Sëmundja Jote dhe Mjeku i Madh i Shpirtrave! | Nga Puritani James Smith 1855

Nga Puritani Xhejms Smith (James Smith), “Mjeku!” 1855.

”Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun – por të sëmurët.”  Mateu 9:12

Bota është një spital i madh. Jezusi është i vetmi mjek në të; Ai ka shëruar me mijëra, Ai do të shërojë me mijëra të tjerë. Por turmat e hedhin poshtë Atë; ata përfytyrojnë se mund të bëjnë pa Të; ata mendojnë se janë të plotë — dhe për pasojë nuk kanë nevojë për një mjek.

Mëkati është sëmundja e shpirtit. Gjendja e mëkatarit, është një gjendje e sëmurë. Ai është i sëmurë — i sëmurë për vdekje. Sëmundja e tij është e trashëguar. Ai e trashëgoi atë nga prindërit e tij. Ai e solli në botë bashkë me të. Kjo është e vërtetë për të gjithë — që u tha nga vetë Davidi, “Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.”

Mëkati rritet nga zakonet e liga. Ne devijojmë që nga mitra, duke folur gënjeshtra. Ne ngjizim zakonin e të mëkatuarit — kështu që mëkati bëhet aq i natyrshëm për ne, sa edhe frymë-marrja.

Sëmundja e mëkatit është ngjitëse. Ne ndotim të tjerët — dhe të tjerët rrisin sëmundjen tonë. “shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.”

Ecuria e kësaj sëmundje është e vazhdueshme — përhapet përditë — pothuajse në mënyrë të pandjeshme, dhe veçanërisht nga neglizhenca.

Mëkati prodhon dobësi të madhe, në mënyrë që mëkatari prej vetvetes, nuk mund të bëjë ndonjë gjë me të vërtetë të mirë.

Mëkati jo vetëm që na bën të dobët, por të marrë — në mënyrë që të bëhemi të pakujdesshëm dhe të pamend. Ne po vdesim nga sëmundja — por nuk shqetësohemi për të! Aty ka një mjek të zotë — por ne refuzojmë të shkojmë tek Ai!

Mëkati ka shkatërruar të gjithë bukurinë tonë morale — dhe na ka lënë të urryeshëm, të shëmtuar, dhe të mjerë! Ai prodhon dhimbje të panumërta dhe të tmerrshme — dhe na rrethon me hidhërim, shqetësim, dhe fatkeqësi!

Mëkati na çon në vdekje — jo vetëm duke ndarë trupin nga shpirti — por duke ndarë shpirtin nga Perëndia!

Mëkati është pararendësi i vajtimit, i kërcëllimit të dhëmbëve, i qarjes së përjetshme e të pazbutshme!

Nuk ka asnjë sëmundje si mëkati — e prapësëprapë kjo sëmundje është universale. Të gjithë janë të sëmurë! “si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat, siç është shkruar: ”Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën – as edhe një. Romakët 3:9-12

Kjo sëmundje prek çdo pjesë të njeriut, “Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon. Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë – vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura” Isaia 1:5,6. Njeriu është një pirg sëmundjesh morale! Çdo fuqi dhe aftësi është e çrregulluar. Të gjitha elementet e shkatërrimit janë brenda vetes. Ai ka nevojë thellësisht për një mjek, sepse ai është tmerrësisht i sëmurë; kaq i sëmurë, sa ka vetëm një hap midis tij dhe dënimit të përjetshëm!

Lexuesi im i dashur, kjo është gjendja jote! Fryma e Shenjtë ka dhënë portretin tënd në pasazhet që sapo lexove.
A mund ta dallosh ngjashmërinë? Nëse nuk e dallon dot — syri yt është i sëmurë!
A ndihesh i alarmuar në këtë përfaqësim? Nëse nuk ndihesh kështu — ndërgjegjja jote është e sëmurë!
A je i vendosur menjëherë që të shkosh te mjeku? Nëse nuk je — zemra jote është e sëmurë!

Njolla e Murtajës është mbi ty! Ti je në një stad të avancuar të kancerit moral dhe shpirtëror — i cili fshehurazi po të ngut drejt vdekjes dhe ndëshkimit të përjetshëm! Oh Zoti. . .
haptë sytë e tu — që të shohësh gjendjen tënde të tmerrshme;
ndriçoftë ndërgjegjen tënde — që të alarmohesh nga gjendja jote;
dhe zgjoftë shpirtin tënd — që të vraposh për te Jezusi dhe të marrësh shëndet, shërim, dhe qëndrueshmëri të përjetshme nga duart e Tij!

Jezusi është mjeku më i mirë. Puna e Tij është të shërojë shpirtra. Ai është në çdo mënyrë e drejtim i kualifikuar për punën e Tij.

Ai është një mjek i ditur dhe i zoti. Të gjitha thesaret e urtësisë dhe njohurisë janë në Të — dhe Ai i përdor ato për të mirën e shpirtrave. Ai ka qënë i punësuar në shërimin e shpirtrave për gjashtë mijë vite — Zotësia e Tij nuk ka qënë zbehur asnjëherë, as edhe që një pacient të ketë vdekur në duart e Tij!

Ai është një mjek i dashur dhe i butë. As edhe një fjalë e vetme e ashpër nuk është folur asnjëherë prej Tij, ndaj një mëkatari të varfër dhe zemër-thyer; as edhe nuk ka refuzuar ndonjëherë të marrë përsipër çdo rast. Mirësia e tij është e tillë — që Ai qan me ata që qajnë! Dhe ëmbëlsia e Tij është kaq e madhe — saqë për pacientët e tij thuhet, “Në çdo hidhërim të tyre – ai u hidhërua.” (Isaia 63:9)

Ai është një mjek miqësor dhe besnik. Nuk ka asgjë të ndalueshme ose të vrazhdë në sjelljen e Tij, as që Ai të mashtrojë ndonjëherë. Miqësia e ka ngritur fronin e saj në zemrën e Tij, dhe ka ngritur shtëpinë e saj në gjirin e Tij; dhe Ai është gjithmonë besnik ndaj fjalës së Tij, dhe ndaj mëkatarit të varfër dhe të sëmurë që vrapon për tek Ai.

Ai është një mjek i gatshëm dhe i arritshëm. I gatshëm për të shëruar këdo që është i gatshëm që të shërohet prej Tij — dhe të shkojë kudo që të kryejë mrekullitë e Tij të mëshirës. Ashtu si në kohet e vjetra, Ai tha “‘Do të vij dhe do ta shëroj”. Po kështu edhe tani! Ai ndalon te lypsari në pluhur, dhe viziton nevojtarin e ndodhur në pleh. Ai është gjithmonë i gatshëm. Ti nuk ke nevojë të dërgosh asnjë lajmëtar që ta sjellësh Atë — Ai është afër! Ai është më afër se kushdo tjetër — Ai mund të dëgjojë përshpëritjen më të butë të zemrës!

Ai është mjeku i madh, askush nuk mund të krahasohet me Të për kualifikimet ose suksesin.

Ai është mjeku i mirë, asnjë tjetër përveç Tij nuk mund të gjendet — që me kaq dashuri, kaq lirisht, dhe kaq në mënyrë efektive shëron çdo të sëmurë! Gjaku i Tij është Balsami i vërtetë i Gileadit.

Nuk është vetëm puna e Tij — por kënaqësia e Tij që të shërojë shpirtin e sëmurë nga mëkati! Dhe Ai i shëron të gjithë lirisht, në mënyrë të sigurt, dhe përsosmërisht! Kushtet e Tij janë, “Pa Para! Pa Çmim!” Atyre që Ai u kthen shëndetin — do të gëzojnë shëndet përgjithmonë. Ai e bën çdonjërin prej pacientëve të Tij të pavdekshëm — dhe i rrethon me gjithçka që mund ti bëjnë të shenjtë dhe të lumtur përgjithmonë!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *