Krishti është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Re mes Perëndisë dhe njerëzve – Nga Andi Kosta

Andi Kosta Jezus Krishti

Andi Kosta

Nga Testamenti i Vjetër kam zgjedhur një objekt – Tabernakullin (Eksodi 25-40), i cili tipologjikisht pararend dhe profetizon Besëlidhjen e Re, flijimin e përkryer të Krishtit, kjo sipas Letrës drejtuar Hebrenjve 9 (pjesa e zgjedhur nga Testamenti i Ri). Testamenti i Ri shpjegon qartë domethënien e Tabernakullit, arsyen pse Perëndia ngarkoi Moisiun dhe shtëpinë e Izraelit me ngritjen e Tabernakullit. Le të studiojmësë bashku Letrën drejtuar Hebrenjve 9.


Hebrenjve 9: 1. Ky varg lidhet me vargun 13 dhe me kontekstin pararendës të kapitullit 8 të Letrës drejtuar Hebrenjve, ku theksohet se “Besëlidhja e Re” profetizuar në Testamentin e Vjetër (tek Ezekieli 36:25-27), është në fakt Besëlidhja e Re në Krishtin Jezu, sqaruar kjo në kapitullin 9 të Letrës drejtuar Hebrenjve. Vargjet 8-12 të kapitullit 8 të Letrës drejtuar Hebrenjve sqarojnë natyrën e kësaj besëlidhjeje:

1. Eshtë një Besëlidhje e Re
2. Eshtë një Besëlidhje e Re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës (shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës në kontekstin bibliko-historik prej Ungjijve, Veprat e Apostujve, Letrat, Zbulesa = Testamenti i Ri, shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës pra është Kisha, Bashkësia e të zgjedhurve në Krishtin para themelimit të botës)
3. Zoti do të shtjerë ligjet e Tij në mendjet e tyre dhe do t’i shkruajë në zemrat e tyre
4. Besëlidhja e Re ndryshon nga besëlidhja që Zoti bëri me etërit e tyre (ish e kushtëzuar: “sepse ata nuk qëndruan në besëlidhjen time dhe Unë nuk u kujdesa për ta” – Hebrenjve 8:8)

Vargu 13 i kapitullit 8 të Letrës drejtuar Hebrenjve na bën me dije se Perëndia duke  thënë (shpallur) “një besëlidhje e re”, Ai (Perëndia) e vjetëroi të parën (besëlidhje lidhur me etërit e Izraelit ditën që i mori për dore për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit = besëlidhja e kushtëzuar); besëlidhje të kushtëzuar që vjetërohet dhe plaket është afër zhdukjes.

Kapitulli 9 i Letrës drejtuar Hebrenjve, shqyrton në vargjet 1-10 natyrën e besëlidhjes së pare demonstruar në Tabernakullin. Le të veçojmë qëllimin pse Perëndia me anë të Frymës urdhëroi Moisiun të ndërtonte Tabernakullin ose pse Perëndia dha besëlidhjen e vjetër.
Qëllimi jepet në vargjet 8-10:
8. Nëpërmjet kësaj Fryma e Shenjtë tregonte se udha në shenjtërore ende nuk ishte shfaqur, mbasi ende po qëndronte tenda e parë,
9. E cila është shëmbëlltyrë për kohën e tanishme, sipas së cilës ofrohen dhurata dhe flijime të cilat sipas ndërgjegjjes nuk mund ta bëjnë të përsosur atë që kryen shërbesën hyjnore,
10. Vetëm me ushqime dhe pije dhe larje të ndryshme dhe rregulla mishërore të imponuara deri në kohën e ndreqjes.

Siç shihet, lidhur me besëlidhjen e parë:
1.  Nëpërmjet kësaj (besëlidhjes së parë) Fryma e Shenjtë tregonte se udha në shenjtërore ende nuk ishte shfaqur (kujtojmë që kur Zoti Jezus iu dorëzua vdekjes, veli i tempullit u ça më dysh…)
2. Tenda e parë (besëlidhja e pare) është shëmbëlltyrë për kohën e tanishme, sipas së cilës ofrohen dhurata dhe flijime të cilat sipas ndërgjegjjes nuk mund ta bëjnë të përsosur atë që kryen shërbesën hyjnore, vetëm me ushqime dhe pije dhe larje të ndryshme dhe rregulla mishërore të imponuara deri në kohën e ndreqjes (kujtojmë Letra drejtuar Hebrenjve 10: 3-4:
3. Por në këto flijime të besëlidhjes së pare përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve,
4. Sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe cjepve të heqë mëkatet).

Lidhëza kundërshtuese “por” në vargun 11 të kapitullit 9, paraqet një argument kontrastues me argumentin të cilin kemi qenë duke e ndjekur (besëlidhja e parë). Kemi pra:
1. Argumenti 1 – Tabernakulli = Besëlidhja e parë
2. Argumenti 2 – Krishti = Besëlidhja e Re

Vargu 15: “Dhe prandaj Ai (Krishti) është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Re…” Nëse kthehemi tek kapitulli 8:8-13 ku vërejtëm mes të tjerash se ishte Perëndia, Ai që do ta bënte besëlidhjen, këtu në vargun 15 të kapitullit 9 shohim se Perëndia e bëri Besëlidhjen e Re me shtëpinë e Izraelit dhe të Judës = Kisha = Të thirrurit dhe të zgjedhurit në Krishtin me anë të një Ndërmjetësi, Zotit Jezu Krisht.

Rikthehemi tek vargu 15: “Dhe prandaj Ai (Krishti) është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Re që me anë të vdekjes që u bë për shpengimin e shkeljeve që u kryen gjatë besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së përjetshme”

Për të konkluduar, plani i Zotit mbetet përjetë. Perëndia = Ati Biri Fryma, janë të tre të përfshirë në shpëtimin e njeriut, thirrjen, shfajësimin e njeriut me anë të Drejtësisë së Krishtit. Akti i vdekjes së Krishtit dhe Ringjallja e Tij tregojnë sa serioz Zoti është në lidhje me mëkatin. “Krishti prishi mëkatin me anë të flijimit të vetvetes…” Hebrenjve 9. Krishti erdhi për të thirrurit. Soli Deo Gloria!

Në Krishtin Jezus,
Andi Kosta

Share and Enjoy !

0Shares
0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *