Shqipërisë! Ata që e realizojnë psyops-in i dinë mirë qëllimet pse e bëjnë atë, e vetmja gjë që mund t’ju them është si më poshtë:

MOS I BESONI MË PSYOPS-IT TË TYRE! SHIKOJENI REALITETIN ME SYTË E ZOTIT TUAJ JEZU KRISHT DHE FUTJUNI PUNËS PËR TË NDËRTUAR ME VENDOSMËRI E MENÇURI COPËN TUAJ TË SHQIPËRISË! ZOTI JU UDHËHEQTË NË ÇDO HAP TË PËRPJEKJEVE TUAJA EDHE JU DHËNTË URTËSI E VENDOSMËRI PËR TË VAZHDUAR MË TEJ! ZOTI JU BASHKOFTË ME TË TJERË QË MENDOJNË SI JU EDHE JU BËFTË QË TË KRIJONI SKUADRA TË FORTA, TË QËNDRUESHME E FITIMTARE! ZOTI JU DHËNTË QË TË SHIHNI FRYTET E PUNËS TUAJ EDHE QË TË KENI BEGATI E LUMTURI NË SHTËPITË TUAJA KËTU NË TOKËN TUAJ!

Ju përqafoj të gjithëve në Zotin Jezu Krisht,

Një vëllai juaj që do të mirën të tuaj me gjithë zemër

Kristian Dashamiri

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *