Kalvinizmi

Tendenca e të gjitha Herezive dhe Mësimeve të Rreme | Nga Spërxhën

Nga predikimi i Spërxhën (Spurgeon), “Vetë-mjaftueshmëria e vrarë” Eshtë një fakt i madh që të gjitha herezitë që kanë dalë në kishën e krishterë kanë pasur një tendencë të vendosur për ‘të çnderuar Perëndinë dhe për të lajkatuar njeriun’. Ato kanë pasur gjithmonë si synim të fshehtë, në mos qëllim të hapur, lartësimin e natyrës njerëzore, dhe hedhjen poshtë të sovranitetit të hirit hyjnor. Të grabisësh Perëndinë nga lavdia që i përket emrit të Tij, këta profetë të rremë hedhin një llustër të rreme mbi kokën e krijesës rebele dhe të prishur. Nga ana tjetër, doktrinat e ungjillit, që njihen si doktrinat e hirit, dallohen mbi çdo doktrinë tjetër për veçantinë, që ato e zhysin krijesën shumë poshtë, dhe paraqesin përpara nesh Zotin Jehova si të ulur mbi fron, të ngritur lart. Kaq e vërtetë është kjo, saqë i krishteri më i pashkolluar, edhe nëse nuk është i aftë të refuzojë një fjalim të gabuar, mund të jetë në gjendje gjithmonë të zbulojë pavërtetësinë e saj, nëse përlëvdon njeriun në kurriz të Perëndisë. Foshnja më e thjeshtë në hir mund ta bëjë këtë test: në mes të opinioneve të ndryshme nga të cilat rrethohet, ai gjithmonë mund të gjykojë, dhe të gjykojë në mënyrë të pagabueshme gjithashtu, vërtetësinë ose fallcitetin e një doktrine duke e testuar kështu — “A përlëvdon Perëndinë?” Nëse është kështu, është e vërtetë. “A lartëson njeriun?” Atëhere është e rreme. A e vendos njeriun shumë poshtë, dhe flet për të në një mënyrë që e bën të ndjejë korruptimin dhe prishjen e tij? Atëhere pa dyshim është plot të vërtetë. Dhe a e vendos kurorën mbi kokën e Perëndisë, dhe jo në kokën e vullnetit të lirë të njeriut, ose veprave të mira? Atëhere me siguri është një doktrinë sipas perëndishmërisë, sepse është vetë e vërteta e Zotit, Perëndisë tonë.

Tendenca e të gjitha Herezive dhe Mësimeve të Rreme | Nga Spërxhën Read More »

Çfarë është Besimi i Reformuar?

Nga Ron Hanko Profetët e Dhiatës së Vjetër i bënin thirrje Judës për rreziqet e mëdha me të cilat po përballeshin: “Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qënë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si priftin tim; duke qënë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu.” (Osea 4:6). Profeti Amos paralajmëroi, “Ja do të vijnë ditët”, thotë Zoti, Zoti, “gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.” (Amosi 8:11). Shqetësimi ynë i madh është që situata në kohën tonë dhe në këtë tokë është shumë e ngjashme me kohën e profetëve të vjetër. Gazeta “The Times” deklaroi në botimin e saj në 30 Janar 1993, “Cila është situata e vërtetë [në Angli]? Besimtarët adhurues të krishterë janë një grusht i vogël në kombin tonë. Nëntëdhjetë përqind ose më shumë e qytetarëve tanë nuk kanë njohuri për Krishtërimin.” Ky është një koment i trishtueshëm. Nga ky “grusht i vogël” ka dallime të mëdha besimi. Prandaj, ka një nevojë të madhe që Besimi i Reformuar të shpallet. Si është gjendja aktualisht? Ne po jetojmë në “ditët e fundit” (Veprat 2:17). Gjatë kësaj periudhe kohe, Fjala e Zotit tonë është duke u përmbushur në atë që shumë do të bien (1 Tim. 4:1) dhe dashuria e shumëkujt do të “ftohet” (Mateu 24:12). Brenda vetë botës, ka një materializëm të madh që ka helmuar shoqërinë. Ka një mësymje të çmendur për më shumë e më shumë argëtim—shpesh herë të llojit më të neveritshëm. Përqeshësit vazhdojnë të tallen, duke pyetur, “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit”. (2 Pjetri 3:4). Gjendja në kishat është pothuajse kaq keq. Apostazia mbizotëron. Ka një largim masiv nga “shtigjet e vjetra” (Jerermia 6:16). Gjithashtu ka “ujqër të veshur si dele” (Mateu 7:15). Profecia e Shkrimit po përmbushet: “Dhe vetë midis jush do të ngrihen burra që do të flasin gjëra të çoroditura, që të tërheqin pas vetes dishepujt” (Veprat 20:30). Ka përsëri një presion në rritje për bashkimin e të gjitha kishave dhe denominacioneve. Doktrina konsiderohet e parëndësishme. Teologji “të reja” ngrihen. Delet, duket sikur janë duke u ngrënë nga ujqërit grabitqarë. Atëhere, siguria jonë duhet të jetë vetëm në Fjalën e Krishtit, “Askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:28). Në këto kohë të vështira, Fjala e Krishtit vjen me zë të lartë dhe në mënyrë të qartë, “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas …” (Zbulesa 3:20). Ashtu siç Ai qëndroi përpara derës së kishës të Laodicesë, duke u bërë thirrje besnikëve që ishin në kishën apostate, po kështu Ai thërret akoma sot. Njerëzit e Perëndisë kanë uri për Fjalën. Shumë nuk janë duke u ushqyer. Ata po marrin “gurë në vend të bukës.” Krishti u bën thirrje për të dalë dhe për të ngrënë bashkë me Të rreth Fjalës së Tij e cila qëndron përgjithmonë. Prandaj, ne të Kishës së Reformuar Protestante, kërkojmë të krijojmë një lidhje midis atyre që e duan besimin e Reformuar dhe akoma dëshirojnë “shtigjet e vjetra.” Ne dëshirojmë të vendosim, ku kjo është e mundur, kisha që me guxim do të shpallin të vërtetat e vjetra. Çfarë është besimi i “Reformuar”? Me “besim,” ne i referohemi trupit të së vërtetave që është vendosur në vetë Shkrimin. Ne flasim për besimin e “Reformuar” jo sikur të ishte ndonjë lloj zëvendësimi për besimin e Shkrimit. Ka vetëm një trup të vërtetash që është paraqitur në Shkrime. Me fjalën “Reformuar,” ne e dallojmë veten nga të tjerët të cilët në një mënyrë apo në një tjetër devijojnë nga “besimi” të vendosur në Fjalën e Perëndisë. Ne mbajmë të vërtetat e Shkrimit siç ato janë përmbledhur sistematikisht në Standartet e Westministerit dhe Tre Format e Unitetit, që janë, Katekizmi i Hajdelbergut, Rrëfimi Belg i Besimit, dhe Kanonet e Dortit. Atëhere, çfarë është besimi i Reformuar (pra, sipas Shkrimit)? Sovraniteti i Perëndisë Para së gjithash, besimi i Reformuar thekson Sovranitetin e Perëndisë. A e dallon kjo nga të tjerët që gjithashtu mësojnë sovranitetin e Perëndisë? Po. Ne jemi të bindur që besimi i Reformuar mban të vërtetën për sovranitetin e Perëndisë në mënyrë konsistente. Të gjithë të krishterët bien dakord që Perëndia është sovran. Ai sundon mbi gjithçka. Megjithatë, në mënyrë të përsëritur ndeshesh me doktrina dhe praktika që janë në kundërshtim me të vërtetën e Sovranitetit të Perëndisë. Për të kënaqur arsyetimin njerëzor, ka persona që këmbëngulin për “vullnetin e lirë” të të gjithë njerëzve për të pranuar ose refuzuar Krishtin si ata duan. Ka persona që paraqesin një Krisht që troket në derën e zemrës së mëkatarit, duke u lutur për ta pranuar (duke keqcituar Zbulesën 3:20). Ka persona që mësojnë që numri përfundimtar i të zgjedhurve të Perëndisë është caktuar jo nga Perëndia në përjetësi, por nga veprimet e njeriut. Ka persona që mësojnë që Perëndia i do të gjithë njerëzit —por prapësëprapë në fund disa prej tyre Ai i hedh në Ferr. Të tjerë mësojnë që për shkak të dashurisë së Perëndisë për të gjithë, Ai nuk hedh asnjë në Ferr. Besimi i Reformuar në mënyrë konsistente mban sovranitetin e Perëndisë. Ai ka krijuar në gjashtë ditë të mirëfillta (Zanafilla 1), dhe vazhdon të mbajë të gjithë universin e Tij. Ai drejton dhe kontrollon gjithashtu të gjitha krijesat morale dhe racionale. Ai ka caktuar që nga përjetësia për të shpëtuar disa (të zgjedhurit) përmes gjakut të Qengjit (Efesianët 1:4) dhe të anashkalojë të tjerët duke i dënuar në Ferr për shkak të mëkateve të tyre (Romakët 9:22). Perëndia kurrë nuk braktis ndonjë aspekt të sundimit të tij. Të gjitha doktrinat e kishës së Krishtit duhet të jenë në përputhje me të. Kisha nuk duhet të “përshtasë” sovranitetin e Perëndisë për të akomoduar idenë e njeriut për atë që është e drejtë. Rrëfimi i njeriut duhet të jetë

Çfarë është Besimi i Reformuar? Read More »

Për dashurinë e Perëndisë

Nga Burk Parsons Kur u ballafaqova për herë të parë me Teologjinë e Reformuar unë e refuzova krejtësisht atë. Për afro dy vjet unë luftova kundër saj me çdo argument të mundshëm që mund të mendoja. Kjo zgjati deri në momentin që nisa një udhëtim përmes Shkrimeve dhe në të cilin u përballa me mësimin biblik të dashurisë së Perëndisë për popullin e Tij. Argumenti im kryesor kundër Teologjisë së Reformuar ishte dëshira ime për të mbrojtur doktrinën biblike të Perëndisë. Duke konsideruar vargje si Gjoni 3:16, mospajtimi im ishte që dashuria shpëtuese e Perëndisë ishte manifestuar ndaj të gjithë njerëzve pa përjashtim. Kjo do të thoshte që nuk besoja që dashuria e Perëndisë ishte demonstruar në shkallë të ndryshme. Sipas të kuptuarit tim për karakterin e Perëndisë, besoja që nuk kishte asnjë ndryshim midis dashurisë së Perëndisë për mëkatarin dhe dashurisë së Tij për shenjtorin. Ndërsa jepja cdo argument kundër doktrinës së Reformuar, shumë herë irritohesha kur vinte fjala te mësimi biblik për dashurinë e veçantë të Perëndisë, dashurinë shpëtuese për popullin e Tij. Kjo më habiste. Si mundej që një Perëndi i dashur të mos donte çdo njeri në të njëjtën mënyrë? Gjatë kohës kur po bëja studimin e Shkrimeve, i’u bashkova një grupi nga kisha ime në një udhëtim misioni në Haiti. Kur isha atje, një mikeshë nga kisha ndau me mua një bisedë që kishte pasur me parukierin e saj që ishte një homoseksual praktikant. Ndërsa po ndante bisedën që kishte pasur me të, ajo më shpjegoi me shumë entuziazëm që i thoshte atij vetëm që Perëndia e donte pa kushte, dhe ai që i përgjigjej “E di që Perëndia më do ashtu siçjam.” Për të, një përgjigje e tillë ishte përsosmërisht e arsyeshme. Për të, një përgjigje e tillë ishte përsosmërisht e pranueshme. Për mua, një përgjigje e tillë ishte përsosmërisht e tmerrshme. Unë i bëra një pyetje shumë të thjeshtë: “Si mund të jesh kaq e sigurt që Perëndia e do mikun tënd homoseksual në mënyrë të pakushtëzuar?” I shpjegova shkurtimisht se çfarë kisha kuptuar rreth mësimit të Biblës në lidhje me dashurinë e veçantë të Perëndisë për popullin e Tij, që Perëndia i do të gjitha krijesat e Tij në një mënyrë, por Ai do pa kushte  vetëm ata që janë fëmijët e Tij në Krishtin. Për më tepër, e pyeta, “nëse Perëndia e do pa kushte parukierin tënd homoseksual pse duhet të konsiderojë ndonjëherë ai që të pendohet dhe të besojë në Krishtin? Nëse Perëndia e do ashtu siçështë, pse duhet t’ja dorëzojë jetën e Tij Krishtit?” Atë natë, disa orë më vonë pas bisedës sonë, u thirra nga pastori ynë që të dilnim jashtë ndërtesës së misionit për një bisedë të vogël. Bazuar në bisedën që pata me mikeshën time më herët atë ditë, unë u akuzova se isha një “Kalvinist heretik.” Pas pesëmbëdhjetë minutash, dhe pas shumë lotësh, unë u pushova nga vendi i punës si pjesë e stafit dhe m’u hoqën të gjitha përgjegjësitë po atë natë. Kur u ktheva nga Haiti, paketova librat e mi, dhe me shumë hidhërim në zemër, u largova nga kisha në të cilën isha bërë i krishterë. Menjëherë pas kësaj, fillova një studim të thelluar mbi dashurinë e Perëndisë në të gjitha shkrimet e Gjonit. Unë u zhyta në ungjillin e Gjonit, letrat e tij, dhe te libri i Zbulesës, duke u përpjekur për të kuptuar përkufizimin biblik të dashurisë së Perëndisë sipas apostullit Gjon. Mësimi biblik rreth Perëndisë dhe dashurisë së Tij për popullin e Tij shfaqet në shumë pasazhe të Shkrimit, dhe nga hiri i Perëndisë më në fund fillova të rrokja doktrinat e hirit të përkufizuara biblikisht nga Teologjia e Reformuar. Letra e parë e Gjonit demonstron dallimin e qartë midis atyre që janë në Krishtin dhe atyre që janë nga bota. Në fund të kapitullit 2 të letrës së parë të Gjonit, ai i quan lexuesit e tij “fëmijë të vegjël” (NASB, v. 28). Pastaj, në fillim të kapitullit 3, Gjoni u rikujton fëmijëve të Perëndisë për dashurinë e Perëndisë për ta: “Shikoni ç’dashuri të madhe na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. ” (3:1a). Në vargun 10, Gjoni shpjegon, “Në këtë njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk bën drejtësinë nuk është prej Perëndisë, as ai, që nuk do vëllanë e vet.” Më tej, në vargun 16, Gjoni shkruan për dashurinë e Perëndisë në vdekjen e Krishtit: “Në këtë e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e tij për ne” Ndoshta pasazhi më i njohur për atributin e Perëndisë të dashurisë është 1 Gjoni 4:8: “Perëndia është dashuri.” Shumë shpesh, kjo frazë tre-fjalëshe zhvishet nga konteksti i menjëhershëm ku Gjoni përkufizon dashurinë e veçantë shpëtuese të Perëndisë për popullin e Tij. Zakonisht, ky varg përdoret si provë për dashurinë pa kushte të Perëndisë për të gjithë njerëzit pa përjashtim. Por siçedhe Gjoni e shpjegon qartë, dashuria pa kushte e Perëndisë u manifestohet vetëm atyre që janë në Jezu Krishtin: “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë përmes tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por që ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij si shlyerje për mëkatet tona. ” (v. 9–10). “Dhe ne kemi njohur dhe kemi besuar dashurinë, që Perëndia ka ndaj nesh. Perëndia është dashuri; dhe ai, që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.” (v. 16). “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.” (v. 19). Gjatë udhëtimit tim te Teologjia e Reformuar, ishte doktrina e dashurisë shpëtuese të Perëndisë që më bindi për hirin zgjedhës të Perëndisë, dhe është dashuria e Perëndisë që vazhdon të mbajë jetën time në Krishtin.    

Për dashurinë e Perëndisë Read More »

Cila do të jetë kënga jote?

Nga Augustus Toplady (1740 –1778) Cila do të jetë kënga jote kur të arrish në qiell? Bekuar qoftë Perëndia, që Ai më dha vullnet të lirë; dhe e bekuar qoftë vetja ime e shtrenjtë, që e përdori atë si duhet? O jo, jo! Një këngë e tillë si kjo nuk është dëgjuar asnjëherë në qiell, dhe asnjëherë nuk do të dëgjohet, për sa kohë që Perëndia është Perëndi dhe qielli është qiell. Shih në librin e Zbulesës, dhe aty do të gjesh punën e të bekuarëve, dhe fjalët që ata këndojnë. Ata hedhin kurorat e tyre përpara fronit dhe thonë, “I denjë je…sepse ti u there, dhe nëpërmjet gjakut tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi” (Zbu. 5:9). Ka hir të veçantë për ty! “Ti na ke shpenguar prej çdo fisi,” kjo do të thotë, nga pjesa tjetër e njerëzimit. A nuk është kjo zgjedhje e veçantë dhe shpengim i kufizuar? Kisha poshtë në tokë mund të gabojë, dhe nëse ndonjë kishë mbi tokë pretendon se është e pagabueshme, vetë ky pretendim demonstron që ajo nuk është e pagabueshme. Por ka një kishë për të cilën unë guxoj të them se është e pagabueshme. Dhe cila kishë është kjo? Kisha e të përlëvduarve, që shndrisin si yjet në dorën e djathtë të Perëndisë. Dhe, mbi dëshminë e pagabueshme të kësaj kishe të pagabueshme, një dëshmi e regjistruar në faqet e pagabueshme të frymëzimit, unë guxoj të pohoj që asnjë grimcë Arminianizmi nuk e ka ndjekur kurrë një shenjtor në qiell. Nëse ajo pjesë e njerëzve të Perëndisë, që janë të kapur nga ky gabim, nuk kthehen prej tij në mënyrë të qartë ndërsa jetojnë ende midis njerëzve; do ta lënë mbrapa në Jordan (lumin e vdekjes) kur të kalojnë përmes tij. Ata mund të krahasohen me Palin, kur ai shkoi nga Jeruzalemi drejt Damaskut, dhe Hiri i Perëndisë e shëmbi në tokë; ai ra si vullnetlirë; por u ngrit si hirilirë. Kështu që megjithëse ndryshku i krenarisë së vetë-drejtësisë (dhe një ndryshk i mallkuar është; Fryma e Perëndisë e heqtë nga të gjithë shpirtrat tanë), megjithëse ai ndryshk mund të qëndrojë në ne në të tashmen, kur të qëndrojmë përpara fronit, dhe përpara Qengjit, do të zhduket plotësisht, dhe ne do të këndojmë në një zë të vetëm, kore të përjetshme, me engjëjt e zgjedhur dhe njerëzit e zgjedhur, “Jo për shkakun tonë, O Zot, jo për shkakun tonë.”  

Cila do të jetë kënga jote? Read More »

ROBËRIA PELAGJIANE E KISHËS

Nga R. C. Sproul Pak kohë pas fillimit të Reformacionit, disa vjet pasi që Martin Luteri kishte gozhduar 95 Tezat në derën e kishës së Vitenbergut, ai botoi disa traktate lidhur me tema të ndryshme. Një nga traktatet më provokuese titullohej “Robëria Babilonase e Kishës”. Në këtë libërth, Luteri e hidhte vështrimin pas në periudhën historike të Dhiatës së Vjetër, e pikërisht në kohën kur Jerusalemi u shkatërrua nga ushtritë pushtuese babilonase dhe elita e popullit u dërgua në robëri. Luteri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë e mori simbolikën e robërisë historike babilonase dhe e zbatoi atë në epokën e tij, duke folur rreth robërisë së re babilonase të kishës. Ai po e përshkruante Romën si Babiloninë moderne që mbante peng Ungjillin duke refuzuar të kuptuarit biblik të drejtësimit. Mund ta merrni me mend se sa i fortë ishte debati, se sa polemik që tingëllonte ky titull në atë periudhë, sepse nuk po thoshte se Kisha kishte gabuar apo kishte humbur rrugën, por po thoshte se ajo kishte rënë, madje kishte rënë nën një robëri pagane dhe tashmë ishte një kishë babilonase. Shpesh e kam pyetur veten po sikur Luteri të ishte gjallë sot, po sikur të bëhej pjesë e kulturës sonë dhe të vinte e të shihte jo kishat liberale, por kishat ungjillore, çfarë do të thoshte ai vallë? Sigurisht që nuk i përgjigjem dot kësaj pyetje me siguri të plotë, por hamendja ime është kjo: Nëse Martin Luteri do të jetonte sot dhe do të merrte stilolapsin për të shkruar, libri që do të shkruante në kohën tonë do të titullohej “Robëria Pelagjiane e Kishës Ungjillore”. Sipas këndvështrimit të Luterit, doktrina e drejtësimit i kishte rrënjët në një problem më të thellë teologjik. Ai shkruan për këtë gjerësisht në librin e tij “Skllavëria e Vullnetit” (në shqip i titulluar “Të lindur Skllevër”). Kur ne shohim Reformacionin dhe shohim solat e Reformacionit, pra, sola Scriptura (vetëm Shkrimi), sola fide (vetëm besimi), solus Christus (vetëm Krishti), soli Deo gloria (vetëm lavdia e Perëndisë), sola gratia (vetëm hiri), shohim se Luteri ishte i bindur që çështja e vërtetë e Reformacionit ishte çështja e hirit; dhe se në themel të theksit të tij mbi doktrinën e sola fide (vetëm besimi), pra, drejtësimit vetëm përmes besimit, qëndronte përkushtimi fillestar ndaj sola gratia (vetëm hiri), ose koncepti i drejtësimit vetëm prej hirit. Në botimin Fleming Revell të librit “Skllavëria e Vullnetit”, përkthyesit, Xh. I. Paker (J. I. Packer) dhe O.R. Xhonston (O. R. Johnston), përfshinë një hyrje historike dhe teologjike deri diku provokuese për vetë librin. Kjo është nga fundi i asaj hyrje: Protestantët duhet të mendojnë thellë rreth këtyre gjërave sot. Me çfarë të drejte mund ta quajmë veten fëmijë të Reformacionit? Shumë prej Protestantizmit modern as do të pranohej dhe as do të njihej nga figurat kryesore të Reformacionit. Skllavëria e Vullnetit na e paraqet qartazi se çfarë besonin ata rreth shpëtimit të njerëzimit të humbur. Duke pasur parasysh sa më lart, jemi të detyruar të pyesim se mos vallë bota protestante tragjikisht e ka shitur identitetin e saj që nga koha e Luterit. A mos vallë është bërë Protestantizmi i sotëm më tepër një zgjatim i Erazmit sesa i Luterit? A nuk përpiqemi shumë shpesh që t’i zvogëlojmë dhe lustrojmë ndryshimet doktrinore për hir të paqes mes palëve? A mos vallë duhet të fajësohemi edhe ne për indiferentizmin doktrinor për të cilin Luteri e akuzoi Erazmin? A besojmë ende që doktrina ka rëndësi?1 Është një fakt historik tashmë i provuar që Luteri, Kalvini, Zvingli, por edhe të gjithë teologët dhe udhëheqësit protestantë të fillimeve të Reformacionit, ndanin të njëjtën pikëpamje në lidhje me këtë pikë. Ata kishin ndryshimet e tyre në pika të tjera. Mirëpo ishin të njëzëshëm sa i përket shpalljes së paaftësisë së njeriut në mëkat dhe sovranitetit të Perëndisë në derdhjen e hirit. Për të gjithë ata, këto doktrina përbënin thelbin e besimit të krishterë. Një botues bashkëkohor i veprave të Luterit thotë këtë: Kushdo që e përfundon këtë libër pa e kuptuar që teologjia ungjillore qëndron ose bie me doktrinën e skllavërisë së vullnetit e ka lexuar atë më kot. Doktrina e drejtësimit falas vetëm përmes besimit, doktrinë e cila u kthye në një burim të pafund debatesh gjatë periudhës së Reformacionit, shpesh shihet si boshti qendror i teologjisë së Reformatorëve, por kjo nuk është e saktë. E vërteta është se të menduarit e tyre kishte në qendër shpalljen e Palit, së cilës i bënë jehonë Agustini dhe shokët e tij, sipas së cilës gjithë shpëtimi i mëkatarit është vetëm prej hirit të lirë dhe sovran dhe se doktrina e drejtësimit përmes besimit ishte e rëndësishme për ta sepse garantonte parimin e hirit sovran. Sovraniteti i hirit gjeti shprehje në të menduarin e tyre në një nivel edhe më të thellë pikërisht në doktrinën e ripërtëritjes (rilindjes) monergjiste.2 Kjo do të thotë se besimi që merr Krishtin për drejtësim është faktikisht dhurata falas e një Perëndie sovran. Parimi i sola fide (vetëm besimi) nuk kuptohet si duhet derisa të shihet i rrënjosur në parimin më të gjerë të sola gratia (vetëm hiri). Cili është burimi i besimit? Është mjeti i dhënë nga Perëndia për të marrë drejtësimin e dhënë nga Perëndia, apo është një kusht i drejtësimit që i lihet njeriut për ta përmbushur? A e kuptoni ndryshimin? Lejomëni ta shpjegoj këtë koncept me fjalë më të thjeshta. Kohët e fundit dëgjova një ungjilltar që thoshte: “Nëse Perëndia bën një mijë hapa për të arritur te ty për të të shpenguar, prapë se prapë ti duhet të bësh hapin vendimtar që të shpëtohesh”. Po ashtu, dëgjoni se çfarë thotë ungjilltari më i dashur i SHBA-ve në shekullin e njëzetë, Billi Graham (Billy Graham), me shumë pasion: “Perëndia bën nëntëdhjetenëntë për qind të punës, por ti prapë se prapë duhet të bësh atë një për qind të fundit.”   Çfarë është Pelagjianizmi? Tani, le të kthehemi shkurtimisht te titulli i artikullit, “Robëria pelagjiane e Kishës.” Për çfarë po flasim këtu? Pelagji ishte një murg që jetoi në Britani

ROBËRIA PELAGJIANE E KISHËS Read More »

Çfarë është Besimi i Reformuar?

Nga B. B. Warfield ÇFARË KUPTIMI KA TERMI “I REFORMUAR”? Termi “i Reformuar” është një term historik që ka lindur pesë shekuj më parë. I referohet një periudhe kur kisha iu nënshtrua Reformimit në përpjekje për ta rikthyer Krishterimin te autoriteti i Shkrimit të Shenjtë. Synimi i Reformimit nuk ishte ta ndryshonte Fjalën e Perëndisë, por ta sillte kishën në përputhje me të. Të udhëhequra nga Martin Luteri, Zvingli, dhe Gjon Kalvini, Kishat e Reformuara u shkëputën nga gabimet e Katolicizmit mesjetar dhe i dhanë jetë atij që ne e njohim sot si Protestantizmi.   ÇFARË MËSONIN REFORMATORËT? Martin Luteri kaloi mjaft kohë duke u përpjekur që ta bindte kishën që njeriu shpëtohej vetëm prej hirit të Zotit vetëm përmes besimit. Ai besonte se të gjitha mësimet dhe doktrinat duhet të bazoheshin vetëm mbi Shkrimin e Shenjtë. Veprat e tij dhe të Kalvinit shpallnin mësimin e qartë të Shkrimit që Perëndia është një Perëndi sovran. Ata besonin se Perëndia nuk ishte thjesht një vëzhgues mosveprues, por, përkundrazi, se Ai ishte veprues në të gjithë natyrën dhe punët e njeriut dhe se “Ai që të mbron nuk do të dremitë.” (Psalmi 121:3). Ata mësonin atë që mësonte edhe Apostulli Pal, pra, që “Në Të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi” (Veprat e Apostujve 17:28). Ata ishin të sigurt që Perëndia sundon në mënyrë sovrane mbi krijimin dhe se të gjitha ngjarjet ndodhnin me lejen e Tij, sepse gjithçka është “Sipas vendimit të Atij që vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të Tij” (Efesianëve 1:11).   A ËSHTË PERËNDIA NJË PERËNDI SOVRAN? A ka të drejtë Krijuesi i gjithçkaje të bëjë çfarë të dojë me njerëzit e tokës? Reformatorët besonin jo vetëm që Ai kishte të drejtë, por edhe që Ai e ushtron vullnetin e Tij me drejtësi dhe që ky parim shprehet qartë në Shkrimin e Shenjtë. “Tërë banorët e dheut përpara Tij konsiderohen si asgjë; Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose ti thotë: “Çfarë po bën?”” (Danieli 4:35). Për ta, sovraniteti i tij shfaqej më së qarti në shpëtimin e të zgjedhurve. Mësimet e reformatorit francez Gjon Kalvin theksonin sovranitetin e Perëndisë dhe vepra e këtij të fundit shpesh përmblidhet në “Pesë pikat e Kalvinizmit”. Akronimi i thjeshtë “TULIP” i shpjegon këto pika.   PO PËR TULIP-in Ç’MUND TË THEMI? Udhëheqësit e hershëm protestantë kuptuan që ata duhet t’i mbronin mësimet e Shkrimit sa i përket sovranitetit të Perëndisë përkundër atyre që ia mohonin Perëndisë këto të drejta. Ishin të shumtë ata që mendonin se shpëtimi ishte një proces që pjesërisht varej prej tyre dhe acaroheshin kur dikush e bënte të qartë se krenaria e tyre duhet t’i nënshtrohej Shkrimit të Shenjtë. Udhëheqësit e kishës trimërisht iu përgjigjën biblikisht këtyre sulmeve duke mbrojtur pozitën reale të Perëndisë si Zot mbi krijimin e tij.   Mëkatshmëria e Plotë e Njeriut (T – Total Depravity): Njeriu në gjendjen e tij mëkatare dhe të rënë, “nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, sepse për të janë marrëzi; dhe nuk mund t’i njohë, sepse ato hetohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Perëndisë i vlerësonte kështu pasardhësit e racës së rënë të Adamit: “Ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë” (Zanafilla 6:5; 8:21). Të gjitha “të mirat” që njeriu mendon se i bën gjatë jetës së vet nuk janë asgjë tjetër veçse “rrobe e ndotur” (Isaia 64:6). Çfarë ishte e vërtetë për mbretin David është gjithashtu e vërtetë edhe për ne, pra, që ne jemi “mbrujtur në paudhësi dhe nëna ime më ka ngjizur në mëkat” (Psalmi 51:5). Njeriu natyror nuk është i sëmurë, por I VDEKUR. Atyre që janë të krishterë Apostulli Pal iu sjell ndërmend të kaluarën e tyre kur iu flet me një gjuhë të figurshme: “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në shkelje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të ajrit, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve, edhe ne dikur, jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar vullnetet e mishit dhe të mendjes; dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët.” (Efesianëve 2:1-3)   Zgjedhja e Pakushtëzuar (U – Unconditional Election): Perëndia “na zgjodhi në Të përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri” (Efesianëve 1:4). Kjo do të thotë që ata që do të shpëtohen janë ata që janë zgjedhur që të shpëtohen nga Zoti sovran: “Do të kem mëshirë për atë që do të kem mëshirë” (Romakëve 9:15). Ai nuk e bazon zgjedhjen e Tij në ndonjë kusht brenda njeriut, “që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:9).   Shlyerja e Posaçme (L – Limited Atonement): Shlyerja e Krishtit është posaçërisht për njerëzit e Tij – “dhe jetën time e jap për delet” (Gjoni 10:15). Ai nuk e derdhi gjakun e Tij për ata që nuk do të vinin tek Ai. Ai nuk ka paguar çmimin për mëkatin e tyre – këtë ata duhet ta bëjnë vetë. “Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë” (Gjoni 17:9).   Hiri i Parezistueshëm ose Hiri Efektiv (I – Irresistible Grace or Effectual Grace): Ata që Ai ka zgjedhur do të vijnë tek Ai pa një pa dy. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh dhe më ndjekin” (Gjoni 10:27). “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek Unë…” (Gjoni 6:37). Perëndia e dërgon Frymën e Tij të Shenjtë të punojë në zemrat e të zgjedhurve të Tij: “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re” (Ezekieli 36:26). “Askush nuk mund të vijë tek Unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44).

Çfarë është Besimi i Reformuar? Read More »

people, man, sitting-2596890.jpg

Çfarë është një kalvinist?

Një kalvinist nuk është një person që ndjek Kalvinin apo ndonjë person tjetër. Ky është thjesht një term që tregon se personi  është rikthyer te Bibla dhe ka përqafuar të vërtetat e mëdha biblike që u rikuperuan gjatë Reformacionit Protestant. Të vërtetat e mëdha që shpëtimi ynë është vetëm prej hirit, vetëm nëpermjet besimit, vetëm ne Krishtin, vetëm për lavdinë e Perëndisë. Pra, shpëtimi është vetëm prej Zotit dhe hirit të Tij. Ai beson në 5 Solat e Reformacionit të cilat janë: Sola Sriptura – Vetëm Shkrimi për jetën dhe praktikën, Sola Fide – Vetëm Besimi për shpëtimin, Sola Gratia – Vetëm prej Hirit, Solus Christus – Vetëm në Krishtin, Soli Deo Gloria – Vetëm për lavdinë e Perëndisë. Ai gjithashtu beson në 5 të vërtetat e mëdha biblike që ishin pergjigjja e Reformacionit Protestant ndaj mësimve jobiblike te Arminianizmit. Këto 5 të vërteta biblike janë: Mëkatshmëria e plotë e njeriut – njeriu është i vdekur në mëkat, i verbër, urrejtës i dritës dhe Perëndisë dhe skllav i mëkatit. Zgjedhja prej Perëndisë – Perëndia, në hirin e tij të madh, na ka zgjedhur që përpara themelimit të botes. Shlyerja Specifike e Krishtit – Krishti shleu dhe pagoi për mëkatet e të zgjedhurve të tij. Hiri i Parezistueshem – Perëndia në kohën e Tij na ripërtërin, na ndryshon dhe na tërheq te Biri. Qëndrueshmëria e Shenjtorëve – Pasi Perendia na ka ripërtërirë dhe na ka dhënë një zemër të re Ai do të na mbajë në dorën e Tij dhe në besim deri në fund. Ai gjithashtu është një person që ka kuptuar që gjithcka duhet të jetë rreth Perëndisë dhe jo njeriut. Predikimi, ungjillëzimi, adhurimi dhe gjithcka tjetër duhet të ketë në fokus Perëndinë, jo njeriun. Ky është fillimi i Teologjisë së Reformuar.   

Çfarë është një kalvinist? Read More »