Mirenjohja

LETËR E HAPUR: PËRSE MIRËNJOHJA ËSHTË NJË VIRTYT THELBËSOR PËR NE TË KRISHTERËT?

LETËR E HAPUR

PËRSE MIRËNJOHJA ËSHTË NJË VIRTYT THELBËSOR PËR NE TË KRISHTERËT?

I dashur vëlla dhe motër e krishterë,

Pas dy letrave në të cilat u mora me dy tema madhore e thelbësore, sikurse janë largimi i të rinjve nga vendi dhe përballja e shumë burrave dhe të rinjve të krishterë me mëkatet e pornografisë dhe masturbimit, dëshiroj t’i kthehem një teme më praktike të lidhur me jetën e krishterë, e cila ka të bëjë me virtytin e mirënjohjes.

Nxitjen për këtë letër e mora nga postimi në mediat sociale i një vëllait tim të krishterë, i cili shkruante kështu: “Virtyti më i lartë i çdo njeriu po në veçanti i besimtarit të Krishterë duhet të jetë mirënjohja”. Shpeshherë flasim për frytin e Frymës, i cili karakterizohet prej dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, mirësisë, besimit, zemërbutësisë dhe vetëpërmbajtjes (Galatasve 5:22), edhe mirë bëjmë. Mirëpo, duhet folur edhe për virtytet e krishtera edhe bie dakord me vëllain tim në Krishtin se mirënjohja është më i rëndësishmi prej tyre. Në rreshtat e mëposhtëm do të përpiqem të demonstroj rëndësinë e mirënjohjes, duke dhënë disa arsye sa i përket rolit qendror që duhet të ketë në jetën tonë të krishterë dhe dobinë e madhe që ajo i sjell kësaj të fundit.

Mirëpo, fillimisht duhet të bëj një rrëfim personal, sepse e vërteta është që më janë dashur shumë vjet në jetën time të krishterë për ta kuptuar rëndësinë e virtytit të mirënjohjes, por edhe për ta kultivuar e promovuar atë. Siç ka thënë një vëlla i krishterë i Shek. XIX, duhet ta mbajmë vath në vesh se zemra jonë, për të cilën fola aq gjatë në letrën e mëparshme, është si një kopsht me tokë pjellore, në të cilin ato që mbijnë më lehtë edhe pa i kultivuar fare janë barërat e këqija. Bëhet fjalë për mëkate e vese të llojllojshme që lindin natyrshëm në tonën zemër, ku gjendet edhe vendndodhja e natyrës së vjetër edhe e dëshirave idhujtare që e karakterizojnë atë. Pra, që t’i kthehem asaj që thashë më lart, dy barërat më të këqija dhe më të mirërrënjosura të kopshtit tim ishin krenaria edhe egoizmi. E vërteta është se këta të dy janë edhe armiqtë më të përbetuar të mirënjohjes.

Së pari, një arsye madhore për të qenë mirënjohës, pra, për ta gjallëruar edhe kultivuar këtë virtyt është fakti se të gjithë njerëzit, qofshin këta besimtarë të krishterë ose jo, e urrejnë dhe dënojnë mosmirënjohjen dhe mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj mosmirënjohësve. Ndodh shpesh që kur flasim me njerëzit e botës ata na tregojnë për njerëz të ndryshëm, me të cilët kanë rënë në kontakt gjatë jetës së tyre edhe që karakterizoheshin nga mosmirënjohja. Këta të botës i kishin bërë një apo më shumë të mira atyre për të marrë si përgjigje asnjë vlerësim e falënderim në rastin më të mirë, apo vetëm të këqija në rastin më të keq. Si tani më kujtohet njëra prej këtyre bisedave, sepse e kam të ngulitur në mendje pamjen që i mori fytyra atij që po më tregonte për dikë që ishte treguar mjaft mosmirënjohës ndaj tij. Në fytyrën e tij ndodhi një shndërrim i plotë edhe ai filloi të fliste me një pasion të paparë: në fytyrën dhe tonin e tij të zërit kishte shumë dhimbje, zhgënjim, zemërim e plot emocione të tjera negative. Duke qenë se jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe në ngjasim me Të, jemi krijuar për të qenë falënderues e mirënjohës, sepse Perëndia ynë është i tillë, ndaj edhe të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse janë të botës apo të rilindur, reagojnë me pakënaqësi të thellë ndaj kësaj dukurie. Është e vërtetë se po këta njerëz të botës që reagojnë aq fort ndaj mosmirënjohjes janë vetë jofalënderues apo mosmirënjohës në pjesë të tjera të jetës së tyre, por e vërteta mbetet e gdhendur në gur: TË GJITHË E URREJNË DHE E DËNOJNË MOSMIRËNJOHJEN DHE MBAJNË TË NJËJTIN QËNDRIM NDAJ MOSMIRËNJOHËSVE!

Së dyti, burimi i mirënjohjes është vepra e Perëndisë për shpëtimin e njeriut përmes dërgimit të Birit të Tij, Jezu Krishtit, që të vuante për të në Kryqin e Golgotës. Duke pasur parasysh këtë fakt, të krishterët duhet të jenë njerëzit që shquhen në çdo rast e rrethanë mes të tjerëve për natyrën e tyre falënderuese dhe mirënjohjen e tyre. Siç do ta ilustroj më poshtë kemi shumë, po shumë fare, për të qenë falënderues e mirënjohës. Ndaluni pak edhe mendoni se sa shumë ka bërë Perëndia për ne: ndërkohë që ishim të vdekur në shkelje e mëkate, Ai e dërgoi Birin e Tij të vdiste në kryqin e Golgotës për ne shkelësit e mëkatarët; ne ishim armiqtë e Tij të përbetuar, por Biri e derdhi gjakun e Tij pikërisht për ne, me qëllim që Ati të na birësonte e të na bënte të Vetët; ne dergjeshim në mbretërinë e errësirës, nën sundimin drakonian të princit të kësaj bote, por Biri falë veprës së Tij në kryq na solli në mbretërinë e Atit, në dritë të paafrueshme; ne ishim të huaj e të ndarë prej një hendeku të pakapërcyeshëm nga Perëndia, por Biri falë veprës së Tij shpëtuese na afroi me Perëndinë edhe na bëri të ulemi bashkë me Të në vende qiellore; ishim të padrejtë e bij të atit të rrenës, por Biri na veshi me drejtësinë e Tij të përsosur edhe na bëri bij të së vërtetës; të gjitha mëkatet tona u larguan prej nesh aq larg sa është lindja nga Perëndimi, u pastruam me hisop nga të gjitha paudhësitë e shkeljet tona që na bënin pis si mos më keq, na i hoqën rreckat e natyrës së vjetër me të cilat qemë veshur, ndërsa tani jemi krijesa të reja që kanë veshur teshat e përjetshme të natyrës së re. Është një transformim rrënjësor që ka ndodhur brenda nesh edhe në raport me Perëndinë falë veprës së Krishtit në kryq dhe ne nuk duhet të reagojmë me mirënjohje e falënderim?! Sa më sipër vëllezër e motra është një arsye e pathyeshme edhe plotësisht e vlefshme në çdo rast e rrethanë për të qenë pafundësisht falënderues e mirënjohës. Madje ne të krishterët duhet të shkëlqejmë nga falënderimi e mirënjohja në çdo rast e rrethanë, sepse na është dhënë pafundësisht shumë: fitorja mbi vdekjen, mëkatin, natyrën e vjetër, satanin e të gjitha ushtritë e tij, si dhe jeta e përjetshme e shenjtërimi. Perëndia që ka nisur një vepër të mirë tek ne do ta përfundojë deri në ditën e përlëvdimit tonë (Filipianëve 1:6), kështu që ne thjesht duhet të jemi mirënjohës e falënderues në çdo rast e rrethanë. Madje ne duhet të jemi mësuesit e mirënjohjes dhe falënderimit për vëllezërit dhe motrat tona që janë të rinj në besim, por edhe për ata të botës, sepse reagimi ynë ndaj veprës shpëtuese e shpenguese të Zotit tonë Jezu Krisht duhet të jetë etaloni i mirënjohjes dhe falënderimit. MIRËNJOHJA ËSHTË, PRA, REAGIMI MË I NATYRSHËM PËR ATA QË U BLENË ME GJAKUN E SHTRENJTË E TË DËLIRË TË ZOTIT TONË JEZU KRISHT! SHUMË NA ËSHTË FALUR NDAJ SHUMË KEMI PËR TË FALËNDERUAR!

Së treti, kyçi për të qenë mirënjohës është të kuptuarit e faktit se motra dhe shoqëruesja e mirënjohjes, por edhe hyrja për tek ky virtyt, është përulësia. Kjo pikë është e lidhur me pikën që vjen më poshtë sepse përulësia është antonimi i krenarisë dhe egoizmit. Mirëpo, gjithashtu është e lidhur me pikën e mësipërme, sepse përulësia rrjedh nga pranimi dhe njohja e faktit që të vdekurit në shkelje e mëkate si puna jonë nuk kishin asnjë shans që ta shpëtonin veten apo që ta bënin atë të pranueshme për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Pikërisht sepse ne jemi këto krijesa të shpëtuara, të shpenguara, të rilindura e të lartësuara në vendet qiellore, në të djathtë të Atit, falë veprës shpëtuese e shpenguese të Zotit Jezu Krisht, nuk kemi asnjë arsye për të qenë krenarë, sepse neve veç rreckat e shkeljeve, paudhësisë dhe mëkatit na takojnë. Kështu që nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ulim kokën, të biem në gjunjë e përmbys përpara fronit të hirit dhe veprës së Kryqit dhe, teksa e bëjmë këtë, dy virtyte shfaqen në ne: mirënjohja, siç e përmenda aq gjatë më lart, si dhe përulësia, motra dhe shoqëruesja e kësaj të fundit. E vërteta është se rritja në virtytin e përulësisë shkon krah për krah me rritjen në virtytin e mirënjohës, edhe anasjelltas. Pra, sa më mirënjohës që të jemi aq edhe më tepër të përulur do të bëhemi. Kjo sepse siç falënderojmë e lavdërojmë me mirënjohje Perëndinë për veprën shpëtuese e shpenguese të Zotit Jezu Krisht, ashtu edhe përlëvdojmë atë për veprën e shenjtërimit brenda nesh që drejtohet nga Fryma i Shenjtë përmes Fjalës së Perëndisë, edhe në këtë mënyrë zvogëlohemi plot përulje përpara Perëndisë edhe kërkojmë njëkohësisht zmadhimin e Zotit tonë Jezu Krisht brenda nesh. Bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm sesa të vegjël e të parëndësishëm jemi, megjithëse jemi të dashurit e Perëndisë; brenda nesh e dimë se vendin e kemi në fund të tryezës së gostisë, sepse edhe prej andej mund t’i mbajmë sytë e ngulur në sytë e dashur e të hirshëm të Zotit e Shpëtimtarit tonë. Ai na sheh edhe na shpreh dashuri e hir me sytë e Tij edhe nëse jemi ulur në fund të tryezës. Bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm, se gjithçka jemi e kemi është e Perëndisë dhe vjen si dhuratë e hirshme e mirësisë dhe dashurisë së këtij të fundit në Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Ne ia dalim të arrijmë shumë gjëra gjatë jetës sonë, por e dimë shumë mirë se të gjitha ato janë dhuratat e providencës/provanisë (tërësisë së sigurimeve dhe parashikimeve hyjnore) të Perëndisë. Ashtu siç thotë edhe Davidi, në Zotin kapërcejmë një mur, në Zotin ndeshemi me një aradhe ushtarësh, është Zoti Ai që i trajnon gishtat tanë për betejë dhe duart tona për luftë, është Zoti Ai që na jep fitoren përtej përpjekjeve tona më të mira. Atij ia dedikojmë gjithçka, sepse është Dhënësi bujar e dashamirës i të gjitha gjërave që kemi në jetën tonë. KËSHTU RRITEMI NË VIRTYTIN E PËRULËSISË DUKE QENË GJITHNJË E MË SHUMË MIRËNJOHËS PËRPARA FRONIT TË HIRIT TË PERËNDISË!

Së katërti, kultivimi i virtytit të mirënjohjes do të na ndihmojë t’i japim dermën krenarisë dhe egoizmit. Nëse nuk duam ta mbajmë veten me të madh e të vazhdojmë të ndjekim turmën krenare dhe egoiste të botës që na rrethon, le të mësojmë të ndjekim rrugën e mirënjohjes dhe përulësisë! Njeriu nuk bëhet natyrshëm më pak krenar e egoist, sepse natyra e tij mëkatare e tillë është, pra, krenare dhe egoiste. Ai ose ajo duhet të rilindë falë veprës shpëtuese të Zotit Jezu Krisht dhe pastaj, në kuadër të procesit të shenjtërimit, të zhvishet prej rreckave të krenarisë dhe egoizmit, duke veshur mirënjohjen dhe përulësinë, ndër virtytet dhe hiret e tjera të krishtera. Ajo që kam zbuluar këto vite është se sa më shumë vishem me petkat e lavdishme të mirënjohjes dhe përulësisë, aq më të largëta bëhen krenaria edhe egoizmi. Kolosianëve 3 na flet për procesin e zhveshjes nga rreckat e natyrës së vjetër edhe veshjes me petkat e lavdishme të natyrës së re, të cilat përfshijnë mirënjohjen edhe përulësinë. PRA, LE TË NDJEKIM UDHËN E MIRËNJOHJES DHE PËRULËSISË NËSE DUAM T’I HEQIM QAFE RRECKAT E KRENARISË DHE EGOIZMIT!

Për ta përmbledhur sa thamë më sipër burimi i mirënjohjes është vepra e Perëndisë për shpëtimin e njeriut përmes dërgimit të Birit të Tij, Jezu Krishtit, që të vuante për të në Kryqin e Golgotës, ndërsa kyçi për t’u rritur në këtë virtyt është përqafimi i përulësisë, si një qëndrim jetësor që kapet fort pas Veprës së Krishtit në Kryq dhe të mirave të përsosura, të pafundme e të shumëllojshme që rrjedhin prej saj. Njeriu mirënjohës gjatë gjithë kohës është i vetëdijshëm për faktin se nuk është gjë tjetër veçse një xhuxh që qëndron mbi shpatullat e gjigandit të pafundmë e të përjetshëm – Shumë të Lartit e të Plotfuqishmit Zot Perëndi. Njeriu mirënjohës është një njeri që merr gjatë gjithë kohës dhurata të shumëllojshme prej Krijuesit dhe Zotit të tij dhe që është vlerësues i tyre dhe shfrytëzues i mençur i tyre. Ka bollëk në jetën e tij, sepse sytë e tij janë hapur për të parë gjithë sa i është dhuruar prej së larti. Madje edhe në kohën e shtrëngesës e varfërisë ai nuk e ka barkun bosh, sepse është i mbushur me dashurinë, mirësinë, dashamirësinë, hirin dhe gjithçka tjetër të mirë që ka Zoti i tij. Gjithashtu, Zoti dhe Krijuesi i tij nuk e lë asnjëherë duarbosh, por vazhdon të sigurojë për të në njëmijë e një mënyra. Njeriu thjesht duhet t’i kërkojë Zotit të Tij që t’i hapë sytë e mirënjohjes për të parë morinë e dhuratave që ka marrë.

DOBITË E MIRËNJOHJES JANË TË PAFUNDME, SEPSE KËSHTU DO TË RRITEMI NË HIRET E KRISHTERA DHE FRYTI I FRYMËS DO TË JETË TIPARI QË DO TË KARAKTERIZOJË JETËN TONË. Veç kësaj, do të largohemi nga negativiteti që na rrethon, sepse jetojmë mes njerëzve që mund të kenë marrë shumë në jetën e tyre dhe që nuk mendojnë se duhet të falënderojnë dikë apo se duhet të jenë mirënjohës për çfarë kanë marrë. Janë njerëz të botës, të cilët kanë vetëm një mbret e perëndi dhe ky është vetja e tyre. Ndërsa ne kemi një Perëndi që dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur në kryqin e Golgotës që të vuante për të na shpëtuar, neve të vdekurit në shkelje e mëkate, armiqtë e Tij më të përbetuar. ATA TË BOTËS JANË SYPANGOPUR NDËRSA NE TË KRISHTIT JEMI TË THIRRUR PËR TË QENË SYFALËNDERUES!

Ju përqafoj në Krishtin,

Vëllai juaj Kristian Dashamiri

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *