Analogjia e njeriut që po mbytet

Të dashur miq:

Ju mund të jeni ndeshur me një të krishterë të sinqertë, që kur ka kundërshtuar mësimet biblike të “skllavërisë së vullnetit”, “shpëtimit vetëm me anë të hirit” dhe “zgjedhjes” ka përdorur analogjinë e zakonshme të shpëtimit e cila e krahason të pashpëtuarin me një njeri që po mbytet. Ata thonë se një Perëndi i dashur na jep zgjedhje të lirë nëse do të kapim dorën e tij për t’u shpëtuar apo jo, dhe se vetëm një Perëndi ‘i keq’ do ti linte ose nuk do të përpiqej ti shpëtonte njerëzit që po mbyten në liqen. “Si mundet që një Zot i dashur të jetë kaq i pamëshirshëm që ti lërë të mbyten?” ata argumentojnë.

Ka disa gjëra që mund të thuhen në përgjigje të kësaj. Para së gjithash, ne duhet të sqarojmë që ajo gjë që e ndryshon traditën tonë nga ajo e ‘vullnetit të lirë’ nuk është që një Perëndi i do njerëzit dhe Perëndia i konceptit tjetër nuk i do ata. JO… Ndryshimi qëndron midis itensitetit dhe shtrirjes së dashurisë. Midis intesitetit të dashurisë ku Perëndia shpreh dashurinë e tij duke lënë jetën e tij për të shpenguar të dashurit e tij, dhe shtrirjes së dashurisë ku Ai i do të gjithë në një sens të përgjithshëm por që nuk shpëton asnjë në veçanti. Konsideroni analogjinë e njeriut që po mbytet përsëri nën dritën e këtyre dy perspektivave:

(1) Fëmija yt po mbytet afër varkës tënde. Ti je një notar i shkëlqyer por dallgët janë të mëdha dhe të rrezikshme. Ti i thërret fëmijës tënd për të përdorur fuqinë e vullnetit të tij për të notuar drejt varkës për të shpëtuar veten, por ai është tepër i pafuqishëm. Ti i zgjat dorën tënde por varet nëse fëmija yt është një notar mjaftueshëm i mirë që të arrijë te ty dhe të ketë fuqinë në veten e tij të zgjasë krahun. Ti nuk bën asgjë më tepër përveçëse ti thërrasësh që të vijë te ty dhe maksimumi që ti bën është aq sa mund të zgjatet krahu yt për shkak se ti nuk do doje që të shkelje vullnetin e tij të lirë për ta lënë të vendosë nëse do të notojë dhe do të kapë ndihmën tënde.

(2) Fëmija yt po mbytet afër varkës tënde. Ti je një notar i shkëlqyer por dallgët janë të mëdha dhe të rrezikshme. Por, gjithësesi, dashuria jote për fëmijën tënd tejkalon të gjitha kundërshtimet dhe pa hezitim ti hidhesh në ujë duke rrezikuar vetë jetën tënde, dhe e shpëton fëmijën tënd nga mbytja. Ti vetë mbytesh por fëmija yt shpëton. Me fjalë të tjera, ti nuk pret të shikosh nëse ai është i gatshëm apo nëse ka fuqi. Ai nuk ka asnjë nga këto. Kështu që ti futesh dhe shpëton fëmijën tënd pavarësisht kostos për jetën tënde.

Cili nga të dy baballarët është më i dashur?

I pari, nëse akoma nuk e keni kuptuar , është “babai” Arminian. Ai e shikon fëmijën e tij në telashe dhe do ta shpëtojë atë vetëm me kushtin që ai të ketë kapacitetin për të notuar përmes dallgëve dhe të arrijë të kapë dorën e babait. Babai, gjithësesi, nuk do që të rrezikojë jetën e tij për TU SIGURUAR që djali të mos mbytet. Dashuria e tij nuk vepron, kështu që kjo dashuri është jo efektive. Gjithçka varet se si do të përgjigjet djali. është një dashuri e cila është me kushte. Ungjilli Arminian është pikërisht kështu sepse nëse Perëndia shkel vullnetin njerëzor në çfarëdo mënyre, e bën Atë të keq në mendjet e tyre. [Shënim: Do t’ju them këtë. Nëse tani unë jam kokëfortë dhe nuk i bindem ungjillit, më vonë unë do ti isha mirënjohës Atij nëse Ai do të “shkelte” vullnetin tim për të më shpëtuar nga mbytja. Nuk ka rëndësi ajo që dua unë, por ajo çfarë Perëndia do. Çfarë unë dua do të jetë konform me atë që Perëndia do kur Ai hap sytë e të kuptuarit tim. Kjo nuk është diçka që unë mund ta krijoj natyralisht. Fryma e Shenjtë duhet të veprojë ose unë vdes. Nëse fëmija yt do të goditet nga një makinë, do të presësh të shikosh çfarë do bëjë ai apo do vraposh drejt tij për ta shpëtuar? Për mua nuk ka rëndësi nëse fëmija nuk donte. Unë do ta bëja gjithësesi, nëse e dua atë. Fakti është, çfarë lloj dashurie është ajo që thjesht ulet dhe nuk bën asgjë dhe shpreson që ti do ta shpëtosh veten tënde? A është kjo ajo lloj dashurie që ne presim nga një prind, le pastaj Ati qiellor?]

Analogjia e dytë është e babait Agustinian. Dashuria e tij është efektive, ai i do fëmijët e tij dhe do të bëjë atë që dashuria e tij dikton duke e shpëtuar fëmijën e tij, edhe nëse humbet jetën e tij. Perëndia është dashuri, dhe dashuria e Perëndisë është si Fjala e tij … Ai thotë për të, “Nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj, dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.”

Përsëri, cili baba në histori është më i dashur?

Sigurisht që analogjia ka të meta meqënëse djali, në jetën e vërtetë është tashmë i vdekur ndaj gjërave të atit dhe për shkak të autonomisë dhe krenarisë së tij, nuk do ta pranonte kurrë ndihmën e babait të tij për të bërë atë që ai e di (ose e mendon) se mund ta bëjë vetë.

Natyralisht pyetja që pason është pse Perëndia nuk i shpëton të gjithë? Ky është një mister i madh por ne e dimë se Perëndia vepron sipas mirësisë dhe urtësisë së tij dhe gjithmonë bën atë që është e drejtë pavarësisht nëse i kuptojmë arsyet e tij apo jo. I njëjti mister qëndron edhe për pyetjen se pse Ai shpëton edhe një person të vetëm. Duke patur parasysh armiqësinë tonë ndaj tij është akoma edhe më habitshme që Ai zgjedh të shpëtojë dikë. Pse të mos na jepte neve atë që meritojmë, e cila është drejtësi? Kështu që, ndërsa është e vërtetë që ne nuk dimë pse Ai zgjedh vetëm disa për shpengim, Shkrimi na mëson “çfarë” dhe “si” …që Ai, në fakt, shpëton një mori njerëzish për Veten e tij. Por nuk na takon ne ti japim përgjigje misterit pse (meqënëse Ai nuk na e ka zbuluar) përveçëse që ishte vullneti i tij i mirë … Dhe nuk duhet të hamendësojmë, siç bëjnë disa, që zgjedhja nënkupton që Ai duhet të ketë motive të këqija. Ne e dimë, nga zbulesa, që karakteri i Perëndisë është gjithmonë i mirë dhe i besueshëm, kështu që ne mund të dimë me siguri që Ai e bën zgjedhjen e tij për arsye të mira që janë në Veten e tij, megjithëse ne nuk mund të kuptojmë tamam qëllimet e Perëndisë.

Por, për të kuptuar diçka nga ajo që Perëndia na ka zbuluar, konsideroni këtë:

Arminiani e quan një Perëndi që e lë një rebel të humbasë si të keq. Për të ekspozuar arsyetimin e gabuar të këtij argumenti ne duhet të përgjigjemi biblikisht duke thënë që Perëndia do të ishte “i keq” vetëm nëse ata nuk do ta meritonin dënimin e drejtë. Duke përdorur “duke u mbytur në liqen” si një analogji, ata po e bëjnë të duket sikur gjendja jonë përpara shpëtimit ishte e parrezikshme. Ky arsyetim i gabuar logjik quhet një “apel për mëshirë”. “Shikoni personin e pashpresë që po mbytet dhe Perëndia i kalvinizmit nuk bën asgjë. Ky Perëndi duhet të jetë kuçedër”.

Ndoshta, nëse problemi ynë do të ishte vetëm paaftësi fizike ose të një njeriu të pafajshëm duke u mbytur atëhere, sigurisht, mund të ishim më të tunduar për ta shikuar Perëndinë si një kuçedër. Por kjo nuk është si e përshkruan Shkrimi natyrën e një zemre mëkatare. Shkrimet thonë që njerëzit e paripërtërirë janë rebelë, armiq ndaj Perëndisë për nga natyra. Duke kuptuar që analogjitë nuk janë të përsosura, kjo analogji për mbytjen prapë varet nga mëshira që të ketë kuptim, por që po imponon një hamëndësim të huaj në Shkrim, që ne ishim thjesht pa shpresë, të pafajshëm dhe në nevojë dhe prandaj Perëndia është i detyruar për të na shpëtuar se mos mbytemi. Sipas kësaj analogjie kushti i vetëm që duhet të plotësojmë është të shtrijmë dorën tonë dhe të kapim dorën e tij, të cilën Ai është i detyruar ta shtrijë sepse përndryshe Ai duhet të jetë i keq, arsyetojnë ata. Jo vetëm që kjo lloj dashurie është me kushte por kjo dashuri nuk bën asgjë të ndihmojë të pashpresin përveçëse ta thërrasë atë nga larg. Shpresoj që ju po filloni të shihni problemin e qartë me këtë lloj arsyetimi.

Le ti kuptojmë faktet drejt: në asnjë vend Shkrimi, madje as tërthorazi, nuk thotë që njeriu i pafajshëm po mbytet. Më shumë na përshkruan si armiq ndaj Perëndisë si një ushtri kundërshtare, duke mbytur të vërtetën dhe duke zëvendësuar Perëndinë me idhujt tanë, duke pasur një borxh që ne nuk mund ta paguajmë. Bibla thotë që ne duam errësirën dhe urrejmë dritën – që do të thotë që dëshirat tona janë të prirura për tu larguar nga Perëndia. Majkëll Horton (Michael Horton) një herë e përshkroi këtë kështu: Ne nuk mund ta gjejmë Perëndinë për të njëjtën arsye që një hajdut nuk mund të gjejë një polic. Nuk është thjesht që ne patëm një paaftësi fizike, por gjendja jonë përshkruhet si paaftësi morale me dëshira të errësuara (Gjoni 3:19) në nevojë për një lindje të re (Gjoni 3:3-6), një natyrë komplet të re që të dëshirojmë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë (1 Kor 2: 5-14). Një gjë që duhet mbajtur mend është që ne të gjithë jemi borxhlinj për shkak se kemi thyer ligjin e shenjtë të Perëndisë. Ne kemi një borxh që nuk mund ta paguajmë – çmimi është shumë i lartë. Kjo do të thotë që ne me të drejtë meritojmë zemërimin e Perëndisë – të gjithë ne. Nëse Perëndia do të shkatërronte të gjithë rracën njerëzore, do të ishte plotësisht e drejtë sepse kjo është ajo që ne me të drejtë meritojmë. Nëse të gjithë ne do të hidheshim në ferrin e përjetshëm, ne do të mernim atë që me të drejtë meritonim.

Por meqënëse ne po përdorim analogjitë, ja ku është edhe një tjetër: nëse nëntë njerëz më kanë para borxh, dhe unë anulloja borxhin e shtatë vetave, dy të tjerët nuk do të kishin asgjë për cfarë të ankoheshin. Në të njëjtën mënyrë nëse Perëndia nuk do të anullonte borxhin e askujt do të ishte plotësisht e drejtë, por nëse Ai anullon borxhin e disave prej tyre, të tjerët nuk kanë asnjë arsye për tu ankuar. Ata janë përgjegjës për të paguar, por nuk kanë aftësinë për të paguar (shiko Romakët 3:20). Perëndia nuk është i detyruar në asnjë mënyrë të anullojë borxhin e askujt, por për shkak se Ai është i dashur dhe i mëshirshëm Ai pagoi borxhin për ata që Ai erdhi ti shpëtojë sipas pëlqimit të vullnetit të tij sovran (Efesianët 1:4, 5).

Ne duhet të kujtojmë gjithashtu që Perëndia ka më shumë se një atribut … Dhe ne gjithashtu duhet të mbajmë mend që Perëndia është pafundësisht i shenjtë dhe i drejtë. Kur ne themi që jemi të shpëtuar çfarë duam të themi me këtë? Nga çfarë jemi shpëtuar? Ne jemi shpëtuar nga Perëndia. Po, të shpëtuar nga Perëndia. Nëse Perëndia është me të vërtetë një Perëndi i drejtë, zemërimi i tij duhet të bjerë mbi fajtorin. Perëndia është i shenjtë dhe asnjë mëkat nuk mund të qëndrojë në prezencën e tij – Drejtësia e tij kërkon pagesë të drejtë, një pagesë që ne nuk mund ta paguajmë dot.

Kështu që Perëndia u jep një nga këto dy gjëra njerëzve në këtë jetë: drejtësi ose mëshirë. Ata që janë në Krishtin kanë marrë mëshirë. Nuk ishte për shkak se Perëndia pa diçka në ne që na rekomandoi tek Ai, apo ndonjë aftësi të madhe por vetëm për shkak të mëshirës së tij të madhe që Ai na shpëtoi.

Ai nuk na deshi për shkak të besimit tonë por na deshi dhe na shpengoi për besim. Ne jemi drejtësuar vetëm nëpërmjet besimit, por, ne nuk e krijuam besimin në natyrën tonë të rënë armiqësore dhe të paripërtërirë… Perëndia duke treguar mëshirë siguroi që ne do të pendoheshim dhe besonim ungjillin (2 Timoteu 2:25, Efesianët 2:8). Ndarë nga hiri i tij, të cilin na e dha në lindjen e re, ne nuk do të kishim ardhur kurrë tek Ai nga vetja jonë. Ai erdhi të na gjejë dhe të na shpëtojë nga vdekja që ne ta adhurojmë dhe të kemi shoqëri me Të. Kështu që, nëse njerëzit vuajnë në Ferr nuk është për shkak se Perëndia kështu vendosi pa asnjë arsye. Ata vuajnë për shkak të mëkateve të tyre, dhe nëse ne jemi të shpëtuar është vetëm për shkak të Hirit të Tij.

Pavarësisht nga vetja jonë, Perëndia erdhi në personin e Jezu Krishtit për të mbajtur barrën e plotë të zemërimit të Perëndisë për njerëzit e tij. Dënimi që ne meritonim ra mbi Të. Ai i lë jo të zgjedhurit të bëjnë atë që ata duan. Ata zgjedhin të rebelojnë sepse kjo është prirja e tyre natyrore. Pra, a është me të vërtetë Perëndia një kuçedër duke qëndruar mbi disa njerëz të pashpresë që po mbyten? Jo, Ai është përballë disa njerëzve që janë kundër tij dhe që nuk e duan ndihmën e tij. Në fakt, ata marrin armët kundër Mbretit. Ata do të bëjnë gjithçka që munden për tu arratisur nga Ai, për të dekaluar autonomi dhe rebelim.

Perëndia dërgon shërbëtorët e tij dhe Birin e tij por ne i vrasim ata. A është i detyruar Perëndia të shpëtojë ata që vranë Birin e tij? Jo, Ai është i drejtë nëse i hedh ata në liqenin e zjarrtë. Por pavarësisht gjithçkaje që ne kemi bërë kundër Tij, Ai vjen në dashuri duke mbajtur dënimin që ne e meritojmë me të drejtë në personin e Tij. Kjo është dashuri e madhe. Por Ai do të ketë mëshirë për atë që do të ketë mëshirë (Romakët 9:15, 16). Kush je ti o njeri ti tregosh Perëndisë që Ai është i keq ose i padrejtë kur shpëton disa dhe lë disa të tjerë? Ne duhet të mrekullohemi që Ai shpëton edhe një person të vetëm. Nëse çdo njeri bie dakord që Ai është i drejtë në dënimin e të gjithve ne (edhe Arminianët bien dakord), si mund të jenë konsekuent ata që e bëjnë Atë të padrejtë kur Ai dënon disa dhe shpëton pjesën tjetër për arsyet e tij të mira dhe të urta?

Ne duhet të pyesim veten nën dritën e gjithë kësaj, çfarë është dashuria? Çfarë është dashuria e shenjtë? … Dhe cili përshkrim përputhet më shumë me dashurinë e vërtetë biblike. Jezusi tha te Gjoni 10 që Ai jo vetëm “i thërret delet e tij më emër dhe i udhëheq” (Gjoni 10:3) por që “bariu i mirë lë jetën e tij për delet.” (Gjoni 10:11,15) por Ai thotë për të tjerët që ata “nuk besojnë për shkak se nuk janë nga delet e mia.” (Gjoni 10:26) . Ai e lë jetën e tij për delet por disa nuk janë delet e tij, dhe kjo është arsyeja që ata nuk besojnë, Jezusi tha:

“PERËNDIA IU DHA ATYRE FRYMË DREMITJE, SY, QË TË MOS SHOHIN DHE VESHË, QË TË MOS DËGJOJNË, DERI NË DITËN E SOTME” (Romakët 11:8) 

“Ndër ta përmbushet profecia e Isaias, e cila thotë, ‘DUKE DËGJUAR DO TË DËGJONI, POR NUK DO TË MERRNI VESH; EDHE DUKE PARË DO TË SHIHNI, POR NUK DO TË VINI RE” (Mateu 13:14)

“O thellësi pasurie edhe e urtësisë dhe e diturisë së Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pagjurmueshme janë udhët e tij!” (Romakët 11:33)

 

– J.W. Hendryx

 

Përkthyer nga: http://www.reformationtheology.com/apologetics/

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *