bible, open, book-1846174.jpg

Lista e Vargjeve për Qëndrueshmërinë dhe Këmbënguljen e Shenjtorëve

1. Atë që Perëndia e fillon, Ai e përfundon.
Psalmi 138:8 – Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
Predikuesi 3:14 – E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t’u shtosh dhe t’u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij..
Isaia 46:4 – “Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj”.
Jeremia 32:40 – Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.
Romakët 11:29 – Sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.
Filipianët 1:6 – Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një vëpër të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit
2 Timoteu 4:18 – Edhe Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në jetë të jetëve. Amen.
2. Të gjithë ata që Ai i ka thirrur dhe i ka sjellë të Krishti, askush prej tyre nuk do të humbasë.
Gjoni 6:39-40 – Por ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë prej të gjithave që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit”
Gjoni 10:27-29 – Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh dhe më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim..
Romakët 8:28-31 – Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëlimin e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Por ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri, ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi. Çfarë të themi, pra, për këto? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
Romakët 8:35-39 – Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për shkakun tënd po vritemi gjithë ditën; u llogaritëm si dele për therje”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Hebrenjtë 7:25 – Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.
Hebrenjtë 10:14 – Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.
3. Perëndia është Ai që na shenjtëron dhe na bën që të qëndrojmë dhe të këmbëngulim në besim
Gjoni 15:16 – Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të qëndrojë, që, çfarëdo që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë.
1 Korintasit 1:30-31 – Edhe prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne urtësi prej Perëndisë, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin”
1 Korintasit 6:11 – Dhe të tillë qetë disa prej jush; por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.
1 Korintasit 12:3 – Prandaj ju bëj të ditur se asnjë që flet në Frymën e Shenjtë nuk i thotë Jezusit, i mallkuar; edhe asnjë nuk mund ti thotë Jezusit, Zot, veçse në Frymën e Shenjtë.
1 Korintasit 15:10 – Por me anë të hirit të Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë me mua.
Galatasit 3:1-6 – O Galatas të pamend! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar midis jush? Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën prej veprave të ligjit apo prej të dëgjuarit të besimit? A jeni kaq të pamend sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni tani në mish? A hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot? Ai, pra, që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën prej veprave të ligjit apo prej të dëgjuarit të besimit? Sikundër Abrahami “i besoi Perëndinë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi”
Efesianët 2:10 – Sepse jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.
Filipianët 2:12-13 – Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikurse keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, veproni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju edhe vullnetin edhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.
1 Thesalonikasit 5:23-24 – Por ai vetë, Perëndia i paqes, ju shenjtëroftë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
Hebrenjtë 13:20,21 – Dhe Perëndia e paqes, që e nxori lart prej së vdekurish, me anë të gjakut të Besëlidhjes së përjetshme, Bariun e madh të dhënve, Zotin tonë Jezu Krisht, ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, përmes Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amen.
1 Gjoni 2:29 – Në qoftë se e dini se ai është i drejtë, ta dini se kushdo që bën drejtësinë ka lindur prej tij.
Juda 1:24-25 – Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim, para lavdisë së tij, të vetmit Perëndi të urtë, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, dhe madhështi, sundim dhe pushtet, edhe tani edhe në përjetësi. Amen.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *